Revolta e çamëve ndaj Ramës/Policia procedon krerët e PDIU-së dhe 16 protestues

78

Në një kohë që protestat nuk lejohen, Partia për Drejtësi, Integritet dhe Unitet (PDIU), lajmëroi të hënën në darkë se mëngjesi i së martës do të niste me një tubim. PDIU, shoqata patriotike “Çamëria” dhe organizata të tjera politike, mbajtën një tubim përpara ministrisë së Jashtme për të kundërshtuar pozicionin e qeverisë shqiptare kundrejt asaj greke për çështjen Çame, të drejtat e shqiptarëve në Greqi si dhe marrëveshjes për delitimimin e ujërave detar.

Tensionet nisën që në nisje, ku me mijëra forca të Policisë së Shtetit nuk lejonin që protesta tu zhvillonte pasi do të kalonte eskorta e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi lajmëroi se do ta vazhdonin protestën pavarësisht se kërkesa e tyre për tubim ishte refuzuar për shkak të Covid-19. ”Ne nuk ka forcë që na mban dhe jemi në të gjithë të drejtën tonë që të protestojmë, sepse qeveria shqiptare ka fshehur axhenden shqiptare në krahasim me Greqinë. Sot ka avancuar vetëm axhenda greke”,- tha Idrizi. “Nga kalorës i Çamërisë, na u kthye kal i Trojës së Greqisë”,-akuzoi Idrizi kryeministrin Rama.

Pas disa orësh, Policia gjobiti dhe nisi procedim penal ndaj drejtuesve kryesorë të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda si dhe 16 personave të tjerë, të cilët organizuan dhe zhvilluan tubimin kundër qasjes së qeverisë ndaj vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, Idrizi, Doda dhe Bojken Abazi i qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë, kanë “organizuar pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “nuk u janë bindur urdhrave të policisë”. Policia tha se në zbatim të vendimit të qeverisë për të detyruar mbajtjen e maskës në mjedise të hapura të 18 personat përfshirë dhe zyrtarët e organizatave politike dhe janë gjobitur me nga 3 mijë lekë pasi nuk kishin maska.

”Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 18 shtetas, 3 prej tyre organizatorë të tubimit, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht 3 organizatorët e tubimit Sh. I., M. D., B. A. dhe 15 shtetas të tjerë. Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë i kanë vendosur masat administrative përkatëse (gjobë), shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse. Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat parandaluese anticovid dhe iu bën thirrje të gjitha subjekteve politke të mos organizojnë tubime dhe grumbullime duke shkelur protokollet e sigurisë në dëm të shëndetit të qytetarëve”,- thuhet në njoftimin e plotë të Policisë së Shtetit.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri nëpërmjet një postimi në Facebook lajmëroi se policia ka arrestuar Boiken Abazin, aktivist dhe drejtues të qendrës. Sipas tyre, Abazi është arrestuar në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Qendra e LVV në Shqipëri e konsideroi shoqërimin të porositur dhe tha se Abazin e kishin marrë përpara se të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin. “Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufijve detarë”,- thuhet në deklaratën e tyre.