Idrizi: PDIU forcë e katërt, rritje 35% të votave, fitore në tre nga tre bashki

473
Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, u shpreh sot në një deklaratë për mediat se PDIU rezulton forcë e katërt në zgjedhjet e 21 qershorit, duke pasur një rritje me 35% të votave. Më tej Idrizi ka përgëzuar edhe përgëzuar tre kryetarët e rinj të bashkive në Peqin, Konispol dhe Rrogozhinë të propozuar nga PDIU, ndërsa ka falënderuar çdo qytetar shqiptar që kanë votuar pasi me votën e tyre janë bërë bashkautorë të një Shqipërie që aspiratën Europiane, e ka shndërruar në veprim konkret.
“Qytetarët shqiptarë masivisht zgjodhën ta shprehin vullnetin e tyre lirisht dhe nëpërmjet vullnetit të tyre, t’i japin Shqipërisë mundësinë për të hyrë në një etapë të re historike me një qeverisje të re vendore bazuar në reformën e re territoriale. Falenderojmë çdo qytetar shqiptar, ata që kanë votuar për koalicionin tonë ose jo, ata që kanë votuar për PDIU ose jo, sepse ata me votën e tyre janë bërë bashkautorë të një Shqipërie që aspiratën Europiane, e ka shndërruar në veprim konkret. Sigurisht, falënderojmë edhe të gjithë votuesit e PDIU, sepse me votën e tyre kanë dëshmuar se aksioni, vendimet dhe mendimi ynë politik, janë tashmë një realitet politik i qëndrueshëm në Shqipëri. 
Në kuadër të ASHE-së, ne fituam 3 bashki nga 3 ku vendosëm kandidatët tanë të përbashkët dhe u rritem nga 45 mijë në 60 mijë vota. Ne kemi 60 këshilltarë. Kjo do të thotë se ne kemi rritur, mbështetjen elektorale me 35 përqind më shumë se më 2013. Veçanërisht dua të përshëndes fitoret e kandidatëve tanë për kryebashkiakë. Të tre kandidatët e propozuar nga PDIU në kuadër të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Bashkitë e Peqinit, Konispolit dhe Rrogozhinës korrën fitore spektakolare. 
PDIU me fitoren në Konispol, me rritjen në Jug, konfirmoi se është parti e bashkimit të shqiptarëve dhe pakicave etnike dhe kulturore, pavarësisht etnisë, fesë, komunitetit, moshës, gjinisë, etj. Me rezultatet në terren, me shpërndarjen e votës në të gjithë qarqet, jo vetëm ne 5 qarqeve ku ne kishim bastionet tona, PDIU u konfirmua si parti e gjithë shqiptarëve, jo vetëm e çamëve, si mundohet ta kufizojë një pjesë e rivalëve tanë politikë, një pjesë e mendimtarëve të banaqeve mediatike, e pse jo dhe ndonjë kancelari e ndonjë shteti fqinj. Ne kemi arritur rezultate spektakolare dhe në bashki të tilla si, Dibër, Kukës, Lezhë, Malësi e Madhe, Devoll, gjë që na bën krenar për ofertën tonë elektorale, të qëndrueshme, cilësore, kombëtare », u shpreh Idrizi.
Sigal