Prof. Dr. Ago NEZHA/Kazani po zien

658
Sigal

Zhvillimet e ditëve të fundit në politikën Shqiptare, treguan dukshëm, se demokracia reale, nuk është dhe nuk mund të jetë e njëjtë me një demokraci ideale. Demokracia elektorale, rrjedh dhe trajtësohet nga ndërveprimi i forcave politike, në mes të idealeve që ato mbartin dhe realiteteve politike që lindin në procesin e përsosjes të koalicioneve, që do realizohen në pragzgjedhjet e 23 Qershorit. Partia Socialiste, me një elektorat të majtë të admirueshëm, deri në xhelozues për të djathtën, ndryshe nga herët e tjera, e mbyllur në një filozofi konservatore elitare, në këto zgjedhje, e ka kuptuar gabimin,  se beteja fitohet duke i rreshtuar të gjitha forcat progresive në një front të përbashkët, për të përmbysur kundërshtarin. Paqartësisht, pakuptimisht, dhe padrejtësisht, politika Shqiptare etiketohet nga shumë pseudopolitikanë, pseudoanalistë, oportunistë të sëmur, se ka një moral të ndryshëm midis të majtës dhe të djathtës. Çarjet, përçarjet, fyerjet, lëvizjet e lavjersëve politikë të deputetëve nga e majta te e djathta dhe anasjelltas, në ekstremet morale, nuk kanë munguar gjatë jetës parlamentare të mbi dy dekadave nën demokraci. Ka ardhur koha që ti jipet fund dhe të korrigjohet prostitucioni politik i deputetëve pa moral, që me e votat e elektoratit të majtë, shkojnë e flirtojnë te e djathta, për të mbajtur në pushtet regjimin e Berishës. Ajo që harrohet dhe që është një politikreale shqiptare, e provuar gjatë periudhës së pluralizmit, është se në Shqipëri nuk u arrit të instalohet një e djathtë potenciale, por luhet me parulla bajate në emër të së djathtës ideale. Po të kujtojmë dhe evokojmë fjalorin banal të liderëve, të djathtë e të majtë, konstatojmë se vokabulari i tyre është pasuruar me zhargone të reja, por jo me përmbajtje që shënojnë progres shoqëror. Jeta politike, në tërë rotacionin e pushteteve që kanë qarkulluar këto  vite, ka provuar se kanë ndryshime esenciale në filozofinë e qeverisjes, midis asaj të ashtuquajtur e djathtë dhe të majtës Shqiptare. (kuptohet që në Shqipëri, nuk ka të djathtë, përderisa Partia “Demokratike” është ekstremisht kundër njohjes së pronës ish pronarëve legjitim.) E majta Shqiptare, ka provuar se është më tepër progresive dhe demokratike në qeverisjen e saj, me anë të meritokracisë dhe gjithëpërfshirjes të forcave politike progresive. Ndërsa e “ djathta”, dukshëm është shpërfaqur, si një kamp i grupuar në godinën që qëndron në këmbë, mbi katër shtylla të fuqishme që janë: “militantizmi, nepotizmi, klientelizmi dhe krahinalizmi”. Parimi i meritokracisë dhe bashkëqeverisjes, është përjashtuar.

E majta, ka qëndruar në opozitë gjatë, për mungesë të moralit të liderëve të saj, që ja kanë dhuruar pushtetin të “djathtës”, për afera korruptive, të kësaj klase politike të degjeneruar. Koston dhe pasojat e privacioneve, i kanë vuajtur dhe po i vuajnë elektorati i majtë, që është hedhur në rrugët e pa punësisë, i shpërfillur nga administrata e pushtetit të pushtimit, të qeverisë Berisha.  Ky refleksion politik i së majtës, duke u grumbulluar në familjen e tyre politike, është një vetëkorrigjim, i atyre aventurave që kanë kryer në kurriz të elektoratit për tetë vjet rresht, pa shfaqur as më të voglin pendim. Mesa duket Rama dhe Meta, e kuptuan, apo i mësuan ta “kuptojnë”, se lufta brenda llojit, është një vetëvrasje gladiatorësh politikë. Grumbullimi i partive dhe partiçkave, që kanë vetëm kryetar pa anëtarë, në vathin e të majtës, ishte një sinjal reflektimi, që Partia Socialiste e bëri publike në opinionin shoqëror. Ardhja e LSI-së, në koalicionin e majtë, natyrshëm ka ngjallur debat për moralin e saj të dobët që manifestoi gjatë zgjedhjeve të kaluara. Por, duhet të harrohet e kaluara, si një ëndërr e keqe, e shëmtuar. Në politikë, nuk ka as dashuri e as armiqësi të përjetshme, por norma e parime, që korrigjojnë e rregullojnë funksionimin e një organizmi politik, vital. Ftesa publike më e freskët, që  bëri Edi Rama, mediatikisht, ishte oferta ndaj Partisë së Aleancës Kuq e Zi, për tu bërë pjesë e koalicionit të frontit, për të rrëzuar pushtetin e pushtimit të Shqiptarëve. Personalisht, këtë ftesë e quaj të motivuar, për vetë faktin, se na bashkojnë idealet e shembjes së pushtetit vrastar të Berishës, që lideri ynë Kreshnik Spahiu, e ka vënë në shënjestër të strategjisë të gjithë luftës politike dhe misionit kombëtar, që ka kjo forcë e re progresive. Edhe protesta e 7 Prillit, ishte një manifestim mbarë kombëtar paqësor,popullor, që kishte në shënjestër rrëzimin e këtij pushteti vrastar, të korruptuar, që u ka zënë frymën Shqiptarëve. Kazani, i koalicionit të majtë po zien dhe është i hapur të pranoi të gjitha ato forca politike me profil kombëtar, që duan ta rilindin Shqipërinë me një fytyrë të re, për një të ardhme të shëndetshme.

Koha do tregoi, se sa afër dhe larg jemi me njëri tjetrin.