Rama për pushtetin e tij, sakrifikon edhe interesat e Kombit

529
Sigal

 Intervista; Gazmend Oketa,ish-ministër/ Dështimet e qeverisë Rama për integrimin e Shqipërisë në BE erdhën si pasojë e bashkëpunimit me krimin dhe kapjen e institucioneve të pavarura shtetërore. Dosja 339 është një këmbanë alarmi jo vetëm për drejtësinë por edhe për të mbrojtur me ccdo ccmim votën e 25 prillit. Në Durrës, fondet e rindërtimin po përdoren për militantët partiak.

 

 Gazeta Telegraf

Gazmend Oketa, ish -ministër në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se dështimi i tretë rradhazi i qeverisë “Rama” për hapjen e negociatave është pasojë e dështimeve në administrimin e shtetit. Zoti Oketa përmend të gjitha dështimet e reformave të premtuara nga kryeministri Rama, të cilat duhet të jenë edhe arsyet  për të mos votuar më as zotin Rama, as Rilindjen 3D të tij në 25 prill. Zoti Oketa thotë se sot në Durrës punohet për shtrimin e pllakave të shtrenjta nëpër rrugë, ndërkohë që banorët e prekur nga tërmeti, janë lënë në mëshirë të fatit.

Them si qytetar i Durrësit dhe si inxhinier  se fondet e rindërtimit  po keqpërdoren. Banesa të cilat nuk kanë pasur dëmtime, janë klasififkuar si të dëmtuara dhe janë dhënë para të pamerituara

– Zoti Oketa, a mjafton vetëm dështimi i tretë rradhazi i qeverisë “Rama”, për integrimin  në Bashkimin Europian, që elektorati ta dënojë Rilindjen në 25 prill 2021?

– Mendoj se shqiptarët kanë shumë më shumë arsye se kaq, për ta ndëshkuar me votë Z. Rama dhe Rilindjen e cila ka bërë të kundërtën e asaj që një qeverisje normale duhej të bënte. Në vend që t’i rilindte shqiparët, siç premtoi, ajo i ka kthyer ata shumë prapa në vite. Dështimi i qeverisë “Rama” në raport me objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, është pasojë e dështimeve të panumërta në politikën dhe administrimin e shtetit shqiptar. Një pjesë e këtyre dështimeve janë të pasqyruara në raportet e progresit të Këshillit të Europës, pjesa tjetër është e dukshme dhe e prekshme në çdo aspekt të jetës së përditshme të qytetarëve shqiptar. Po rendis fillimisht dështimet në përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE, për hapjen e negociatave. Z. Rama dështoi në përmbushtjen e kushtit më të thjeshtë, atij të realizimit të një reforme zgjedhore konsensuale, reformë e cila nëse do të ishte me konsensus të gjerë do të ishte një garanci më shumë për zgjedhje të lira e të ndershme. Sot, 5 muaj para zgjedhjeve, Shqipërisë i duhet të presë opinionin e Komisionit të Venecias, pasi kjo reformë cilësohet së pari jokushtetuese, dhe së dyti, si një “reformë” e cila prishi marrëveshjen e 5 Qershorit, duke zhvleftësuar  kështu dhe garancinë e dhënë nga ndërkombëtarët. Z. Rama dhe qeveria e tij, ka dështuar në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese si dhe Gjykatës së Lartë, dështime të qëllimshme këto, për t’i mundësuar kryeministrit miratimin nga një kuvend ilegjitim, të shumë ligjeve antikushtetues dhe shumë marrveshjeve korruptive nën termin PPP. Z. Rama ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, duke kaluar në anën e korruptuar dhe duke i dhënë mundësi “korrupsionit” të fitojë “betejën” me buxhetin dhe xhepat e qytetarëve shqiptar. Z. Rama i ka zvogëluar hapësirën fjalës dhe mendimit të lirë, nëpërmjet një ligji të quajtur për median, ligj shumë i kundërshtuar si nga vetë media shqiptare ashtu dhe nga BE. Këto janë dështimet në raport me kushtet e BE-së. Në raport me qytetarët shqiptar, këtyre dështimeve duhet t’u shtohen dhe shumë dështime të tjera. Dështimi më i parë, dështimi në shëndetësi. Mos harrojmë se shqiptarëve ju premtua shëndetësi falas, përkundrazi, iu dha shëndetësia më e shtrenjtë që ata kanë parë ndonjëherë. Z. Rama dhe qeveria e tij, të fiksuar tek PPP dhe tenderat, dështuan në administrimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë. Ju premtua reforma në drejtësi, në fakt ka rreth 5 vjet që vendi është pa gjykata dhe me më shumë padrejtësi. Në vend të 300 mijë vendeve pune të premtuara, rreth 400 mijë shqiptar janë larguar gjatë këtyre 7 viteve qeverisje të z. Rama. Ju premtua luftë kundër krimit, në fakt kanabizimi masiv i Shqipërisë po jep efektet sot në shtimin e kriminalitetit. Ju premtua mirëadministrim i buxhetit të shtetit, në fakt aferat me tendera korruptiv dhe me PPP-të, edhe sot në momentet më të vështira për ekonominë shqiptare, kanë varfëruar akoma më shumë qytetarët dhe kanë çuar borxhin publik në shifra alarmante. Dështimi me pensionistët, duke u talluar me rritjen e pensioneve me një kafe në 7 vjet, si dhe dështimi në arsim, janë besoj më shumë se mjaft, për të mos votuar më as z. Rama, as Rilindjen 3D të tij.

