Rrëfimi tronditës: Kam nënën tek Infektivi, më tha nuk na japin as ujë

410
Sigal

 

Shërbimi mjekësor shqiptar është futur në kaos të plotë dhe ka dalë jashtë kontrollit të qeverisë. Mungesa e informacionit, maskarada me testin covid-19, kushtet skandaloze dhe denoncimi i prekës i vajzës së pacientes: Mami sa ishte me gojë e fliste më thoshte se nuk na ndërrojnë rrobat, nuk më japin ujë të pishëm dhe na bërtasin po u ankuam tek familjarët.

 

Petraq Barjami

Situata e vështirë që kalon vendi ynë, për shkak të pandemisë së Covid-19  ka dalë jashtë kontrollit nga qeveria. Në spitalin Infektiv nuk ka asnjë që mund të japë të afërmve ndonjë informacion për të sëmurët. Shteti nuk u bën qytetarëve tampone, por këtë të drejtë ua ka dhënë laboratorëve privatë, të cilët, po i rrjepin ekonomikisht shqiptarët, duke u marrë nga 120 mijë lekë, për një tampon që kushton 2 euro. Laboratori i QSUT-së nuk bën më analiza për Covid-19, pasi qeveria ia ka dhënë koncesionarit dhe ligjin tashmë e bën koncesionari, sipas interesave të tij. Ndërsa në Francë, testimet për Covid-19 bëhen falas.

Skandali i ISHP: Për të njëjtin testim, jep 2 rezultate

Një qytetar dëshmon (redaksia e gazetës “Telegraf” ka të gjitha të dhënat e këtij rasti): Një pjesëtar i familjes time kishte bërë ditën e enjte testin e tamponit, duke lajmëruar Urgjencën Kombëtare në nr. 127. Pasi kaluan 3 ditë nga marrja e mostrës për testin e tamponit, më lajmërojnë se testi është pozitiv. U alarmuam të gjithë. I telefonoj drejtorit të Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, nëse duhet që edhe pjesëtarët e tjerë të familjes duhet të bëjnë testin e tamponit, meqë i afërmi i familjes, më të cilën bashkëjetojmë, doli pozitiv me Covid-19. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj më përgjigjet, se 127 nuk mund të kryejë testin për pjesëtarët e familjes, ku njëri familjar është pozitiv me Covid-19. Duhet ta thotë epidemiologu familjar. I them drejtorit të Urgjencës Kombëtare, që testi për pjesëtarët e familjes, që kanë një të sëmurë me Covid-19 duhet të jetë i detyrueshëm, pasi mund të jenë mbartës potencial të Covid-19 dhe mund ta përhapin pa dijeni, pa dashje edhe në kontaktet që mund të kenë në punë, në mjedise të tjera publike. Mirëpo, drejtori i Urgjencës Kombëtare e refuzoi kategorikisht kërkesën që edhe pjesëtarët e familjes të bëjnë testin e tamponit.  Disa denoncime janë bërë publike, ku Institutit të Shëndetit  Publik  ka deklaruar se janë bërë tampone edhe në të gjithë pjesëtarët e familjes, në rastet kur njëri pjestar është me Covid -19, pa bërë kurrë teste pjesëtarët e familjes.  Një tjetër skandal i  ISHP-së, siç denoncon i njëti qytetar, është se testi i tamponit u dha pas 4 ditësh. Në mëngjes, ISHP e njofton se ishte pozitiv, ndërkohë, që mbasdite, mjeku përgjegjës që i mori tamponin, njofton se testi është negativ. Disa qytetarë kanë denoncuar, se u janë ofruar shuma të mëdha parash, që të pranojnë se të afërmit e tyre kanë vdekur nga Covid-19, kur e vërteta ka qenë krejt ndryshe. Shumë qytetarë kanë denoncuar se rrinë me ditë të tëra pranë spitalit Infektiv të QSUT-së në pritje për të dhënë ushqime, për të marrë ndonjë lajm për të afërmit e tyre të shtruar në Infektiv me Covid -19, mirëpo, jo vetëm që nuk i kanë lejuar, por të sëmurëve me Covid-19 u ndalojnë edhe celularët, për të mos komunikuar, thua se shkenca mjekësore ka dëshmuar, që celulari është mjet përhapës i Covid-19, apo ndikon negativisht në të sëmurët. Shumë pikëpyetje dalin, nga terri i informimit, se çfarë ndodh aty brenda Infektivit të QSUT-së, ku shtrohen të sëmurët me Covid-19. Si u shërbejnë të sëmurëve? Çfarë ilaçe u bëjnë për kurim? Dje mjeku i Urgjencës Ilir Allkja në një shkrim në gazetën “Telegraf” bëri apel, që qytetarët dhe mjekët të tregohen të kujdesshëm, që të mos përdorin pa kriter antibiotikë për Covid-19.

Rëfimi prekës nga Spitali Infektiv i QSUT-së

Rrëfim prekës nga Spitali Infektiv nga QSUT-ja,  ku ndodhen një pjesë e madhe e të sëmurëve me COVID-19 në gjendje jo të mirë shëndetësore. Familjarët presin për ndonjë fjalë a lajm për të afërmit e tyre dhe ende shpresojnë por ankohen për mungesë informacioni. Një qytetare tregoi se nëna e saj ka ardhur në gjendje më të mirë dhe me një burim oksigjeni por se tani është përkeqësuar dhe i kanë thënë se nuk ka shpresa. “Kam mamin këtu, nuk kam marrë informacione. Kushtet brenda janë skandaloze. Mami sa ishte me gojë e fliste, më thoshte nuk më japin ujë, më thahet goja, mbushin nga rubineti. Nuk më ndërrojnë. Doktoresha më ka thënë që është para intubimit, nuk bëhet më. Nuk e kam takuar doktoreshën. Iu kam kërkuar t’i japin vetëm pak ujë. Dje ia hoqën pak i dhanë ujë, piu pak e lagu buzën. Sa i vënë aparaturat nuk duan t’ia dinë më. Koordinatorët janë të patrajnuar, sillen shumë keq. Nuk japim dot informacion thonë. Të paktën t’i japin bebelinat. Kam 8 ditë këtu. 6 ditë kam fjetur në makinë dhe 2 ditë në hotel. Kur erdhi ishte në gjendje të mirë, fliste, me një burim oksigjeni ka qenë. Tre ditë ishte ashtu. Më thoshte pse ankohesh jashtë se më bërtasin brenda. Çfarë të them. Jam pishman që e solla këtu. I thashë doktoreshës ma jep ta çoj në shtëpi, ta shtrëngoj në krahët e mi, të japë frymën e fundit. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz, na dhemb shpirti, na dhemb xhani. Të na thonë një fjalë, të ketë një zyrë informacioni, të marrim informacion, si është gjendja”, -tha gruaja e re. Sipas të dhënave,  në harkun e 30 minutave kanë dalë dy trupa të pajetë nga Infektivi, ndërkohë që janë referuar tre urgjenca mjekësore, njëra nga spital privat.