Analiza / Prof.Dr.Kastriot Islami bënë skanerin e 11 çështjeve më të rëndsishme të jetës politike, integrimit, amendamentit me 15 kushte të PE, vendimeve të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin Antishpifje. PE dhe Budenstagu me kushtet e vendosura treguan se me këtë qeveri nuk ka vend në Europë dhe se Rama është kryeministri më i paaftë, më i korrruptuar dhe më antishqiptar në 108 vjet…
Ekskluzive për gazetën “TELEGRAF”
11 çështje në skanerin e Prof.Dr. Kastriot Islami
Intervistoi
Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Situata e rëndë ekonomiko-financiare, por edhe kaosi politik në të cilën është zhytur Shqipëria në 7 vitet e fundit të qeverisjes nga “Rilindja”, janë pjesë e analizës së njërit prej personaliteve më të spikatur të së majtës shqiptare, Prof.Dr.Kastriot Islami. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Prof. Islami, analizon amendamentin e miratuar nga Parlamenti Europian, ( PE) mbi vendosjen e 15 kushteve ndaj qeverisë Rama, si dhe keqraportimet e misioneve të KE-së dhe BE-së, por edhe të disa organizmave të tjera ndërkombëtare me seli në Tiranë. Pse Rama është kundër hapjes së negociatave, qëndrimi ndaj Kosovës dhe a mund të konsiderohen këto qëndrime të Europiano-perëndimorëve si një një izolim për qeverinë e “Rilindjes” dhe kryeministrin Rama.
Qëndrimi i Venecias dhe raporti i para dy ditëve, është goditja përfundimtare që i jepet Ramës, duke i treguar se, drejtësia është e pavaruar dhe se kapja që Rama po kërkon t’i bëjë Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të sapokrijuara të drejtësisë, nuk do të tolerohet. Vendimi i Komisionit të Venecias për Ligjin Antishpifje, mbyllja e të gjitha shtigjeve për vjedhjen e votave dhe nuancat autokratike dhe diktatoriale të shprehura gjatë pandemisë, tregojnë se për Ramën, nuk ka më mandat të tretë. Ja intervista e plotë e Prof.Kastriot Islami, ish-Kryetar i Kuvendit pluralist të Shqipërisë, ish-ministër i Arsimit, Financave dhe Punëve të Jashtme.
PE-ja “GRISI” RAPORTIN E “SHEQEROSUR” TË MOGHERINIT, HAHN E FLECKENSTEIN
Pyetje: Çfarë mendimi keni për qëndrimin e PE-së për vendosjen e 15 kushteve, qeverisë Rama që duhen plotësuar para hapjes së negociatave me BE-në ?
Përgjigje: Ky ishte një vendim i marrë më parë nga Bundestag-u gjerman dhe natyrshëm pritej të merrej edhe nga Parlamenti Europian, sepse shumica e vendeve europiane e kishin mbështetur këtë qëndrim. Gjermanët nuk po nxitoheshin të çonin kushtëzimin e hapjes së negociatave në PE-në, duke pritur që Rama të reflektonte lidhur me implikimin e tij tinzar për ndarjen e Kosovës. PE-ja duket se ka marrë vendimin më të rëndë dhe të paprecedentë, për një vend në prag të hapjes së negociatave. Fatëkeqësisht, ky është një vendim i drejtë e i saktë nisur nga keqeverisja e paprecedentë e qeverisë Rama. 15 kushtet e shpallura janë po ashtu edhe një shuplakë e fortë për qëndrimet e “sheqeresura” të Mogherinit, Hahn dhe Fleckstein, duke e “grisur” raportin e tyre që Rama e tundte kudo si dëshmi të suksesve të paimangjinueshme të qeverisë së tij dhe deklaronte se “jam djali më i mirë i Europës”. Më këtë vendim të PE-së, për fatin tonë të keq, Shqipëria merr vulën si një nga rregjimet tipike oligarkike në BP-në, që përfaqëson interesat e hajdutëve të pasurive kombëtare dhe buxhetit të shtetit dhe që është ngushtësisht i lidhur me kriminelët e trafikantët. Një rregjim antipopullor që i ka lënë shqiptarëve vetëm dy mundësi: ose të emigrojnë ku të munden ose të nënshtrohen në vendin e tyre nga varfëria e papunësia.
