Rama: Pjesa e dërmuese e mediave braktisin informimin, janë bërë si parti e “çartur”

406
Sigal

Dalja e tij e fundit në një studio televizive në Kosovë, ka qenë në fokus të diskutimit të kryeministrit Edi Rama në komunikimin javor me ndjekësit e tij në rrjete sociale.

Sipas Ramës, Shqipëria politike dhe mediatike i ka bërë dy dëmë të mëdha Kosovës, duke infektuar edhe atje skenën politike dhe mediatike me fjalorin e akuzave dhe shpifjes.

Rama: “Shqipëria politike dhe mediatike i ka bërë dy dëme të mëdha Kosovës. E ka infektuar politikën dhe Kuvendin e saj me virusin e gjuhës së akuzave ekstreme, ku fjala kriminel thuhet më shpesh sesa fjala zotëri apo zonjë në komunikimin mes palëve. Po ashtu e ka infektuar edhe skenën mediatike të studiove dhe portaleve me virusin e një kulture linçimi me çdo kusht të përfaqësuesve politikë, e cila ushqehet nga motoja: Çdo mjet e justifikon qëllimin. Të dyja bashkë janë pranuar mjerisht si një vijë normale sjellje. Kjo reflekton kulturën e vjetër totalitare për të cilën kundështari medeomos armiku i cili duhet eleminuar dhe e vërteta nuk ka pikë rëndësi. Kjo vijë sjellë është një pasqyrim i prapambetjes shumëplanëshe të faktorëve dhe aktorëve publikë qoftë politik, qoftë mediatik”.

Sipas Kryeministrit, pjesa dërmuese e mediave, analistëve dhe portaleve janë kthyer në parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi, duke u shkëputur teresisht sipas tij nga misioni i informimit të publikut.

Megjithatë lajmi i mirë sipas Ramës, është se raporti i opinionit publik me këtë parti që e ka korruptuar esencën e misionit të medias ka hyrë në një krizë të thellë.

 Rama: “Në përgjithësi rëndom ata që quhen analistë apo opinionistë flasin si politikanë të dështuar që janë plot mllef dhe hakmerren për dështimin e tyre studio më studio, portal më portal. Pjesa e dërmuese e mediave dhe analistëve janë kthyer në parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi dhe as nuk do t’ia dijë hiç fare se çfarë duan prej saj as dhe çfarë mendojnë për të votuesit shqiptarë.

Të gjithë bashkë kanë braktisur detyrën e informimit të publikut. Janë bërë si një parti e çartur që financohet kryesisht me gjoba të paligjshme apo shërbime të padeklaruara ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur lincimin e kundërshtararëve të tyre në politikë apo dhe biznes.Shpifja dhe fakti janë shkrirë në një. Lajmi i mirë është se raporti i opinionit publik me këtë parti që e ka korruptuar esencën e misionit të medias ka hyrë në një krizë të thellë”.