Prania e kryeministrit Edi Rama në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe betimin e kryetarit të dalë nga votimet monopartiake të 30 qershorit, kanë sjellë shumë reagime.
Gjesti i paprecedentë i kreut të qeverisë, i cili mbi të gjitha cënon edhe autonominë e pushtetit lokal, për zëdhënësen e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është “qoka” që Rama i bën Erion Veliajt si shpërblim ndaj lejeve të ndërtimit të shumta që Veliaj ka dhënë gjatë mandatit të parë si kryebashkiak i kryeqytetit.
“Me 780 leje ndërtimi më e pakta që mund të bënte Rama ishte të shkonte sot në bashki”, shkruan ndër të tjera Zhupa.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Me 780 leje ndërtimi më e pakta që mund të bënte Rama ishte të shkonte sot në bashki!
Me vrasjen e një të riu thjeshtë dhe vetëm për ca para më shumë, Edi Rama s’mund të bënte më pak se ta bënte hero Erjonin kryemashtruesin e Tiranës.
Në fund të fundit është i njëjti Ramë që kishte idhull kryebashkiakun Vangjush Dako, sot në listën e zezë të USA, Elvis Roshin, një i dënuar për perdhunim e rreth 350 kriminele e trafikantë që i veshi me pushtet.
S’mund të jetë më poshtë në listën e të preferuarve të Ramës një mashtrues i korruptuar si Erjon Veliaj, që nesër do të jetë përkrah Dakos si njeriu që po pastron paratë e krimit të organizuar me ndërtimet në Tiranë!