Prof. Servet PËLLUMBI/ Etikokracia, teoria dhe praktika e demokracisë

675
Sigal

Libri i ri “Etikokracia” që po i paraqes lexuesit, ka disa veçori që nisin nga titulli dhe vazhdojnë sidomos me përmbajtjen e tij. Disa prej tyre po përpiqem t’i sqaroj që në parathënien e librit. Tema e rrokur ka në fokusin e vet demokracinë, që krijon përshtypjen se është aq e njohur sa duket, sa nuk ke më ç’të thuash për të. Në të vërtetë, si në nivelin normativ (teorik) ashtu dhe në zhvendosjet e rëndësishme brenda vetë historisë së demokracisë, e parë si histori e emancipimit njerëzor, por sidomos në realizimet praktike, përbën një “fushë pjellore” që josh studiues e politikanë për refleksione, por dhe interesin e qytetarëve që janë protagonistë të pazëvendësueshëm të demokracisë. Nuk e kam për herë të parë lëvrimin e kësaj teme. Nga këndvështrime të ndryshme kam botuar në vitin 2005 librin “Edhe politika do moral”, në të cilin duke u nisur nga përvoja si deputet dhe më pas si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pata mundësinë të vëzhgoj konkretisht lidhjet midis politikës, demokracisë dhe moralit, për të vërtetuar e konkretizuar disa të vërteta të njohura. Së pari, se politika e mbrujtur me normat e njohura të moralit qytetar luan një rol të pazëvendësueshëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe edukimin e qytetarëve aktivë e të përgjegjshëm dhe së dyti, se midis një shoqërie moralisht të shëndoshë dhe një shoqërie demokratike në zhvillim, ekziston një lidhje dhe bashkëveprim reciprok që meriton të vlerësohet si kusht vendimtar për zhvillimin progresiv, si të moralit, ashtu dhe të demokracisë. Kurse në librin “Demokracia dhe Zëri i moralit”, botuar në vitin 2009, objekt studimi është demokracia e re e vendeve ish socialiste, ku përfshihet dhe Shqipëria, që kalojnë një tranzicion politik të vështirë me veçori karakteristike në çdo vend të marrë veças, por dhe që u nënshtrohen ligjësive të përgjithshme e të përbashkëta të demokracisë. Librin, për vetë natyrën e objektit të tij e përshkon mendimi kritik, analiza e përvojave konkrete, sidomos të demokracisë shqiptare që përveç çështjeve të drejtimit të shoqërisë dhe të shtetit synon edhe rivendosjen e drejtpeshimit shpirtëror e moral. Në këtë rrafsh, nënvizohet se politika si kategori politike dhe demokracia si formë qeverisjeje nuk duhet të ndahen nga morali. Duke qenë thellim i tematikës së librit të mëparshëm, qasja filozofike këtu është më e plotë, më preferenciale dhe më e sigurt për të shtruar e mbrojtur tezën: Morali pritet të jetë politikë e së ardhmes, ndryshe apokalipsi bëhet i paevitueshëm!.

Në librin e tretë, Etikokracia, kam synuar që të mbyll ciklin e trajtimit dhe korrektimit nga këndvështrimi moral si të politikës, ashtu dhe të demokracisë. Gjithsesi, pa pretenduar për sinteza të gjera teorike, në këtë botim jam përpjekur që të analizoj, apo dhe të harmonizoj elementë të teorive diverse mbi demokracinë, të traditës dhe bashkëkohores. Kjo qasje, “më dha dorë” që në vijim të hulumtimit tim të ndjek edhe linjën e trajtimit të demokracisë përmes formave të njohura, por dhe jo aq të njohura të saj, si dhe përmes përvojave konkrete, lëvizjeve, aktiviteteve dhe fakteve jetësore për të evidentuar vlerat apo dhe kufizimet, vështirësitë dhe faktorët që e bëjnë demokracinë të jetë deficitare, larg përsosmërisë, qoftë dhe vetëm për faktin se rritet “pesha” e virtuales dhe dialogu midis qeveritarëve dhe qytetarëve, të zgjedhurve dhe zgjedhësve, bëhet kryesisht me ndërmjetësimin e mediave dhe rrjeteve sociale, gjë që zbeh dhe redukton ndjeshëm kontaktet e gjalla midis tyre.

Ndërkohë, vështrimi dialektik i formave të ndryshme të demokracisë në veprim, pra, në procesin e praktikës shoqërore, në bashkëveprim me ndikimin e teknologjisë së komunikimit e të qeverisjes, kur bota globalizohet me shpejtësi, nxjerr në pah nevojën e lëvizjes vendimtare drejt paradigmave të reja të post- demokracisë, drejt demokracisë sociale, socializmit demokratik, humanizmit të ri apo “socializmit etik” dhe Etikokracisë, (nga greq., ethos-sjellje, zakon dhe kratos-sundim, dominim). Në këtë rast, bëhet fjalë për sundim të etikës i kuptuar si një perspektivë teorike, por dhe si sintezë e ligjërimit politik me vlerësimi moral të veprimeve dhe pasojave të sjelljes njerëzore në një botë, ku vepron me gjithë dimensionin e vetë imperativi i formuluar nga Klod Levi Shtraus: Njerëzimi ose do të bashkohet ose nuk do të jetë më. Hapja e një dritareje të tillë nuk do të thotë se mbyllen dritaret e tjera, apo se bien faktorët e tjerë, bie fjala, roli i prodhimit dhe i kapitalit apo i faktorëve bioteknologjikë. Në të vërtetë, në këtë rrafsh i përmbahem idesë se në shoqërinë e informacionit dhe të globalizmit rolin përcaktues e prioritar për ekzistencën e gjinisë njerëzore, fillon ta ketë etika, morali, etikokracia.