 

Që z. Rama do të tentojë të manipulojë zgjedhjet e 25 Prill 2021 është pothuajse e sigurt, por vota masive kundër z. Rama dhe vota pro opozitës shqiptare do të mundësojë rotacionin politik

– Është rastësi, që deputetë dhe kryebashkiakë të RILINDJES Socialiste dalin me rekorde kriminale?

– Rastësitë zakonisht ndodhin rrallë. Kur ato përsëriten më shumë se dy apo tre herë, nuk mund të quhen më të tilla. Ato fillojnë të quhen rregull. Gjykoj se ky fenomen më së shumti ka të bëjë me mënyrën se si z. Rama dhe Rilindja 3D, e perceptojnë marrjen dhe mbajtjen e pushetit. Kur një politikan, objektiv kryesor ka pushtetin politik dhe ekonomik, pasurimin në kurriz të pasurisë kombëtare, pasurimin me para burimi i të cilave është i paligjshëm, si përshembull paratë nga trafikimi i drograve apo qenieve njerëzore,  duke i krijuar kushte për t’u “pastruar” nëpërmjet PPP-ve, e vetmja aleancë që i mbetet këtij politikani për të bërë, është ajo me njerëz pa shumë skrupuj apo njerëz të cilët janë “aftë” të bëjnë gjithçka. Në gjykimin tim, z. Rama ka dëshmuar shumë herë se për pushtetin e tij, është i gatshëm të sakrifikojë të gjithë shtetin shqiptar dhe interesat e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, prandaj nuk ka se si të jetë rastësi promovimi prej tij i njerëzve me rekorde kriminale, si në jetën politike e aq më shumë në fushën ekonomike.

Ju si e shpjegoni, që  kryeministri Rama, i cili i përzgjedh vetë ata, shumë herë i ka mbrojtur publikisht, nuk mbajti aspak përgjegjësi politike, kur ligji i dekriminalizimit u hoqi të zgjedhurve të tij mandatet?

– Mbajtja e përgjegjësive apo të treguarit i përgjegjshëm, gjykoj se është diçka e cila ka të bëjë me formimin e brendshëm të cilitdo individ dhe se është një proces i cili nuk mund të ndodhë në një ditë të vetme. Njerëzit me respekt për të tjerët, për shoqërinë, ata të cilët para se të ndërmarrin një veprim apo vendim, i bëjnë vetes disa pyetje se si do të ndikojë në jetën e një individi apo të shoqërisë ai vendim, janë ata njerëz që ndjejnë dhe peshën e marrjes së përgjegjësive. Tek ata individë, arroganca e të cilëve vishet me pushtet politik dhe ekonomik, është e kotë të presësh akte të përgjegjshme apo akte të moralshme. Papërgjegjshmëria e tyre shkon deri aty sa besojnë se pavarësisht se kanë bërë gjithçka keq në tetë vite drejtim, kanë nevojë edhe për katër vite të tjera për të treguar se dinë të drejtojnë. E vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund modeleve të tilla është ndëshkimi me votë nga qytetarët. Besoj shumë se me 25 Prill 2021, ky model drejtimi do të marrë fund.

Zoti Oketa, çfarë bëhet në Qarkun e Durrësit për eleminimin e pasojave të tërmetit?

– Fatkeqësisht gjykoj se është bërë shumë pak. Edhe aty ku është ndërhyrë, më shumë është ndërhyrë në fasada, sesa në zgjidhjen siç duhet të problemit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i një viti më parë. Sot në Durrës, më shumë se të punohet për rindërtimin, për rimëkëmbjen morale e financiare të të dëmtuarve dhe familjeve të tyre, punohet në projekte absurde të shtrimit të qytetit me gurë e pllaka të shtrenjta. Punohet e shpenzohen para pa asnjë sens tek projekti skandaloz i quajtur “Veliera” e cila vetëm formën e velës nuk ka, punohet në ngushtimin e rrugëve nga 4 korsi makinash në 2 korsi dhe zgjerime trotuaresh të cilat sapo përfundojnë shndrrohen në kafene në çdo hap që hedh. Nën emrin e një arkitekture moderne, një arkitekture rilindase, qytetit të Durrësit i është fshirë kujtesa historike dhe i është goditur thelbi i ekzistencës, ai i një qyteti për njerëzit. Edhe pa tërmetin e vitit të shkuar, Durrësi, nga pikpamja urbanistike dhe arkitekturore, ishte një qytet i cili lëngonte. Tërmeti jo vetëm që shaktoi pasoja, por nxori më në pah paaftësinë për ta rindërtuar siç duhet këtë qytet.

