Rama: “Jo sfidë me Ilir Metën, por për të fituar në 2013-n”

464
Sigal

Gara për kreun e LSI-së, Luan Rama përballë Ilir Metës. Sot nis fushata

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama do të përballet me kreun aktual të LSI-së, Ilir Meta, në zgjedhjet për kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i Komitetit Organizativ të LSI-së, Petrit Vasili bëri të ditur se, përveç kandidaturës së Metës, Komiteti ka pranuar edhe kandidaturën e Luan Ramës, ndërkohë që, fushata konsiderohet e hapur që prej ditës së premte. “Komiteti organizator u njoh dhe miratoi kandidaturën e Luan Ramës, sekretar i LSI-së për të marrë pjesë në garën për kreun e LSI. Besoj që në mënyrë përfundimtare konfirmohet tashmë që kandidaturat zyrtare në garë për kreun e LSI janë Ilir Meta dhe Luan Rama. Komiteti i ka miratuar dhe gara për kreun e LSI dhe fushata konsiderohet e hapur që nesër”- u shpreh Vasili në një konferencë për shtyp. Ndërkohë, nga ana e tij, Luan Rama shpjegoi përpara gazetarëve arsyet që e shtynë të kandidonte për postin e kreut të LSI-së. Rama theksoi se, gara nuk është personale me Ilir Metën, por sfidë për të fituar në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s. “Vendimi për të kandiduar është produkt i një reflektimi të gjatë dhe të detajuar që lidhet me zhvillimet brenda LSI. Vendosa të kandidoj për të ofruar një platformë shumë më realiste, më kompetitive dhe që realisht nëse do të jetë platforma fituese, do të bëjë të mundur që LSI të rrisë peshën dhe rolin në jetën politike të vendit. Sfida ime nuk është me Ilir Metën, por sfida ime është për të fituar në 2013-ën. Nuk e kthej në një garë personale, pasi interesi im është interesi i së nesërmes së LSI-së”,- u shpreh Rama.