Rama: “Përmbushëm objektivat tona”.

464
Sigal

Dje qeveria “Rama 1” bëri bilancin e 100 ditëve, duke përmendur vetëm suksese, e “harroi” premtimet

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeverisës, prezantuan dje  arritjet në këto 100 ditë të para të qeverisjes, pas fitores së Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në këtë analizë pune 100 ditore të qeverisë, marrën pjesë edhe ambasadorë të rëndësishëm të akredituar në Tiranë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe aleatë të koalicionit qeverisës.

Transparenca, guri i parë i mirëqeverisjes

 Kryeministri Rama theksoi se, në 100 ditët e para të punës është vendosur guri i parë i themelit të mirëqeverisjes.

Qeveria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë

Ne i kemi përmbushur objektivat tona të 100 ditëve. Disa gjëra kanë qenë më të dukshme në sytë e publikut, disa të tjera më pak. Të tjera akoma, njerëzit do t’i prekin vetë, me hyrjen në fuqi të buxhetit 2014, ndërsa shumë të tjera janë pikënisje punësh që do të marrin kohën e tyre. Përgjithësisht, nuk u fol për këto të fundit dhe me të drejtë. Por, e rëndësishme mbetet që sipas nesh, tërësia e rezultateve të punës së 100 ditëve përvijon konturet e një modeli tjetër, e një modeli evropian të mirëqeverisjes. Është padyshim vetëm embrioni i modelit që ne do ta zhvillojmë hap pas hapi, në funksion të programit tonë; në funksion të nevojave prioritare të publikut; në funksion të nxitjes së vazhdueshme të nismave dhe të sipërmarrjeve të reja në çdo fushë, si dhe padyshim në funksion të dinamikës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Triroli dhe arrestimet, janë tregues të transparencës

2 veprat e para të qeverisë së re të Ramës, që janë të prekshme e të kuptueshme nga të gjithë janë tritoli në disa godina, e sidomos në Vlorë, me shkatërrimin e kompleksit “Jon”, por edhe arrestimi i kryetarit të Bashkisë Kamës dhe kallëzimi penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, dhe (ish)ministrit Imami me të njëjtën akuzë: Korrupsion e shpërdorim të detyrës. Këta janë treguesi më i drejtpërdrejtë i asaj që  Kryeministri e cilësoi  transparenca e qeverisë.  “Kushti i parë i mirëqeverisjes është transparenca. Në këto 100 ditë kemi vendosur si duhet gurin e parë të themelit të mirëqeverisjes. Në këto 100 ditë e kemi treguar si duhet me vepra përkushtimin tonë. Jemi të vetëdijshëm që publiku pret më shumë prej nesh. 100 ditë janë shumë pak për të përmbushur të gjitha pritshmëritë. Por pritshmëria e parë, e nevojës për një qeveri të njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit është përmbushur. Ky raportim i sotëm tregoi shumë përmbledhtazi çfarë ka bërë qeveria jonë brenda 100 ditëve, përmbushëm objektivat tona”,- deklaroi Kryeministri Rama. Kryetari i qeverisë deklaroi se raporti publik i 100 ditëve të para të punës, përveç transparencës, synon të nxisë edhe vështrimin kritik të qytetarëve.  “Ne shpresojmë që pas kësaj paraqitjeje të kemi sa më shumë kritika, vërejtje, sugjerime për çfarë mund të ishte bërë më mirë, dhe për çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë në vijim. Besojmë se libri i trashë i gabimeve që kemi trashëguar nga paraardhësit në qeverisë është një ndihmë e paçmuar që ata na kanë dhënë për të punuar duke gabuar më pak dhe për të mos përsëritur gabimet e vjetra”,- u shpreh Kryeministri Rama.  Gjithashtu, Kryeministri evidentoi edhe arritjet, sipas tij më madhoret e 100 ditëve të para, në shëndetësi, arsim, rend, aspektin social, etj..