Kjo ide, në tërësinë e vet sot për sot “përkthehet” si luftë për më shumë demokraci, që do të thotë: së pari, më shumë kulturë dialogu, bashkëpunimi, gjithpërfshirjeje e garë alternativash të ndryshme në vend të “demokracisë së përplasjeve”; së dyti, emancipim i mëtejshëm institucional që ngushton hapësirat për çdo lloj disfunksioni dhe autoritarizmi që “vrasin” demokracinë; së treti, për rastin tonë edhe rritje e kujdesit për shëndoshjen morale të shoqërisë shqiptare dhe integrimin me dinjitet në një bashkësi shtetesh më të zhvilluar e transnacionale si Bashkimi Europian. Zhvillime të tilla konkrete që mënjanojnë narracionin dhe synojnë “rrokjen” e së ardhmes apo të “modernitetit të zhvilluar”, nuk mund të mos sjellin perceptime të reja ligjore dhe morale apo dhe zhvendosje të rëndësishme brenda vetë teorisë së demokracisë, analizës së të cilave u kushtohet vëmendje e posaçme në këtë libër. Njëherësh, qëllimi im është edhe më konkret: nëpërmjet analizave kritike të ndihmoj sado pak lexuesin që ai të shohë dritëhijet e demokracisë, apo thënë në mënyrë figurative edhe “bodrumet e errëta”

të ndërtesës së “bukur” të demokracisë, përfshi dhe të trajtës më të konsoliduar e bashkëkohore të saj. Çështja e përkryerjes morale që trajtohet si imperativ kategorik i epokës së globalizmit, pra si kusht i qenies së “gjinisë njerëzore”, nuk mbetet në libër në nivele abstrakte, por trajtohet e lidhur ngushtë me luftën për demokraci, e parë edhe si distancim nga “ndotja morale” dhe si rishqyrtim kritik i vetëdijes shoqërore. Për mendimin e autorit, ky proces vepron si një faktor nxitës në kërkim të një modeli konsensual zhvillimi dhe drejtpeshimi shpirtëror, që çështjet normative të demokracisë të paraqiten në trajtën e tyre instrumentale, pra të zbatueshme. Kjo sot ka rëndësi të spikatur praktike, sepse ndodh shpesh që demokracia të mos vlerësohet pikërisht kur ajo kërkon rregulla thelbësore procedurale, institucione të pavarura, rotacione demokratike e transparente, disiplinë, kontroll etj., pa të cilat ajo shndërrohet në retorikë manipuluese.

Qasja filozofike për çështjet e teorisë dhe praktikës së demokracisë, ndjekja në këtë lëmë e vijueshmërisë midis tradicionales dhe modernes, sipas autorit është më e sigurta, prandaj dhe duhet të zërë vendin e vet në procesin e të menduarit dhe në konkurrencën e ideve. Por, e ritheksoj, nuk mungojnë në libër as këndvështrimi i përvojës personale dhe as përjetimet kritike të teorisë dhe praktikave konkrete demokratike. Në qasje të tilla komplekse, kultura demokratike që si çdo gjë ka të bëjë jo vetëm me të sotmen por edhe me të ardhmen, mund të ketë edhe doza subjektivizmi e madje utopizmi, prandaj autori nuk mëton që për problematikën e demokracisë të ketë dhënë përgjigje shteruese apo të vetmen të mundshme. Në të vërtetë, pa absolutizuar asgjë, e rëndësishme është që lexuesi të kuptojë se ka mënyra të ndryshme progresi të demokracisë dhe se nuk ka gjithmonë një përgjigje për të gjitha pyetjet që shtrohen.

Ndërkohë, shpresoj shumë se do të vijë një ditë që edhe demokracia shqiptare, me “ngërçet” politike të vazhdueshme, me ulje-ngjitjet e saj, të fillojë të bazohet edhe në historinë e vetvetes për të legjitimuar rrugën që është duke përshkruar, sepse koha as ndalet e as vonohet rrugës së vet! Të tillë, shpresëdhënës për konsolidimin e demokracisë mund të quajmë 23 Qershorin 2013, kur elektorati shqiptar demonstroi lirisht vullnetin e vetë me pjesëmarrjen e lartë në votime dhe duke votuar me mençuri për ofertën politike më të mirë, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Për autorin e këtij libri një hap i tillë qytetar shërbeu si një stimul më shumë për vlerësimin me realizëm të rrugës së përshkruar prej shqiptarëve që tashmë nuk janë jashtë proceseve botërore të demokracisë, por protagonistë aktivë.

Do të ndihesha me të vërtetë i inkurajuar në se lexuesi do të gjejë në këtë libër-ese, jo vetëm një ftesë, por dhe motive për të përqafuar idetë e Etikokracisë në funksion të përpunimit të mendimit të tij kritik mbi demokracinë dhe raportin e saj me realitetin, me etikën dhe moralin qytetar.