Pyetje: Nga shkrimet e “Bild” si dhe nga informacione të tjera, pavarësisht keqraportimeve të misionit të KE-së në Tiranë, situata e rëndë në Shqipëri, njihej shumë mirë më parë. Shtrohet pyetja se çfarë ka ndodhur që gjermanët kërkuan që 15 kushtet e tyre të miratoheshin pikërisht tani nga PE-ja, pra edhe nga eurodeputetët e vendeve anëtare të BE-së?
Përgjigje: Kjo është një pyetje me shumë interes për qytetarët. Përgjigja e shpejtë është se Rama e mbushi kupën, madje e derdhi… Kjo do të thotë se Rama jo vetëm ka ngritur një rregjim të interesave korruptive të një grushti njerëzish, të lidhur me krimin e trafiqet, por më së fundmi po perceptohet edhe si drejtuesi i një rregjimi të rrezikshëm antishqiptar, sepse në bashkëpunim të ngushtë e të fshehtë me disa aktorë të tjerë, ka punuar edhe kundër interesave të Kosovës e shqiptarëve në rajon dhe për rrjedhojë, edhe për destabilitetin e rajonit, e më gjërë duke i ngulur thikën pas shpine Gjermanisë, që prej kohësh ka qënë e angazhuar seriozisht për sigurinë dhe stabiltetin e rajonit të Ballkanit.
PE-ja: RAMA ANTIEUROPIAN KUNDËR HAPJES SË NEGOCIATAVE
Pyetje: Vetëm për kaq…? Si shpjegohet që edhe disa të majtë europianë, partnerë të Ramës votuan pro 15 kushteve?
Përgjigje: Kjo që ka bërë Rama, është shumë e rëndë dhe ndonëse kjo do të mjaftonte për t’i hequr vijën, por kjo nuk është e vetmja marrëzi e tij. Rregjimi i hajdutëve të Tiranës, i ndërtuar nga Rama pas 2013, është edhe një rregjim antieuropian dhe këtë gjë nuk mundet ta paranojnë të djathtët, por kanë filluar ta kuptojnë edhe ata të majtë të ndershëm e demokratë, që bëjnë dallimin mes PS-së si anëtare e së majtës europiane, dhe qeverisë së korruptuar e të inkriminuar të Ramës. Për më tepër, të majtë e të djathtë të PE-së, kanë kuptuar tashmë, se Rama, e urren integrimin në BE-në dhe veçanërisht hapjen e procesit të integrimit, sepse e ka të qartë, se ky proces do të ishte një “darë” e fortë kontrolli për qeverinë e tij të korruptuar e të inkriminuar ndërkohë që Rama mendon të vjedhë e të pasurohet pa pasur mundësi që ta shtërngojnë apo kontrollojnë shqiptarët apo europianët. Dhe këtë e kanë kuptuar tani të gjithë eurodeputetët. Pra shkurt, mund të thuhet, se tani është e qartë në të gjithë Europën, se Rama është jo vetëm i korruptuar e inkriminuar, por edhe antieuropian e destabilizues i rajonit. Kjo e ka tronditur shumicën e eurodeputetëve, të djathtë e të majtë!
PE-ja: RAMA ANTISHQIPTAR E ANTIKOMBËTAR
Pyetje: A mjafton që PE-ja të shqetësohet kaq shumë, vetëm se Rama është kundër hapjes së negociatave? Mos ka diçka tjetër më të rëndësishme për ta, që gjermanët dhe eurodeputetët kanë marrë një vendim kaq të forte, që ndodh për të herë të parë e ndoshta të fundit në PE?
Përgjigje: Mendoj se po. Rama, me lojrat e tij tinzare e të fshehta, së bashku me dy drejtues të tjerë të korruptuar e autoritarë të vendeve të rajonit, dhe duke siguruar mbështetjen e disa këshilltarëve e lobistëve, të paguar majmërisht me paratë e kultivimit të kanabisit e të trafiqeve të drogës, dhe thjesht e vetëm për interesa të forcimit të pushtetit të tij personal, ka tentuar t’i verë flakën Ballkanit, duke menduar me mendjelehtësi, se mund të luajë në hapësirën mes superfuqive, gjë që natyrisht ka shqetësuar në ekstrem Gjermaninë, vendin lokomotivë të integrimit europian për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe për të gjithë rajonin. Këto të gjitha i dinte shumë mirë Bundestag-u gjerman prej kohësh, dhe ia ka dhënë këto mesazhe Ramës fillimisht konfidencialisht, dhe po prisnin që Rama të hiqte dorë e tërhiqej, por meqë Rama, me dy personazhet e tjerë, po vazhdonin edhe gjatë këtyre ditëve lojrat e tyre tinzare, Bundestag-u vendosi që këto fakte, t’ia bënte me dije edhe eurodeputetëve të të gjithë vendeve të BE-së duke i kthyer në kushte të forta për hapjen e negociatave.
