Rrëzohet  Kushtetuta, Shqipëria drejt diktaturës

328
Sigal

Rilindja ‘gropos’ Kushtetutën e miratuar me referendum. Drafti i ri merrë të gjitha kompetencat e Institucionit të Presidentit të Republikës si simbol i Unitetit Kombëtar duke ja kaluar Kryeministrit dhe partisë në pushtet sipas modelit putinist dhe erdoganist. Sipas draftit, mazhoranca shkarkon Kreun e Shtetit, bllokon shpërndarjen e Parlamentit, anulon dhe cakton datën e zgjedhjeve, thërret Kuvendin e ri, dekreton ministrat dhe emëron gjyqtarët e Kushtetueses.

Drafti i sapo dorëzuar nga mazhoranca për Presidentin e Republikës, ka vendosur një “gardh” të qartë institucionit të kreut të shtetit për të shpërndarë Kuvendin, ç’dekretimin e zgjedhjeve , apo mos dekretimin e kryeministrit dhe ministrave. Në draftin e paraqitur, të siguruar nga gazeta “Telegraf”,  Presidentit nuk i lejohet të shtyjë zgjedhjet, nëse kjo nuk vendoset  në më mënyrë precize në ligjin e zgjedhjeve. Në nenin 17 të draftit thuhet: Presidenti i Republikës mund të shtyjë datën e zgjedhjeve, apo mbajtjes së referendumit në këto rrethana: a) kur kompetenca i njihet shprehimisht në ligjin për zgjedhjet ose ligjin për referendumet; b) vetëm në zbatim të masave të jashtëzakonshme; c) vetëm për interesa madhore në dobi të zgjedhjeve, me kusht që data e re e zgjedhjeve të mos zgjasë mandatin e organeve që përtërihen.

– Shtyrja e datës së zgjedhjeve mund të bëhet vetëm duke zbatuar procedurat sipas pikës 2 të këtij neni.

– Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në afatin e përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor, ose e nxjerr atë në kundërshtim me procedurën sipas këtij neni, atëherë data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi, sipas propozimit të Kryetarit të tij, me vendim që miratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga afati i dekretimit.

– Në draft, kufizohet Presidenti që të mos thërrasë Parlamentin e dalë nga zgjedhjet, gjë që është folur disa herë që mund të ndodhë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Nëse Presidenti nuk e thërret Parlamentin e ri, ai vetëmblidhet.

Në këtë draft, theksohet:

  1. Thirrja e Kuvendit në legjislaturën e re bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.
  2. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
  3. Presidenti i Republikës bën thirrjen e Kuvendit në legjislaturën e re, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë fituar mandate nga zgjedhjet.
  4. Data për thirrjen e Kuvendit përcaktohet nga Presidenti i Republikës mbështetur në konsensusin e partive pjesëmarrëse në konsultë. Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti i Republikës cakton datën e thirrjes së Kuvendit në legjistaturën e re, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare.
  5. Në rast se Presidenti i Republikës nuk thërret Kuvendin në legjislaturën e re, deri ditën e fundit të afatit të parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni, Kuvendi vetëmblidhet në këtë ditë.

Bllokimi për shpërndarjen e Parlamentit

Gjithashtu një çështje e veçantë është edhe shpërndarja e Kuvendit, frazë që është bërë refren prej një viti nga Presidenti aktual. Disa herë Meta ka kërcënuar mazhorancën aktuale se do ta shpërndante Parlamentit, sa herë që kishte tensione dhe madje duke u shprehur se për këtë ka mbështetjen e sovranit. Por ja ç’thuhet në draftin e siguruar nga Gazeta ‘Shqip’:

Neni 19, Shpërndarja e Kuvendit

  1. Shpërndarja e Kuvendit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret në rastet kur Kuvendi nuk arrin të miratojë në dy raunde Kryeministrat e emëruar dhe as të zgjedhë vetë Kryeministër tjetër, si dhe në rastin kur Kryeministri humbet mocionin e besimit dhe i kërkon Presidentit të Republikës që të shpërndajë Kuvendin.
  2. Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin, sipas rastit, brenda 10 ditëve nga data e votimit pa sukses në Kuvend për zgjedhjen e Kryeministrit, apo nga kalimi i afatit 10 ditor për zgjedhjen e Kryeministrit nga Kuvendi, ose brenda 10 ditëve nga data që merr kërkesën e Kryeministrit për shpërndarjen e Kuvendit.
  3. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit brenda afatit sipas pikës 2 të këtij neni, Kuvendi quhet i shpërndarë ipso lege. Me kalimin e këtij afati Kuvendi dhe komisionet parlamentare të tij nuk mund të ushtrojnë më funksionet e tyre. Çdo akt i miratuar në kushtet e shpërndarjes ipso lege është absolutisht i pavlefshëm, përveçse kur Republika e Shqipërisë vendoset në kushtet e parashikuara nga neni 66 i Kushtetutës për rithirrjen vetiu të Kuvendit të shpërndarë.
  4. Presidenti i Republikës është i detyruar të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes me dekret ose ipso lege të Kuvendit.

