Rama: Sot, pas Vetingut, Shqipëria është më e mirë se ç’ishte dje në mëngjes

463
Pasi një natë më parë parlamenti ka miratuar Vetingun, Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se ai ishte një moment historik dhe ditën e sotme, Shqipëria është shumë më mirë sesa dje sepse ky proces historik do të çojë deri në palcë, thikën për pastrimin e sistemit të drejtësisë.

Gjatë një takimi me fermerët e Manzës në Durrës, Rama tha: “Më vjen shumë mirë që jemi këtu sot, një ditë pas një momenti historik, zhbllokimit të Vetingut, që ne luftuam aq shumë dhe natyrisht ia dolëm.

Në këtë vend politika nuk i ka lënë shumë vend vetes për të qenë e besueshme dhe kur qëllimet e mëdha realizohen, se prapë fitojnë muhabetet e konspiracionit, muhabetet e rakisë: “jo po këta u bënë bashkë të falin njeri tjetrin” etj etj.

Vetingu nuk fillonte se PD-ja kishte ikur nga parlamenti dhe mund të fillonte vetëm nëse PD-ja do të vinte dhe do të bënte atë që bëri, sepse kishte bllokuar komisionet me 50% e saj.

Anëtarët e organeve të Vetingut janë verifikuar nga Avokati i Popullit dhe nga ONM-ja. Këta njerëz do të ulen në dy komisionet e Vetingut dhe do të fillojnë pastrimin e shkallëve të drejtësisë nga drejtësia e korruptuar dhe pastaj, edhe politikanët që kanë bërë zullume do të paraqiten para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar.

Njerëzit nuk kanë faj se kanë parë shumë, por ky moment nuk ngjan me asnjë tjetër, është një moment që shumëkush dhe brenda nesh nuk e mendonte.

Reforma në drejtësi ka qenë objektiv që në ditët e para të pluralizmit, të gjitha partitë kanë bërë përpjekje, por çfarë kanë bërë? Arno, shqep, arno, shqep… derisa në fund kostumi nuk dukej më ai që ishte po një tjetër me arna dhe me fije.

Nuk kemi ardhur në fuqi në 2013 për ta rrënuar, për të kaluar krizën e radhës nga një sektor në tjetrin, por për të kuruar dhe shëruar që do të thotë se reforma në drejtësi është operacioni më i rëndë i bërë në trupin e shtetit shqiptar në 27 vitet sepse është operacion që e çon thikën deri në palcë dhe do të pastrojë gjithë metastazat e kancerit në sistem.

Një gjë është e sigurtë: Shqipëria është sot më e mirë se ç’ishte dje në mëngjes dhe ka më shumë shpresë dhe është më dinjitoze përpara ndërkombëtarëve.”
Sigal