Rilindja si Byroja Politike, vetëm 2 të mbijetuar nga 21 “komandot” e 2013

639
Sigal

Votuesit shqiptar mandatuan  “Rilindjen” në 2013-ën   me shpresën e madhe për ndryshim. Sot nga 21 Ministra vetëm dy i kanë mbijetuar fshesës Rama, duke krijuar një zhgënjim ekonomik, social dhe politik tek të gjithë votuesit tradicional dhe ata që  besonin tek ndryshimi. Propaganda e Rilindjes i ngjason asaj të PPSH-së, ku Ramizi i Enveri është zëvendësuar nga Ahmetaj i Ramës. Ja ministrant e mbyllur nw “manastir’ nga fondacionet e radarwt tek tigri

Çfarë ka mbetur nga “Rilindja”, shtatë vjet më pas!

Shikoni këtë fotografi të shkrepur në vitin 2013. Është qeveria e “Rilindjes”, e përbërë nga 21 Ministra. Ata janë betuar në Presidencë, me premtimin se do të sjellin ndryshim të madh për vendin. Secili prej tyre kishte një ambicie, për të qëndruar sa më gjatë në zyrën e Ministrit. Edi Rama kishte zgjedhur një kabinet duke e shpallur si një nga më të mirët. Por sot, pas 7- vjetësh, shikon se vetëm dy persona kanë “mbijetuar” si ministra, por edhe ata të ikur dhe riardhur. Politikisht, ajo foto tregon  metamorfozën reale të “Rilindjes”, që nga “komando” fituese që mund të sillte reformat, u kthye në një “togë”, e cila u batërdis gjatë viteve nga lufta politike, ku disa janë degdisur në opozitë  të shpallur me “Rilindjen”, disa janë kthyer në kundërshtarë të brendshëm të Edi Ramës, të tjerë janë personazhe që politikisht ofrojnë një imazh jo më progresiv, por regresiv për Partinë Socialiste.

Me goditjet e njëpasnjëshme “Rilindja” e PS-së, të kujton Byronë Politike të PPSH-së. Ashtu si Enveri që largoi, internoi, syrgjynosi dhe ekzekutoi shkokët e tij besnikë, edhe Rama nga 21 anëtarë të kabinetit të 2013-ës, vetëm 2 mundën të mbijetojnë. E nëse Enveri mbajti si pasues Ramiz Alinë, kryerilindasi Rama, ka gjetur si më besnik trashëgimtar të tij Arben Ahmetajn. Mjafton të kujtojmë deklaratën e tij gjatë pandemisë së koronavirusit në muajin prill, ku vetë Rama deklaroi se nëse do prekem nga Covid-19, komandon e drejtimit do t’ja dorëzojë Arben Ahmetajt. Dhe Rama atë që mendon e bën. Koha po tregon se dy liderët më jetëgjatë të së majtës në këto ‘70 vite, Enver Hoxha dikur dhe Edi Rama sot, projektuan si pasues, pikërisht ata që flasin shumë gjëra, por që puna nuk u ka pasur kurrë duk.

Rilindasi i fondacionit “Qemal Stafa”

Kur shikon atë foto të betimit, bie në sy që njeriu më i fuqishëm politik i kabinetit “Rama 1” ishte padyshim Saimir Tahiri, njeriu që mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, si politikani që do të zbatonte programin e bërjes së shtetit. Tahiri ishte promovimi i Ramës, u caktua dhe në krye të Fondacionit politik të PS-së, “Qemal Stafa”, si dhe më pas drejtoi PS-në e Tiranës. I vendosur që në fillim në shënjestrën e sulmeve politike, Tahiri ra në përfundim të mandatit të parë për shkak të dyshimeve se po favorizonte disa trafikantë droge. Ish-ministri po vazhdon betejën me drejtësinë.

Radarët e Kodhelit 

Mimi Kodheli, e besuara e Edi Ramës në bashkinë e Tiranës dhe e emëruar në qeveri si “ylli” në ngjitje i grave të majta, u largua pas mandatit të parë së bashku me akuzat mbi skandalin e radarëve, ku u përfshi sërish trafiku i drogës. Asaj iu besua posti i ministres së Mbrojtjes, për herë të parë që drejtohej nga një grua. Kodheli shihej dhe si figurë që mund të ndikonte që socialistët të harronin largimin e Arta Dades nga PS-ja, të një figure të fortë të socialistëve për disa vite. Sot është kryetarja e komisonit të Politikës së Jashtme në Parlament, edhe pse ka dhënë sinjale se mund të tërhiqet nga politika.