Beteja dhe dekretet e ministrave

Një tjetër çështje që ka çuar në përplasje mes mazhorancës dhe kryeministrit ka qenë edhe sa i përket dekreteve të ministrave, ku emërimi i Cakajt si ministër i Jashtëm u bllokua dhe u refuzua nga Meta, ndërsa u bllokua për disa ditë dekretimi i Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm. Mazhoranca ia merr këto kompetenca presidentit, në rast se kreu i shtetit nuk arrin të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese. Ndërkaq, në lidhje me emërimin e kryeministrit apo ministrave, nëse Presidenti e bën këtë pa arsye të përcaktuara sipas ligjit, atëherë është Kuvendi që emëron vetëm kryeministrin apo ministrat.

Beteja për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Ndërkaq, projketligji i vendos kufi Presidentit për dekoratat, faljet dhe shtetësitë. Në të gjitha rastet kreu i shtetit duhet t’i ndërmarrë këto akte me propozim të ministrit përkatës. Një çështje delikate është edhe ajo e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në ligj, Presidentit i përcaktohet se nuk mund të ndryshojë renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, siç kreu me Marsela Xhaferllarin.

Në nenin 22 theksohet:

“Presidenti i Republikës emëron anëtarin e Gjykatës kushtetuese midis 3 kandidaturave që i paraqiten nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pa të drejtë refuzimi ose modifikimi të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk bën emërimin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

  1. Në rast se Presidenti i Republikës konstaton përpara emërimit, se kandidati i propozuar për gjyqtar në gjykatën e Lartë nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sikurse përcaktohen shprehimisht në ligj, atëherë Presidenti i Republikës informon me shkrim organin propozues për pengesën për emërim, duke i kërkuar rishikimin e propozimit, brenda 10 ditëve.
  2. Presidenti i Republikës nuk mund të vonojë apo pengojë emërimin për asnjë motiv apo shkak tjetër, përveç atyre të pikës 3 të këtij neni”.

Në draft ka edhe një zgjidhje për çështjen e betimit, ku Ilir Meta refuzoi që të kryejë betimin e Arta Vorpsit që ishte zgjedhur nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nëse presidenti refuzon të bëjë ceremoninë e betimit, atëherë këtë e bën Kuvendi.

 

Ndryshimet qesharake të Kushtetutës: Presidenti shkarkohet sipas tekave të kryeministrit

Socialistët kanë finalizuar dje draftin për ligjin organik të Presidentit të Republikës, i cili zhvesh Kreun e Shtetit nga disa kompetenca si dekretimi i ministrave, betimi i gjyqtarëve të gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, data e zgjedhjeve, e deri te dhënia e shtetësisë apo dhe te vetë mënyra e shkarkimit të tij. Në draftin e socialistëve, shihet se në dekretimin e ministrave, Presidentit të Republikës i hiqet e drejta e vendosjes së një vetoje, siç ka ndodhur në rastin “Cakaj”, duke i dhënë atij një kohë të kufizuar në vendimmarrje, dhe më pas kompetenca i kalon Kuvendit, ku do të bëhet edhe betimi i ministrit të propozuar nga kreu i qeverisë. “Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim”, thuhet në draft. Një tjetër ngërç që kanë tentuar socialistët, të zgjidhin në favorin e tyre është dhe ai i betimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, duke marrë shkas nga rasti i Arta Vorpsit, e cila u betua te noterja, ndërkohë që akti u klasifikua i pavlefshëm nga vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Por kjo nuk i ka penguar socialistët që të propozojnë që në rast se presidenti nuk shprehet brenda 15 ditëve për gjyqtarët, atëherë ata të fillojnë nga puna, 15 ditë pas vendimit të KLGJ-së.

Një tjetër pikë shumë e rëndësishme, që socialistët kërkojnë që ta heqin nga kompetencat e presidentit, është ajo për shpalljen e datës së zgjedhjeve, ku në rast se drekreti nuk nxirret prej tij në afatin e kërkuar, data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi, me propozim të kryetarit. Presidentit të Republikës i hiqet e drejta ekskluzive për dhënien e shtetësisë, duke ia atribuar atë ministrit propozues, i cili do të marrë edhe vendimin final.

Një nen që kërkojnë të ndryshojnë socialistët në draftin që kanë propozuar, është edhe shkarkimi i vetë presidentit. Tashmë është shtuar edhe një pikë ku thuhet se, shkarkimi mund të bëhet për shkak se cënohet rendi kushtetues, apo funksionimi dhe rregullimi i pushteteve.