PE-ja: S’DO TË KETË NEGOCIATA ME RAMËN KRYEMINISTËR
Pyetje: Pas vendosjes së kushteve nga PE-ja dhe detyrave të vendosura nga Bundestag-u gjerman, Europa duket se e ka rrethuar Ramën, dhe pret dorëzimin e tij pa kushte? Janë këto kushte për Ramën, apo për shqiptarët?
Përgjigje: Vendosja e 15 kushteve nga PE-ja, pas detyrave të vendosura nga Bundestag-u gjerman, është më së pari, “izolim” i Ramavirusit dhe karantim i qeverisjes së tij të rrezikshme. Por edhe mesazh direkt dhe i fortë për të gjithë shqiptarët. Përderisa Rama është kundër hapjes së negociatave, dhe këtë gjë, europianët e kanë tashmë të qartë, ju janë drejtuar shqiptarëve me “politesë europiane”, duke iu thënë se “s’do të ketë negociata me Ramën kryeministër…”. Që ndryshe, do të thotë se negociatat do të hapen, vetëm pasi shqiptarët të largojnë Ramën nga drejtimi i vendit. Sepse tanimë, duket se europianët janë bindur, po ashtu si edhe shqiptarët, se Rama është kryeministri më i korruptuar, më i inkriminuar, më i paaftë, pra më i dobëti dhe më i diskretituari në këto 108 -vjetët e fundit në historinë e Shqipërisë, por edhe më antishqiptari e më antikombëtari, si dhe më antieuropiani.
PE-ja: RAMA KUNDËR KOSOVËS I NGUL THIKËN PAS SHPINE GJERMANISË
Pyetje: Lidhur me çështjen e Kosovës, dje ka pasur një lajm shumë të rëndësishëm, se SHBA-ja nuk ka qenë asnjëherë në favor të ndryshimit të kufijve, ide që është lënë të kuptohet, ishte bashkërenduar mes Ramës e drejtuesve në Kosovë e Serbi? Madje, nga analiza të ndryshme, është arritur në përfundimin se kjo lojë e Ramës, Vuçiç e Thaçit, kanë qenë të mirëkuptuara edhe nga Bolton?
Përgjigje: Të premten e javës që kaloi u sqarua, se pas projektit për ndarjen e Kosovës, nuk qëndron Shtëpia e Bardhë, por ish-këshilltari i Sigurisë, John Bolton, i shprehur qartas më parë kundër pavarësisë së Kosovës. Momentalisht ky duket një lajm relaksues, por duhet pasur shumë kujdes e mbajtur sytë hapur, se autorët e kësaj skeme, po punojnë tinëzisht, me projekte të fshehta e të sofistikuara, vetëm e vetëm për të arritur synimet e tyre. Nga ana tjetër, lajmi i largimit të Bolton nga Shtëpia e Bardhë dhe sqarimi i saj se SHBA-ja, nuk ka qenë asnjëherë në favor të ndarjes së Kosovës, kanë ndihmuar po ashtu, të kuptohet e shprehet publikisht, implikimi i Ramës në skemën për ndarjen e Kosovës pas së cilës, duket se fshihet plani për krijimin e Serbisë së Madhe. Më konkretisht, të gjithë e kujtojnë se si Edi Rama u mburr në Kuvend, se priste të bënte një telefonatë me Bolton, të cilën e shiti si një mbështetje personale politike nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se telefonata shkoi shumë mirë, kurse homologu kosovar i asaj kohe, Ramush Haradinaj pati një telefonatë të tensionuar me Bolton. Mediet e huaja dhe kosovare e kanë akuzuar Ramën, se ka përkrahur idenë e ndarjes së Kosovës dhe të krijimit të Serbisë së Madhe. Bazuar në këto fakte e analiza, tashmë është e qartë për të gjithë shqiptarët, se kryeministri i Shqipërisë do të mbetet, siç e cilësova më lart, si më antishqiptari dhe më antikombëtari, si drejtues i qeverisë shqiptare, që tentoi të kryente ndarjen e Kosovës dhe me këtë rrezikoi edhe sigurinë e rajonit. Pra si kryeministri që tinëzisht tentoi të hidhte në erë pavarësinë e Kosovës, e të copëtonte trupin e saj, thjesht për interesat e pushtetit të tij personal, duke i vënë kështu, flakën rajonit dhe duke i ngulur thikën pas shpine Gjermanisë.