Mosdhënia e statusit nga forca e individë që i duan të keqen BE-së

Kryeministri Rama, mosmarrjen e statusit kandidat, e fajësoi te disa forca dhe individë të shteteve anëtare të BE-së, që duan mbylljen në vetvete të saj dhe, kësisoj,  të keqen e saj. “Ne thjesht kemi refuzuar të pranojmë në heshtje fyerjet dhe kategorizimet e papranueshme që iu bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në prag të vendimmarrjes, jo nga institucionet e Bashkimit Evropian, as nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian, po nga forca dhe individë që ëndërrojnë hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit Evropian dhe deri edhe daljen nga euroja apo nxjerrjen e vendeve të tyre jashtë BE-së. Kësi forcash, fatkeqësisht po rriten nëpër sondazhe në vendet e tyre dhe zërat e kësisoj individëve është fakt se arrijnë ta ndikojnë për keq edhe fatin në tërësi të politikës evropiane të zgjerimit. Kjo është e vërteta.”

 Zv/kryeministri nuk di as mbiemrin e …ministres së Kulturës

Kabineti i qeverisë “Rama 1” është kaq solid, kanë kaq harmoni kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat me njëri-tjetrin, kaq shumë, sa Niko Peleshi, zv/kryeministër, në prezantimin që i bëri ministres së Kulturës, tha: “Ministrja, Mirela  Harito”. Natyrisht, duke i ngatërruar mbiemrin e saj, me mbiemrin e një ministreje tjetër. Kryeministri Rama, për të shuar keqkuptimet, apo …keqdashjet, në rolin e një zjarrfikësi në dimër, tha: “ Nuk është kiamet i madh, se u ngatërrua pa dashje një mbiemër”. Dhe ne shpresojmë, vërtet, se nuk do të ndodhë, në të ardhmen, ndonjë kiamet, ngaqë zv/kryeministri i qeverisë, nuk u ka mësuar akoma ministrave të tij, mbiemrat…

Basha: “Rama i dha vendit 100 ditët më të zeza”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama për dështim në qeverisjen e vendit, gjatë 100 ditëve të para të punës së ekzekutivit. Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, kreu i PD-së tha se projekti që paraqet qeveria e re është “demokracia në kërcënim, ekonomia drejt rrënimit dhe shqiptarët drejt varfërimit.”. Sipas Bashës, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, Kryeministri Rama ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm, “të rinisë kundër armëve kimike, të ligjit kundër aktit normativ dhe të familjes europiane kundër statusit kandidat”.  “Qeveria nuk mund të thotë dot se çfarë ka bërë por çfarë ka zhbërë. Ekzekutivit i vjen era barut, por nuk ka asgjë të mirë për të shënuar. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq, përveç qeveritarëve, Edi Rama ka goditur në mënyrë fatale shpresën dhe optimizmin tij. Ramës i tha jo rinia para zyrës së tij, Gjykata Kushtetuese dhe Bashkimi Evropian. Ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm, të rinisë, ligjit dhe familjes europiane. Kush e kishte menduar se një kryeministër mund të kishte një bilanc negativ në 100 ditë. Demokracia nën kërcënim, ekonomia drejt rrënimit dhe shqiptarët drejt varfërimit kjo është ajo që projekton qeveria e re. E nisi me shkeljen e konsensusit dhe i mbylli 99 ditët pa bashkëpunim, e nisi me shkelje të ligjit dhe po e mbyll me shkelje të ligjit. E nisi me presione e shantazhe ndajini institucioneve të pavarura, ashtu po e mbyll.”- deklaroi Basha.  Sipas shefit të opozitës, qeveria ka bërë vetëm propagandë në këto 100 ditë. “Ka një gjë që kjo qeveri e ka bërë shumë mirë këto 100 ditë dhe kjo është propaganda, pjesë e të cilës ishte dhe aktiviteti i sotëm”,- deklaroi Basha.