Reforma e ujit duhet të jetë sociale, ekonomike dhe financiare. Biznesi dhe 4 sugjerimet për qeverinë

528
Prof. Dr. Arben MALAJ
”Mbrojtja e konsumatorëve është thelbi i punës tonë.
Ne vendosim stimuj që inkurajojnë efikasitetin dhe 
përmirësimet e ofrimit të shërbimit në të mirë të 
konsumatorëve, dhe veprojmë si ndërmjetës në
procedurat e ankesave”
Misioni i Entit Rregullator të Ujit.
Domosdoshmëria për një reformë të thellë për rezervat ujore dhe mirëpërdorimin e tyre nga të gjithë përdoruesit e ujit, po bëhet gjithnjë edhe më kritike. Rezervat ujore janë pjesë e rëndësishme e pasurive natyrore të çdo shteti. Përdorimi me shumë kujdes i burimeve natyrore duhet të jetë përgjegjësi e përditshme e çdo individi, çdo familjeje, çdo biznesi dhe çdo qeverie. Për rëndësinë jetike që kanë burimet ujore në zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike, vendet që preken nga krizat e ujit janë vende pa kohezion social, kanë burime të reduktuara të zhvillimit , aty sundon varfëria dhe për pasojë kanë kriza të shpeshta politike. Për të vendosur një raport sa më të drejtë midis qeverisë, bashkive dhe konsumatorëve, ky treg është i rregulluar dhe për këtë arsye është krijuar Enti Rregullator i Ujit, që ka për mision mbrojtjen e konsumatorëve të ujit nga politikat abuzuese të qeverisë apo ndërmarrjeve të furnizimit me ujë. Mbikëqyrja dhe rregullimi i këtij tregu synon ndaljen e keqpërdorimit të rezervave ujore, por edhe reduktimin e përkeqësimit të qëndrueshmërisë financiare të ujësjellësve, të cilat në çdo 3 deri në 5 vite krijojnë shumë detyrime të prapambetura duke rritur presionet për subvencionim nga buxhetit, pra rritet pjesa e taksave që në vend të përdoret për uljen e deficitit dhe borxhit publik, në vend që të investohen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, keqpërdoren për të mbuluar humbjet e keq menaxhimit ekonomik e financiar të ujësjellësve. Këto ditë qeveria ka prezantuar në publik disa ide/masa për një prej elementeve të reformës së ujit, që është mbledhja më mirë e arkëtimeve të faturave të ujit dhe ndalja e keqpërdorimit të tij. Masat e propozuara nga qeveria janë ligjërisht të detyrueshme të diskutohen dhe harmonizohen me ERRU, sepse entet rregullatorë janë arbitri ligjor midis ndërhyrjeve të qeverive, keqmenaxhimit të ujësjellësve dhe garantimit ndaj konsumatorëve, të cilësisë së lartë dhe kostos së mbikëqyrur të furnizimit me ujë. Lidhur me këto propozime publike disa kolegë heqin paralele me aksionin për mbledhjen e faturave të papaguara të dritave dhe penalizimin me burg të çdo abuzuesi që vidhte energjinë elektrike. Përvoja e rastit të energjisë duhet të shërbejë për të mësuar nga çfarë nuk u bë mirë dhe krijoi kosto sociale tek individët apo familjet me pamundësi reale në mospagimin e faturave. Në vijim të kësaj analize, po ndaj me ju disa mendime lidhur me hapat ligjorë të propozuar për problemet kritike të furnizimit me ujë. I gjithë procesi duhet të jetë një reformë që të mbajë parasysh efektet sociale, ekonomike dhe financiare. Në këtë reformë ka disa aktorë ku përfshihen (i) Qeveria, (ii) Enti Rregullator i Ujit http://www.erru.al/ , (iii) Bashkitë/ ujësjellësit (iv) konsumatorët, individë dhe biznes. 

Më konkretisht, qeveria: 
– Duhet të qartësojë sa më parë listën emërore të individëve dhe familjarëve që janë në pamundësi reale të pagimit të faturës së ujit.

– Në bashkëpunim me ERRU, duhet të kushtëzojë çdo subvencion/pagesë nga taksat, me ristrukturimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve duke kontrolluar imtësisht dhe profesionalisht çdo kosto abuzive të tyre, nga punësimet elektorale, tek shpenzimet e panevojshme.

– Duhet të ristrukturojë bordet e ndërmarrjeve të ujësjellësve, duke vendosur aty ekspertë të menaxhimit, sidomos nga stafet akademike të universiteteve publike dhe private.

– Nëpërmjet autoriteteve audituese duhet të identifikojë të gjitha rastet e abuzimeve me faturimet e padrejta, abuzive dhe korruptive nga regjistruesit përkatës. Kjo duhet bërë gjatë 90 ditëve. Dënimi i abuzuesve rrit kredibilitetin e reformës.

ERRU duhet të identifikojë masat konkrete për ndërmarrjet e ujësjellësve që ndihmojnë një ristrukturim të shpejtë dhe të thellë dhe duhet të konsiderojnë rritjen e tarifës si mundësinë e fundit të përmirësimit të stabilitetit financiar të tyre. ERRU duhet të plotësojë analiza të thelluara ekonomiko-financiare, të qartësojë masat përmirësuese dhe të rekomandojë tek qeveria kushtëzimin e subvencioneve me zbatimin strikt të këtyre masave për çdo ndërmarrje ujësjellësi në vend. Bashkitë dhe ndërmarrjet e ujësjellësve duhet të paraqesin kërkesat e tyre për stabilitetin e qëndrueshmërisë financiare me të njëjtat argumente, ku rritja e tarifës të jetë hapi i fundit. Bashkitë të hartojnë një plan të rishikuar strategjik, të cilin duhet t’ua paraqesin ERRU dhe qeverisë. Është e domosdoshme që individët të vetë përfshihen në hapat e përmirësimit të pagimit të detyrimeve gjatë 90 ditëve të para. Të gjithë ata që kanë pamundësi reale të pagimit të detyrimeve, duhet t’iu drejtohen me shkrim bashkive, sepse ato janë përgjegjëse edhe për zbatimin e politikave sociale ndaj shtresave të varfra, për politikat që financohen nga qeveria. Bizneset duhet të eliminojnë çdo përdorim të paligjshëm të burimeve ujore, nëse ata e vazhdojnë këtë veprim, do të penalizohen njëlloj si për një vepër penale. Qeveria duhet të përfundojë kontrollin për bizneset brenda 45 ditëve të para dhe menjëherë t’ia paraqesë opinionit publik informacion mbi kontrollin e saj për mos shpërdorimin e ujit nga bizneset. Kjo sepse: biznesi është konsumatori i dytë më i madh pas bujqësisë; biznesi i ka mundësitë ta korrigjojë situatën brenda 5 ditëve; dhe, sepse efikasiteti i luftës kundër abuzimeve nga biznesi ndihmon kredibilitetin e reformës së integruar të ujit, ku hapi i parë është ndërprerja e keqpërdorimeve të kësaj pasurie jetike. Duhet vepruar pa vonesë për dy arsye kryesore: në nivel global kriza e ujit pritet të jetë një krizë më e rëndë se ajo e naftës; dhe e dyta, subvencionimi i kompanive të ujësjellësve rrezikohet të jetë i rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Të vepruarit pa vonesë lidhet ngushtë me kujdesin e detyrueshëm social për shtresat e varfra. 
Sigal