Rexhep Qosja: Pse nuk mund të hesht para shantazheve dhe kërcënimeve të kryeministrit shqiptar

502
Sigal

Flet akademiku shqiptar: Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë. Berisha i shpërbleu ata që qëlluan mbi popullin më 21 Janar

Ka shumë njerëz sot në Shqipëri dhe Kosovë që nuk pajtohen me politikbërjen, me kushtet e jetesës, me mafien zyrtare, me pabesitë sistematike të parlamentarëve, por nuk flasin. Ka të tjerë që pas lodhjeve nëpër mitingje, janë tërhequr në jetën e tyre private, duke mbyllur grilat e dritareve edhe në pranverë. Të dobëtit nuk luftojnë, ata që janë pak më të fortë luftojnë ndofta disa ditë, muaj apo vite. Por idealistët dhe patriotët luftojnë tërë jetën. Megjithëse, neve sot ankohemi për zhdukjen e racës së idealistëve dhe progresistëve, përsëri, njëri prej tyre shpërndan dritë dhe shpresë në të dy anët e kufirit. Duke shërbyer si frymëzim për të gjithë. Ai është Rexhep Qosja, i cili nuk u lodh asnjëherë duke i nxitur bashkëkombësit e vet që të mos dorëzohen përpara ligësisë dhe të të mos humbasin besimin përballë mafies politike. Sepse shprehja e Ali Asllanit që “koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”, vazhdon të tingëllojë po aq aktuale sa 80 vjet më parë. Këtë arsye, zoti Rexhep Qosja thotë: “Mospajtimi im me këtë politikë, ngritja e zërit kundër saj, është jo vetëm çështje e etikës sime intelektuale, por njëkohësisht çështje e përkushtimit tim ndaj Shqipërisë dhe Kosovës – domethënë çështje e atdhetarizmit tim”. Të gjitha këto shënime, Rexhep Qosja i ka bashkuar në librin e tij më të ri, i cili është padyshim, një nga më të mirët që është shkruar për politikën, në këto 23 vitet e pluralizmit politik. Vetë autori i saj, Rexhep Qosja sqaron se: “Në këtë vepër janë përmbledhur shkrime për politikën dhe krijimtarinë letrare e shkencore, për krijues e vetje të tjera, për ngjarje, dukuri e veprime të ndryshme politike në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Për arsye të çështjeve e të temave kaq të ndryshme të trajtuara në këto shkrime nuk e kisha të lehtë për të gjetur titullin me të cilin do të mbulohej domethënia e të gjithave. Dhe, si do të ishte e mundshme të gjendej titulli me të cilin do të mbulohej domethënia e të gjithave, derisa libri fillon me trajtimin e sjelljeve, veprimeve, të bërave të një dhunëtari politik në politikën shqiptare sot dhe përfundon me trajtimin e jetës dhe krijimtarisë letrare e publicistike të një idealisti në jetën kombëtare sot? Prej radhës së titujve, ndër të cilët më përkatësit më dukeshin titujt Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve dhe Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë, më në fund do të përzgjedh të dytin. Frymëzimi për titullin e parë Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve do të më vijë prej të këqijave të shumta e të shumëllojshme në jetën politike e shtetërore, së cilës vulën e tyre ia kanë vënë dhunëtarë, të korruptuar e mashtrues, ndër të cilët janë radhitur edhe ish-idealistë, që tani kanë braktisur çdo idealizëm, ndërsa frymëzimi për titullin e dytë Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë do të më vijë prej veprës programore të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’ësht’ e ç’do të bëhet”? e botuar në vitin 1899, domethënë trembëdhjetë vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët nuk janë më të pushtuar prej Perandorisë Otomane, siç ishin në atë kohën kur do të shkruhej e do të botohej vepra e Sami Frashërit, por, siç po shohim dhe siç po bindemi çdo ditë, në jetën e tyre ende nuk janë arritur vlerat e ëndërruara politike, shoqërore dhe kombëtare të rilindësve të mëdhenj.

Pena e Rexhep Qoses, kambanë

Pena e Rexhep Qoses është një kambanë. Natyrisht për ata që kanë veshë. Por pena e këtij patrioti është edhe një gijotinë që nuk ka mëshirë për krimet dhe për politikanët e pabesë, të cilët i kanë shkelur me këmbë interesat kombëtare. Te kjo penë, njerëzit e thjeshtë kanë varur shpresat dhe besimin e tyre, por njëkohësisht kjo penë është një kërcënim patriotik për ata që grabisin pasurinë kombëtare. Midis të tjerave, Rexhep Qosja shkruan: “Vlerat demokratike – shteti i së drejtës, përgjegjshmëria e zyrtarëve, barazia e dinjiteteve e të tjera, edhe më tej mbesin dëshira të ëndërruara në jetën shqiptare. Për të shkruar gjithë artikujt, sprovat, trajtesat dhe bisedat e pjesës së parë të këtij libri, të titulluar Shteti, uzurpuesit dhe shpërdoruesit e tij, që përbën më tepër se gjysmën e tij, kam  vendosur ditën e vrasjes së katër pjesëmarrësve në protestën e 21 janarit të vitit 2011, në Tiranë, në të vërtetë ditën kur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, jo vetëm se bëri çmos me gënjeshtra e trillime, për të shfajësuar ata që do të shtien vrastarshëm kundër protestuesve, por një numër të tyre i lartësoi me medalje shtetërore dhe i shpërbleu edhe me një rrogë më shumë! Ishte ky njëjtësim provokues për opinionin i kryeministrit të shtetit me vrasësit e shtetasve të tij! Dhe, si të mos njëjtësohej ai me vrasësit? As ministri i Rendit Publik, as oficerët e Gardës së Republikës e as vetë vrasësit nuk do të shtinin kundër protestuesve sikur të mos kishin pajtimin e shqiptuar a të heshtur të njëjtësuesit me ta – të kryeministrit, i cili prej ndërtesës së Kryeministrisë, kohë pas kohe, e shikonte dramën tragjike që po ndodhte para dritareve të tij të kobshme! Jam njëri prej shumë e shumë intelektualëve dhe qytetarëve të tjerë shqiptarë që politikën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë e percepton dhe e përjeton si një politikë dhunuese e shfytyruese, me sharjet, me fyerjet, me shantazhet, me kërcënimet, me mashtrimet dhe me gënjeshtrat e pandalshme të protagonistit të saj. Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, e pandodhur askund tjetër në Ballkan e lëre më në Evropë, e cenon kulturën tonë politike, prandaj nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj e ta dëgjoj i heshtur”, shkruan akademiku Rexhep Qosja.