“VENECIA”: PRO METËS PËR GJYKATËN KUSHTETUESE
Pyetje: Venecia për të disatën herë u tregoi deputetëve dhe komisionit të ligjeve se si duhet lexuar Kushtetuta e Republikës. Dhe se ligji duhet të prevalojë mbi urdhërat politikë të Ramës. Cili është vlerësimi juaj?
Përgjigje: Sërish Komisioni i Venecias i dha një goditje të fortë Ramës, në përplasjen me Presidentin Meta për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Goditi rëndë procesin hileqar të seleksionimit dhe imponimit të kandidaturave për në GjK-se nga KED-ja, organ i kontrolluar nga Rama. Ndonëse Presidenti, në mbrojtje të Kushtetutës dhe kompetencave të veta, veproi me inteligjencë ligjore dhe e shmangu planin tinzar të Ramës, ky i fundit nuk hoqi dorë, duke kryer me marionetat e tij dhe opozitarët fasadë, ndryshimet ligjore në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, përfshirë bërjen e betimit tek “bregu i Lanës” në rast se kjo nuk ndodhte tek Presidenti. Por Komisioni i Venecias, i dha të drejtë Presidentit në interpretimet e tij, të cilat deputetët socialistë nën urdhërin politik të Ramës, kishin ngritur një komision hetimor qesharak të drejtuar nga një bufon prej letre, për shkarkimin e Presidentit, me argumentin fals, se veprimet e Presidentit ishin në shkeljen e Kushtetutës. Ekspertët e Venecias, kanë hedhur poshtë qartazi, propozimin e shumicës për të shmangur me ligj betimin e anëtarit të Gjykatës, vetëm para presidentit, në rast se ky i fundit refuzon ta bëjë këtë. Kjo përgjigje e Venecias, është edhe një shuplakë tjetër e fortë e ndërkombëtarëve për Ramën, që për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuse, prej kohësh e ka paralizuar veprimin e saj, dhe së fundmi kërkon ta vendosë nën kontroll GJK-se, duke emëruar në dhunim të Kushtetutës, individë që janë nën kontrollin e tij, dhe që betohen para tij tek “lana”…Ky vendim ishte një mesazh reflektimi edhe për institucionet e tjera të drejtësisë të cilat mesa duket Venecia i ka “stigmatizuar” si “shkaktare të një incidenti të rëndë procedurial…” në dhunim të Kushtetutës…
“VENECIA”: KUNDËR LIGJIT TË RAMËS PËR TË KONTROLLUAR PORTALET DHE INTERNETIN
Pyetje: Venecia gjithashtu rekomandoi gjithashtu se ligji antishpifje bie në kundërshtim me të drejtat e liritë për informim dhe se qeveria këtë ligj mund ta përdorë për të goditur mediet përmes gjobave të larta..
Përgjigje: Ky është një nga rastet më skandaloze që fshikullon Ramën në sytë e ndërkombëtarëve, por na turpëron edhe ne të gjithëve në sytë e botës, por nuk duhet të mërzitemi, se nga dy të këqiat, jemi të detyruar të zgjedhim atë më voglën, -diskretitimin e Ramës në sytë e të gjithë europianëve. Kryeministri grabitqar kishte hartuar me dorën e tij të zhgarravitjeve dhe mendjen e tij prej injoranti disa amendime në ligjin per mediet, amendime që kërcënonin lirinë e tyre për informim. Nën kërcënim të veçantë ishin mediet elektronike që kane lindur së fundmi, “balli i kazanit” siç i quan “gebelsiani i Surrelit”, sepse një pjesë e tyre janë jashtë diktatit të tij dhe në opozitë të fortë me rregjimin e ngritur prej tij. Amendimet s’u dekretuan nga Presidenti e u kthyen mbrapsht si antikushtetuese. Kaq të mbrapshta ishin këto amendime, sa detyruan vetë Këshillin e Europës t’i drejtohej “Venecias” kundër Qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë, – ngjarje kjo tepër e rrallë dhe shumë e rëndë për një vend anëtar të NATO-s dhe që pretendon të hapë negociatat me BE-në. Por shuplaka e “Venecias” për Ramën, ishte fatale. Mund të thuhet pa frikë se Komisioni i Venecias duke vulosur rrëzimin e Paketës Antishpifje, të Edi Ramës, e ka stigmatizuar kryeminstrin e Shqipërisë, si një anëtar të denjë të grupit të drejtuesve autoritarë të botës, që janë kundër medies së lirë e internetit dhe që sillen si armiq të rrjeteve sociale e portaleve. Komisioni i Venecias më konkretisht ka deklaruar se “Ligji vuan nga paqartësi dhe rrezikon të shtypë në mënyrë të ngurtë diskutimin e lirë dhe shprehjen politike përmes internetit në Shqipëri”. Kjo nismë e Ramës që zotëron si asnjë tjetër drejtues në botë një televizion me emrin e tij ERTV, kishte alarmuar Europën e SHBA dhe kishte revoltuar të gjithë shqiptarët. Kjo ishte një goditje tjetër e fortë për Ramën si armik të medies së lirë dhe dhunues i të drejtës për informim, duke i dhënë të drejtë Presidentit për qëndrimin korrekt në mbrojtje të Kushtetutës e të lirisë së medies.
