Rama: Financojmë arsimin profesional, tregu do zanatçinj

20
Sigal

Të martën në Tiranë nisi punime konferenca kombëtare për arsimin dhe formimin profesional (AFP) 2024 që titullohet “Aftësi për Pjesëmarrje në Tregun e Punës dhe Profesionet e së Ardhmes”. Konferenca ka si qëllim eksplorimin e mënyrave se si sistemi i AFP-së mund të kontribuojë në agjendën për zhvillimin e kapitalit njerëzor. Eventi do të zgjasë dy ditë dhe në të ka shumë folës të ndryshëm ku mes tyre, të martën ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai tha se nevojitet një dialog me sipërmarrjen për nevojën e formimit profesional të të rinjve. “Në këto kushte, është mundësia për të ndërtuar një dialog të strukturuar me sipërmarrjen, posaçërisht me biznesin e madh për nevojën e kontributit të drejtpërdrejtë të kompanive në rritjen e kapaciteteve të shtetit, të vendit, për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë e nevojshme për tregun, në mënyrë që tregu të mos krijojë vende të lira pune, të cilat mbeten bosh, jo më për shkak të kapaciteteve paguese të sipërmarrjes, por për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuara”, -tha Rama. Po ashtu kreu i qeverisë shtoi se tregu në Shqipëri ka shumë nevojë për zanatçinj ndërsa bëri një apel nga podiumi ku mbajnte fjalën me kërkësen se Shqipëria duhet që të vlerësojë kapitalin njerëzor. “Tregu ka nevojë për zanatçinj, që tregu të mos jetë me vende të lira pune, që ngelen bosh. Ngelen bosh për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuara e jo nga mospagesa nga sipërmarrësit. Industria e turizmit po rritet me shpejtësi tepër të madhe. Duhet të vlerësojmë kapitalin njerëzor. Nuk kemi mungesë njerëzish, por kualifikimesh. Mali i Zi ka pasur diferencë pagash me vendet e tjera të rajonit, diferenca është më e vogël tani, por sërish është e konsiderueshme. Kjo ndodh, sepse Mali i Zi ka arritur të krijojë një industri të turizmit me reputacion të mirënjohur në botë. Shqipëria i ka të gjitha shanset që të zhvillojë akoma më shumë turizmin”, tha mes të tjerash Kryeministri Rama.