Cani, ministri që u rrëzua shpejt

Shkëlqim Cani, financieri i thirrur në PS-në nga Edi Rama, pas mbylljes së mandatit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, u lanҫua si njeriu që do të zbatojë planin e rimëkëmbjes ekonomike të Rilindjes. Por, ai u largua nga qeveria pa bërë as dy vjet si ministër i Financave. Në medie u përfol se përplasja me Canin ndodhi për shkak të PPP-ve, nga ana tjetër, disa folën për mos zbatimin e të ardhurave nga tatimet. Fakt është se një Drejtoreshë Tatimesh e asaj kohe, Briseda Shehaj kishte më pushtet se ministri i saj, i cili nga pesha specifike politike dhe ekspertizës ishte më lart se i gjithë kabineti i Edi Ramës. Me rënien e Shkëlqim Canit, kabineti i “Rilindjes”, nisi një metamorfozë që pati efektin ortek në gjithë kohëzgjatjen e legjislaturës së parë post-Berisha. Nga ky largim më i fituari doli Arben Ahmetaj, i cili mezi priti që të merrte në dorëzim arkën e shtetit shqiptar, duke u ulur në postin e ministrit të Financave, edhe pse formimi i tij linte për të dëshiruar. Ahmetaj kishte mbaruar për Anglisht.

Nikolla, mësuesja që rebeloi studentët

Lindita Nikolla, mësuesja që vinte nga listat fituese të Edi Ramës në minibashkitë e kryeqytetit, u emërua në Arsim si ministre, duke i vënë në krye vulën e reformës në arsimin e lartë, por edhe atë parauniversitar. Reforma, e kryer si një kopje dhe jo si një qasje e studiuar në realitetin shqiptar, e ktheu ministrinë e Arsimit, në një dikaster në luftë me pjesën më të madhe të grupeve të interesit; me universitetet private që mbylli, me studentët, me shoqatat e pedagogëve, me universitetet publike. Por Nikolla, e konsideroi veten jo njeriu që duhet të negociojë me të gjithë palët, por si “një Shkurte Vatë” e ditëve tona, që aksionin nuk e negocionte, por e ҫonte atë në fund, qoftë edhe se i merrte jetën. E ashtu ndodhi, në përplasjen e parë reale që kjo “reformë”,  apo tërësi aktesh solli si pasojë, “viktima e parë”, e cila ishte ministrja e Arsimit. Është ikonike sekëlldia e Lindita Nikollës në emisionin Open në kulmin e revoltave studentore. Kur pedagogu  Edmond Tupja, i tha që më mirë jep dorëheqjen se zbut gjakrat, ministrja u skuq, madje më shumë se kaq e konsideroi si fyerje. E pra, kjo shprehje fytyrës së ministres së transformuar edhe nga aspekti rekuizitës dhe make-up-it është metafora e “Rilindjes”. Revolta e studentëve në fund të vitit 2018 nuk ishte një protestë anti-Linditë, por ajo ishte ministrja e ministrisë ku kishte shpërthyer protesta. Dhe pavarësisht kësaj nuk u largua. Iku vetëm kur e shkarkoi Edi Rama, por asnjëherë nuk mori përsipër të mbronte tezën, se pse qëndroi dhe pse nuk dha dorëheqjen kur duhej.

Kumbaro, ministrja e Kulturës

Mirela Kumbaro, ministrja e Kulturës e ardhur nga shoqëria Civile, sot është deputete e PS-së, por që si ministre nuk arriti asgjë. Madje ajo u kthye në meme, kur donte të ngrinte një fast-food brenda mureve të Parkut të Butrintit.

Ilir Beqaj, ministri i PPP-ve

Ilir Beqaj, hartuesi i programeve të PS-së, u emërua si ministër i Shëndetësisë, i një sektori tepër të kontestuar nga opozita. Ai ishte Ministri i Shëndetësisë që dha disa koncesione si check-up, sterilizimin dhe dializën. Beqaj u anatemua shumë për shkak të kostove dhe barrës që u ka lënë shqiptarëve ndër vite, megjithatë, një pjesë mendojnë se këto PPP-të, ishin një zgjidhje e mirë për shëndetësinë. Po përse e largoi Ilir Beqajn? Kjo mbetet enigmë.