“S’KA MANDAT TË TRETË PËR RAMËN”
Pyetje: A ka shanse Rama për një mandat të tretë duke parë të gjithë përpëlitjet që po bën për të hedhur në erë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore të arritur në rezidencën e ambasadores amerikane?
Përgjigje: Nga analizat e keqqeverisjes së vendit, të krizës shumëpërmasore ku gjendet vendi dhe të shuplakave të fundit që ka marrë Rilindja e Rama nga ndërkombëtarët, gjykoj se “nëse opozita aktuale qëndron e bashkuar dhe zgjeron aleancën e saj opozitare me partitë të tjera e figura intelektuale të deklaruara publikisht kundër këtij rregjimi, atëhere mazhoranca aktuale, për shkak të urrejtjes mbarëpopullore, nuk asnjë shans për një mandat të tretë…” madje nëse zgjedhjet do të ishin minimalisht të rregullta, humbja e saj do të ishte shumë e madhe për të mos thënë dërmuese.
OPOZITA DUHET TË PËRQËNDROJË FORCAT KUNDËR BLERJES SË VOTËS
Pyetje: Së fundmi, çfarë roli do të kishte sistemi zgjedhor në shmangien e blerjes së votes, apo të kërcënimit të votuesve, që janë cilësuar nga OSBE/ODHIR-i edhe si dy problemet më shqetësuese të zgjedhjeve të fundit?
Përgjigje: Mendoj se kjo është “thembra e Akilit” për të shpëtuar nga kurthi ku Rama ka futur Reformën Zgjedhore dhe po tenton të fusë përsëri edhe zgjedhjet. Debati për sistemin dhe gjithçka tjetër, janë të rëndësishëm, por pasi t’i jepet përgjigje në mënyrë prioritare kesaj çështjeje. Sepse, në 30- vitet e fundit në Shqipëri janë përdorur të gjithë llojet e sistemeve zgjedhore, mazhoritar, proporcional dhe i përzier. Po ashtu aktualisht, për zgjedhjet parlamentare përdoret sistemi propocional rajonal kurse për zgjedhjet e kryetarëve të bashkive sistemi mazhoritar dhe për zgjedhjet e këshillave bashkiake sistemi proporcional me një “zonë zgjedhore”, pra i ngjashëm me atë proprocional kombëtar. Nga një analizë e thelluar rezulton, se asnjë lloj “sistemi zgjedhor” nuk mundet të “korrektojë” tre probleme madhore që cilësohen në raportet e fundit të OSBE/ODHIR-it: i) mungesën e vullnetit për të zbatuar kodin zgjedhor që përbën një bazë të mirë ligjore për zgjedhje të lira e të ndershme; ii) blerjen e votave dhe iii) kërcënimin e votuesve.
RAMA – TË NDËSHKOHET PËR KEQMENAXHIMIN E KRIZËS COVID DHE PASOJAT E SAJ
Pyetje: A do të ketë hetim për të parë transprencën e menaxhimit, e veçanërisht për të njohur pasojat e metodave shtrënguese të Ramës. Përse ekipi i ekspertëve u zëvendësua nga militantët dhe krushqit e qeverisë?
