Rama blindon rendin, gjyqësorin dhe diplomacinë

425
Sigal

Rendi në anarki dhe kaos, Kryeministri Rama  takon ministrin e Rendit për strategjinë dhe emërimet  

Kryeministri Edi Rama, në orët e darkës është futur në mjediset e Ministrisë së Rendit, për të përsëritur prioritetet e qeverisë së tij, në lidhje me stabilitetin e rendit publik. Gjithçka ka qenë e beftë dhe e paparalajmëruar për mediat, kur makina e Ramës u fut në mjediset e ministrisë për një takim me ministrin Tahiri. Pak minuta pas hyrjes së tij në mjediset e Brendshme që andej ka dalë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ndërkohë që, aty janë thirrur për konsultim disa drejtues të lartë me uniformë, midis të cilëve dallohej edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Çaushaj. Në fakt, mandati i Burgajt duket se, ka mbaruar, ndërkohë që, ende nuk është bërë i ditur emri i drejtorit të ri, por mbi të gjitha në takimin e djeshëm Rama ka kërkuar, që forcat e rendit të marrin menjëherë situatën në dorë për të stabilizuar rendin publik. Kjo emergjencë e Ramës është ndikuar edhe nga ngjarjet e fundit, ku në Laprakë është grabitur pardje, një furgon me 30 milionë lekë, ndërkohë që edhe gjatë ditës së djeshme, ka pasur përplasje bandash dhe vjedhje në disa zona. Ndërkaq, edhe situata me trafikun rrugor është ende në kaos dhe Rama ka kërkuar stabilizim në mënyrë emergjente. Siç dihet në lidhje me zemërimin e Drejtorit të ri të Policisë, kërkohet një figurë e sprovuar me gradë si drejtues i parë nga radhët e uniformave blu dhe jo ndonjë i papunë, apo i pagraduar si drejtues i parë. Emri i Drejtorit të Policisë propozohet nga Ministri i Brendshëm dhe emërohet nga kryeministri. Kështu që, na duhet të presim edhe disa orë të tjera për të mësuar se kush do të zëvendësojë Hysni Burgajn në këtë detyrë.

Takimi

Edhe pse qeveria e re e Ramës erdhi me premtime të mëdha, duke deklaruar se, prioriteti i saj i parë do të ishte vendosja e qetësisë dhe e sigurisë së jetës dhe pronës për qytetarët, rendi është në kaos dhe anarki, jo vetëm për krimet, vrasjet  dhe përditshme, në mes të ditës dhe në qendër të çdo qyteti, por krimi i organizuar, është hedhur në ofensivë, derisa veprojnë edhe bandat e vjedhjes edhe të makinave të transportit të parave, brenda në kryeqytet. Dje, Kryeministri Rama, është takuar edhe me Presidentin Nishani, ndofta për të diskutuar edhe për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Më tej, Kryeministri Rama është drejtuar te Ministria e Brendshme,  në një takim në orët e mbrëmjes, kokë me kokë me ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Sipas burimeve të informacioneve, mësojmë se, Rama i ka dhënë ultimatumin ministrit Tahiri, që të bëjë gjithçka, për të marrë në kontroll situatën, brenda një periudhe të shpejtë e të shkurtër.