Gjermeni dhe legalizimet

Eglantina Gjermeni u emërua ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me ambicien se do të kryente reformën territoriale, atë të pronësisë dhe natyrisht të turizmit. U largua butë-butë, në shkurt të vitit 2015, duke u zëvendësuar nga Blendi Klosi, pa lënë asnjë gjurmë të dukshme. Një vartës i saj, Artan Lame i “ALUIZNI”-it, asokohe ishte më i famshëm se ministrja, sepse shpërndante live tapi, si Shaban Tapia, ndërkohë Gjermeni nuk dukej kërkund.

“Tërmeti” Damian Gjiknuri

Damian Gjiknuri, aktualisht një person i rëndësishëm politik i PS-së, u kthye në shënjestrën e akuzave të opozitës për korrupsion. Madje shkarkimin e tij e kërkoi edhe KLSH-ja. Gjiknuri iku kur mbi vete mbajti hijen e rëndë e falsifikimit të tenderit të Unazës së Re, ku një kompani fantazmë kandidoi për një tender miliona euro. Gjiknuri iku edhe për shkak të Dosjes 184, për zgjedhjet lokale në Dibër. Përgjimet e “Bild” për zgjedhjet do e nxirrnin me shprehjen e famshme “tërmet, tërmet” për fitoren e zgjedhjeve në bastionin e djathtë.

Kryediplomati i shkarkuar

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, dha përshtypjen se do të  drejtonte diplomacinë shqiptare me profesionalizëm. Por i urdhëruar prej Ramës ai e shkatërroi ligjin për shërbimin e jashtëm, pasi e ktheu në 100% të emërimeve në diplomacy, nga radhët e politikës. As hapjen e Negociatave me BE-në dhe as marrëveshjen kufitare me Greqinë, nuk arriti t’i realizonte. Madje për Bushatin, u fol edhe për relacione para diplomatike, ç’ka e rrudhi kundërshtimin e tij ndaj opozitës.

Milena Harito

Milena Harito u emërua nga Edi Rama si ministër Shteti për Teknologjinë. Ajo doli edhe deputete në një zonë të rëndësishme të Tiranës, si njësia nr 10. Por sot zonja Harito, është një “desparasitos”, pra një e “zhdukur nga qarkullimi”. E sulmuar në Kuvend nga Sali Berisha si “ministrja kushërirë”, ngaqë ishte nga Vunoi, zonja Harito sot nuk është askush edhe fizikisht në panoramën politike shqiptare.

Niko Peleshi, ministër që s’mbahet mend

Numri dy i qeverisë “Rama” në 2013, ishte Niko Peleshi, ish-kreu i bashkisë Korҫë, i akuzuar për  një sërë abuzimesh me qendrën historike të qytetit. Ai mbajti pozicionin e zv/Kryeministrit, ku praktikisht për shumë vite nuk bëri asgjë. Edhe në momentin kur iu dha mundësia për të drejtuar Ministrinë e Bujqësisë, dështoi me procesin e matrikullimit dhe sigurinë ushqimore. Peleshi u zëvendësua nga Blendi Çuҫi, që është sot një nga 2 të vetmit të mbijetuarit nga kabineti i vjetër.

Ricklimi  i “Tigrit” të Rilindjes

Por i “vetmi” ashtu si Coli i Debatikut, që i mbijetoi shqotave që rrënoi “Rilindjen” e 2013-s, është vetëm ai, “Tigri”, Arben Ahmetaj, që është kthyer në njeriun e vërtetë të intrigës politike në PS. Pasi rrëzoi një emër të PS-së e në financa, “Tigri” është realisht njeriu që sfidon Ramën e miklon Metën, fut në sherr ministren e Financave, Denaj me kryeministrin, vetëm për të dhënë të kuptojë se është i fuqishëm. Politikisht “Rilindja” e 2013-ës nuk ka asnjë të mbijetuar, profesionalisht asnjë figurë që prodhoi një reformë. // Shqip