Rama-Basha, negociata të zgjatura për krizën

484
Pas tryezës së partive parlamentare, kryeministri dhe shefi i opozitës bisedojnë kokë më kokë deri pas mesnate

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë biseduar deri pas mesnate për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike. Bisedimet e zgjatura kanë nisur rreth orës 20:00, kur partitë parlamentare u mblodhën në Kryesinë e Kuvendit me nismën e Fatmir Mediut (PR) dhe Agron Dukës (PAA). Pas rreth 2 orë bisedimesh me kolegët politikanë, Rama dhe Basha kanë nisur një bisedë kokë më kokë në katin e katërt të Kryesisë së Kuvendit. Në qendër të takimit ka qenë paketa e propozimeve e pagëzuar me emrin “McAllister Plus”, ndonëse palët në nisje të takimit kanë qenë shumë larg njëra-tjetrës. 

Sipas burimeve nga mbledhja e partive parlamentare, Basha është shprehur i gatshëm për të miratuar propozimet e përmbledhura në paketën e eurodeputetit. Nga ana e tij, Rama ka këmbëngulur te një paketë propozimesh, që ai e ka dorëzuar edhe para takimit me Bashën në zyrën e Presidentit të Republikës. Edhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet, e kanë mbështetur paketën “McAllister”, duke nënvizuar edhe datën 16 korrik, si mundësi për të shtyrë zgjedhjet. Por pavarësisht se palët kanë qenë larg njëra-tjetrës, shpresa është parë te një bisedë e veçuar mes Ramës dhe Bashës, që ka kaluar mesnatën. Gjatë pasdites së djeshme, duke folur nga Elbasani, vetë kryeministri ishte shprehur, se mundësia e fundit për të gjetur një zgjidhje do të ishte mesnata, pasi më tej Partia Socialiste do të niste fushatën. “Nëse ata nuk do të kthjellohen deri në fund të ditës së sotme (17 maj), – se në orën 12:00 mbaron çdo gjë, – e nuk do vijnë ta votojnë Veting-un, duke pranuar gjithë ofertën që kanë dhe duke hyrë në zgjedhje, 18 qershori do jetë dita kur Veting-u nuk do jetë më një mundësi, por do jetë fakt i kryer. Parlamenti i ri, sapo të votojë qeverinë e re, vendimi i parë që do marrë do jetë zhbllokimi i Veting-ut”, u shpreh Rama.

Megjithatë, minutat e para të 18 prillit e kanë gjetur Edi Ramën ende në takim me Lulzim Bashën, duke negociuar për gjetjen e një zgjidhjeje. 

Prej 18 shkurtit, opozita po proteston në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar garanci për zgjedhjet dhe largimin e kryeministrit Rama. Më pas, opozita hoqi dorë nga kjo kërkesë, duke pranuar paketën e propozuar nga eurodeputetët. Gjithashtu, PD dhe aleatët ranë dakord të votojnë edhe vetingun për të zhbllokuar zbatimin e reformës në drejtësi. 
Sigal