Ristani: Nga Kukësi nis largimi i qeverisë së mjerimit

459
Demokratët e Kukësit kanë përkujtuar 25-vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike në këtë qytet. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani dhe deputeti i Qarkut të Kukësit, Flamur Noka.
Duke folur për situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi deputeti Flamur Noka e ka cilësuar 2016-n si vit të përmbysjes së regjimit bastard të Edi Ramës që dhunon, varfëron dhe vjedh shqiptarët.
“Ne sot jemi në opozitë me një qeveri që nuk është parë kurrë më parë. Ne sot kemi në pushtet një regjim kleptokrat që ka ardhur për të sunduar e dhunuar këtë popull. Një regjim bastardësh që njohin vetëm gjuhën e varfërimit të qytetarëve të vendit të tyre, që njeh vetëm gjuhën e terrorit dhe që shqiptarëve nuk u ka lënë asnjë alternativë përveç atij të burgut, varfërisë, skamjes dhe rrugët e Europës si të vetmen zgjidhje për të mbijetuar. Ky përvjetor duhet të shfrytëzohet për t’i bërë thirrje qytetarëve, demokratëve dhe çdo qytetari në Kukës dhe gjithë Shqipërinë, të bashkohemi rreth Partisë Demokratike sepse ky do të jetë viti i përmbysjes së këtij regjimi të kusarëve e kleptokratëve, të pinjollëve të diktaturës. Ky do të jetë viti kur ne sëbashku me qytetarët e këtij vendi do të mundësojmë rrëzimin e me revoltë dhe protesta të përditshme këtë qeveri dhe këtë klikë hajdutësh dhe banditësh që është në pushtet, dhe do të vendosim një qeveri teknike, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme ku shqiptarët do të kthejnë përsëri besimin tek Partia Demokratike. Ky do të jetë viti i shpresës për të rikthyer Partinë Demokratike në pushtet. Shqiptarët sot nga halli bëjnë plazh në akull sepse sot ka njerëz në Kukës dhe në gjithë Shqipërisë që nuk kanë ku të fusin kokën, po vdesin se nuk kanë energji elektrike për t’u ngrohur dhe nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një qeveri që në ditën më të zezë të shqiptarëve shkon dhe bredh plazheve të Amerikës”, tha Noka.
Duke shprehur mirënjohjen për qytetarët e Kukësit që edhe në zgjedhjet vendore votuan për Partinë Demokratike dhe nuk u dorëzuan as pas presionit, as pas dhunës, as nuk u joshën nga ofertat për shitblerje votash, theksoi se nga Kukësi do të nis revolucioni demokratik për largimin e kësaj qeveria dhe hapjen e një rruge të shpresës për shqiptarët.
“Në 2013 socialistët fituan në Shqipëri dhe ngjyra blu ngeli në Kukës. Për këtë Kukësi dhe demokratët e Kukësit meritojnë mirënjohje. Unë shpresoj vërtetë që nga Kukësi ne do të nisim revolucionin demokratik, që ne këtë herë duhet patjetër këtë revoltë popullore në mënyrë demokratike për ta përmbysur këtë qeveri, e cila nuk është popullore dhe po ecën në një drejtim të gabuar me praktikën e saj antipopullore”, tha Ristani.
Sigal