Refuzoi Kuvendin, kërkohet shkarkimi i Inspektorit të BSH

467
Sigal

TIRANE – Komisioni i Ekonomisë i kërkoi unanimisht Kuvendit  nisjen e procedurave për shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, pas refuzimit të njëpasnjëshëm që kjo e fundit i bëri seancës dëgjimore në këtë Komision në lidhje me përgjegjësitë administrative të saj në vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit. Ashtu si edhe në refuzimin me shkrim të seancës së parë ndaj saj, e cila dështoi ditën e djeshme, zonja Golemi ka zgjedhur t’i kthejë përgjigje Komisionit të Ekonomisë në momentet e fundit. Ndërsa po prezantonte nenet që e “detyrojnë” Inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë t’i përgjigjet Kuvendit si një person që propozohet, emërohet dhe shkarkohet nga Parlamenti, kryetari Brace është njoftuar për mbërritjen e një letre nga ana e zonjës Golemi. “Ka ardhur një letër, tha Braçe, “Inspektori i  Përgjithshëm refuzon të vijë, duke u bazuar në disa prej neneve që në fakt nuk kanë lidhje me Kushtetutën. Ky është absurdi që thotë: Unë nuk vij para komisionit por prap thotë se do i përgjigjem me shkrim. Propozimi është që kryetari i Kuvendit të vë në dijeni Konferencën e Kryetarë për të nisur procedimin me shkakrimin e Inspektorit të BSH-së”, tha Braçe.