– Sa të vërteta janë disa denoncime, se qeveria përdor fondet e rindërtimit për njerëzit që votojnë Rilindjen, duke përjashtuar nga ndihma familje që kanë pësuar dëme, por që konsiderohen kundërshtarë politikë?

– Nuk kam aspak dëshirë ta politizoj një çështje të tillë si kjo që ka të bëjë me tërmetin dhe pasojat e shkaktuara prej tij. Le t’ja lemë vetë qytetarëve të denoncojnë raste të tilla. Por ajo që unë mund të them si qytetar i Durrësit dhe si inxhinier, është se këto fonde po keqpërdoren. Po keqperdoren jo në pak raste, kur banesa të cilat nuk kanë pasur dëmtime, janë klasififkuar si të dëmtuara dhe janë dhënë para të pamerituara, ndërkohë që ka objekte apo familje të dëmtuara të cilat ose nuk janë klasifikuar si të tilla ose nuk kanë mundur për shkak të mungesës së informacionit apo edhe për shkak të pandëmisë të dorëzojnë dokumentat e nevojshme për kompensim financiar. Është për të ardhur keq, që projektet për rindërtimin e shkollave, nën pretekstin e urgjencës, janë parë si projekte për përfitime abuzive dhe fryerje kostosh jashtë logjikës normale. Është utopike të shpresosh që një qeveri e cila keqqeveris dhe abuzon në kushte normale, do të mirëqeveris, apo bëhet zemërgjërë në kushte të vështira. Matrapazët zakonisht fitojnë më shumë në kohë lufte. Fatkeqësisht e tillë është dhe qeveria e cila na drejton prej afro 8 vitesh. Nëse kjo qeveri nuk do ishte kështu, as nuk do t’i shkonte ndërmend që në kulmin e krizës për shkak të pandemisë, të merrej me PPP, apo t’i paguante fatura marramendëse inceneratorëve, të cilët kanë lindur nga afera korruptive dhe vazhdojnë të rrënojnë buxhetin e shqiptarëve çdo ditë po në mënyrë korruptive.

Sot në Durrës, më shumë se të punohet për rindërtimin, për rimëkëmbjen morale e financiare të të dëmtuarve dhe familjeve të tyre, punohet në projekte absurde të shtrimit të qytetit me gurë e pllaka të shtrenjta

– Nga videopërgjimet e dosjes 339 të prokurorisë u dëshmua se në fushatën elektorale struktura të krimit të organizuar bashkëpunuan me zyrtarë të lartë për të shantazhuar, blerë, manipuluar, rezultatin Zgjedhor. Drejtësia nuk i dënoi “arkitektët” e krimit elektoral.  Sa mundësi ka që ky fenomen të përsëritet edhe në 25 prill 2021?

– Deri m 25 Prill 2021 ka edhe 5 muaj kohë. Nuk është shumë por nuk është dhe pak kohë në favor të drejtësisë, për të treguar se drejtësia e re është e shkëputur nga ndikimi politik. Për të treguar se drejtësia e re, është në gjendje të kuptojë peshën dhe rëndësinë e çështjeve me impakt pozitiv, nëse zgjidhen shpejt, në shoqërinë shqiptare, dhe me impakt negativ nëse zvarriten apo nuk zgjidhen. Në gjykimin tim, beteja e parë që duhet të fitojë drejtësia e re, është ajo me opinionin publik. Ajo ka nevojë të rikthejë sëpari besimin e qytetarëve tek drejtesia. Dhe që ky besim të rikthehet, duhet që çështjet me ndikim në jetën e përditshme të shqiptarëve të marrin përgjigje. Dosja 339 është një nga ato çështje, të cilat nëse zgjidhen siç duhet, rikthejnë besimin e qytetarëve tek drejtësia e mbi të gjitha dhe tek sistemi i votës së lirë. Nëse çështje me rëndësi të tillë nuk marrin përgjigje dhe zgjidhje, drejtësia e re, do të jetë jo vetëm më e vjetër dhe e padrejtë se ajo e shkuara, por druaj se do të jetë edhe më e korruptuar. Që z. Rama do të tentojë të përsërisë këtë fenomen në zgjedhjet e 25 Prill 2021 është pothuajse e sigurt, por ajo që është më e sigurt se sa kjo, është se vota masive kundër z. Rama dhe vota pro opozitës shqiptare do të mundësojë rotacionin politik. Ajo që është e sigurt është se ky rotacion do t’i jap fund drejtimit arrogant  të shtetit si dhe lidhjeve të botës së krimit me pushtetin politik. 25 Prilli është një ditë të cilën shqiptarët duhet ta shohin si një mundësi për një ekonomi më të mirë për familjet e tyre, por edhe si një mundësi për t’i rikthyer dinjitetin e humbur familjes sonë të madhe, që quhet Shqipëri.

– Faleminderit!