Shqetësimi i patriotit

Rexhep Qosja nuk mund të jetë i qetë përderisa, në kohën e sotme, interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës po shkelen nga vetë zyrtarët e lartë të këtyre dy vendeve që përbëjnë një komb të përbashkët. Ai vetë shprehet:   “Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, me atë gjuhë dhe me ato mjete të saj, e cenon rëndë idenë time për politikën në përgjithësi, kurse për demokracinë në veçanti, prandaj dhe nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj e ta dëgjoj i heshtur, siç e shikojnë dhe e dëgjojnë mjaft intelektualë të tjerë. Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, pse protagonisti i saj përdor atë gjuhë dhe ato mjete dhunuese, shfytyruese, primitive, i ka përshtrirë dhe i ka përthelluar marramendshëm mosdurimet, konfliktet dhe urrejtjet në jetën kombëtare, prandaj nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj e ta dëgjoj i heshtur. Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, pse protagonisti i saj përdor atë gjuhë kërcënuese e fyese dhe ato mjete dhunuese, primitive e shfytyruese, e ka dobësuar fort bërthamën etike në jetën kombëtare shqiptare sot, prandaj nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj dhe ta dëgjoj i heshtur”. Dhe më tej akademiku vazhdon: “Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, pse protagonisti i saj nuk lë djallëzi, ndotësi, gënjeshtër e mashtrim pa trilluar e pa përdorur në jetën politike shqiptare sot, e ka pakësuar, gati se shuar mospajtimin, qëndresën popullore ndaj saj, prandaj nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj e ta dëgjoj i heshtur. Kjo politikë, pikërisht pse është e tillë, pse protagonisti i saj partinë e ka bërë shtet e shtetin parti, duke e zëvendësuar kështu popullin me partinë, e ka ligjësuar një neodespotizëm politik e shtetëror në Shqipëri, prandaj nuk kam mundur dhe nuk mund ta shikoj e ta dëgjoj i heshtur.

Shantazhet e politikanëve

Kërcënimet dhe shantazhet e politikanëve shpesh herë krijojnë panik dhe frikë tek njerëzit e thjeshtë. Bertold Brehti thotë: “Kur shtohet shtypja shumë njerëz humbasin guximin, por fisnikëve dhe patriotëve u rritet guximi”. I tillë është edhe Rexhep Qosja, i cili në këto rrethana shkruan: “Pikërisht pse kjo politikë është e tillë, pse protagonisti i saj shërbehet me atë gjuhë kërcënuese, shantazhuese, ndotëse e fyese dhe me ato mjete dhunuese, primitive e shfytyruese, përcaktuese të fizionomisë politike, shoqërore dhe shtetërore shqiptare sot janë bërë tejet të shpeshta: gjuha e vulgarizuar politike; trysnitë e shumëllojshme ndaj mediave, blerja e shërbëtorisë së disave prej tyre (siç janë: TVSH, TV Klan, ABC-Nevvs), kurse dhuna kryeministrore ndaj të pavarurave (siç është Top-Channel); korruptimi i tejskajshëm i gjyqësorit; tejkeqësimi i kushteve për krijimtarinë shkencore dhe artistike; kapitalizmi primitiv i shekullit XIX; turbofolk dhe kiç nacionalizmi; shkeljet e shpeshta të Kushtetutës dhe të një vargu ligjesh; mashtrimet dhe keqinformimet e publikut, që në vendet demokratike trajtohen vepër penale; futja e vendit në kaos moral; tradhtimi i interesave kombëtare një kohë në politikën ndaj Çështjes së Kosovës, ndërsa gjithë kohën në politikën ndaj Çështjes Çame; mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë dhe e nënbishtave të titullizuar as kur papërgjegjshmëria e tyre ka karakterin e të bërës penale; keqpërdorimi i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në fushata zgjedhore; ndotja e historisë kombëtare me rehabilitimin e tradhtarëve – të bashkëpunëtorëve të fashizmit italian e të nazizmit gjerman; përbindëshi kleptokratik; vjedhja, grabitja, plaçkitja e pasurisë së përbashkët kombëtare nga ana e oligarkisë politike, çfarë nuk ka ndodhur nën asnjë sundim pushtues në historinë shqiptare; shpërfillja e paparë dhe e padëgjuar e vlerave themelore antropologjike! E të këqija të tjera”! Në fund natyrisht mund të themi shumë fjalë, por mjafton edhe një fjali e vetme për t’i përmbledhur të gjitha: Faleminderit, zoti Rexhep që je midis nesh në këto ditë të vështira për kombin tonë”!