Përgjigje: Nuk di çfarë të thuash më parë për këtë temë… se është një nga më të rëndat dhe pasojat e saj, qyetarët do t’i kenë mbi kurriz për shumë kohë. Duhet patur parasysh se “një qeveri e dështuar në periudhë të qetë, me siguri do të jetë katastrofike në periudhë emergjence”. Kjo ndodhi në Shqipëri me menaxhimin e krizës sanitare nga Rama. Menaxhimi i kësaj pandemie ishte si në asnjë vend tjetër europian demokratik, tërësisht individual e i përqëndruar në një dorë të vetme, aprofesional e me symbyllur, i fshehtë e sekret, antiligjor e antikushtetues, antipopullor e antidemokratik, e deri ofendues e arrogant. Edi Rama kontrollonte e manipulonte gjithçka, deri stastistikat e kësaj pandemie. Shifrat parafabrikoheshin prej tij, apo prezantohen vetëm me lejen e tij. U pretendua se ishte ngritur një komitet ekspertësh, që për një kohë të gjatë s’i njihte askush dhe pasi e shpalli, qytetarët mësuan të vërtetën, që ju e përshkruani shumë saktë. Më e rënda lidhet me faktin se Edi Rama, duke e cilësuar menaxhimin e kësaj pandemie si një “luftë kundër një armiku të padukshëm”, u përpoq t’ju impononte shqiptarëve masa të rrepta izolimi, përmes urdhërave autoritare e arrogante, dhe të aplikonte masa drastike, veprime policore e penalitete, duke dhunuar rëndë të drejtat themelore, me një qëllim të vetëm, forcimin e pushtetit të tij personal. Edi Rama, sa herë qytetarët shpërfillnin urdhërat e tij arrogantë e absurd, fillonte llogorenë e tij tipike të shoqëruar me xheste trupore, duke ofenduar, sulmuar e akuzuar opozitën, pa përjashtuar edhe ndonjë rast, kur vlerësonte se shanset e dështimit ishin të larta, t’i drejtonte opozitës thirrje hipokritike, lajkatare e dhelpërake bashkëpunimi, me qëllimin e vetëm, implikimin e saj në dështimet e tij. Gjatë kohës së izolimit, Rama vazhdoi të vidhte si hajdut me çizme, duke kryer tendera korruptivë klienteliste e sekretë, deri edhe për blerjen e maskave e të paisjeve të tjera mbrojtëse për personelin mjeksor. Pothuajse kudo në botën demokratike kanë filluar të ngrihen komisione parlamentare, për të hetuar pasojat e masave esktreme për mbylljen e popullsisë, veçanërisht pasojat në ekonomi që parashikohet të futet në një krizë të thellë, që do të kërkonte shumë vite të ringrihe. Nuk kanë munguar edhe rastet e veçanta të ngritjes së akuzuave kur për shkak të paaftësisë së qeverisë apo të papërgjegjshmërisë së saj kanë ndodhur ngjarje të rënda… deri edhe vdekje të evitueshme.
QËNDRIMI SKANDALOZ DHE I TURPSHËM I RAMËS NDAJ VËLLEZËRVE BUDINA
Pyetje: A duhet të ketë hetim për rastin e vëllezërve Budina?
Përgjigje: Qëndrimi i Ramës ndaj vëllezërve Budina, është skandaloz dhe i turpshëm, por jo vetëm kaq… Për këtë rast Rama, duhet hetuar dhe duhet ndëshkuar ashpërsisht. Në cilindo vend tjetër, me një demokraci minimale dhe gjyqësor minimalisht të pavarur, sjellja e Ramës, do të ishte marrë në dorë nga prokuroria dhe me siguri do të ndëshkohej. Pra, është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme penalisht që kryeministri i vendit nxjerr dufin e tij të vjetër 22 -vjeçar kundër dy kundërshtarëve, që vetëm me fjalë e angazhim mbrojtën shembjen e TK-së nga sjelljet e pashembullta autoritare të një individi të sëmurë, që ishte betuar para 22- vjetësh për ta shembur TK-në dhe e shembi turpërisht, si tinzar në mes të natës. Ky është një rast që opozita nuk duhet ta harrojë dhe në momentin e përshtatshëm, ajo duhet të insistojë duke e dërguar këtë dosje në prokurori për ndëshkimin e kësaj “monstre” të rrezikshme, që mund të dhunojë këdo dhe me çdo mjet. Ky rast duhet ndëshkuar me çdo kusht në mënyrë që kushdo që merr një detyrë të rëndësishme qeveritare, të ketë parasysh, se nëse kryen veprime antiligjore, skandaloze e të turpshme, do të gjykohet e ndëshkohet një ditë, sado e largët qoftë ajo. /Telegraf.al