Rastësia? “Të fortët” që fituan lirinë në mandatin e Etilda Gjonaj

1313
Sigal

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u shfaq e vendosur që “të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë ligjore këdo që shkel ligjin”, në një konferencë për median ku prezantoi masat për zyrtarët e burgjeve që ajo i konsideroi përgjegjës për lirimin para kohe të të ashtëquajturit “i forti i Beratit”, Lulzim Caka.

Drejtues i një prej bandave kriminale të vitit 1997, Caka ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen në vitin 1998 të Pëllumb Eminit dhe tentativës së vrasjes së dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (të cilët, fatkeqësisht, mbetën të vrarë në atentate të ndryshme më vonë).

Lulzim Caka u lirua me kusht pak ditë më parë, kur kishte vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Gjithësesi, ministrja Gjonaj deklaroi para medias se drejtuesit e burgut të Lushnjes kishin llogaritur gabim kohën e vuajtjes së dënimit, duke i dhënë lirinë Cakës 4 muaj para se ai të përfitonte këtë të drejtë.

Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, ka arrestuar në flagrancë drejtorin e burgut, Judmir Shurdhi dhe kartelistin Llazar Mino.

Në këtë mënyrë, Etilda Gjonaj demonstroi “forcën” institucionale, ndërkohë që prej emërimit të saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë, në Maj 2017, lirimi i “të fortëve” nuk ka qenë aq i rrallë.

Në nëntor 2017 është liruar nga burgu Genc Tafili, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2000. Tafili u lirua me kusht, pasi kishte kryer rreth 17 vite burgim

Në janar 2018 lirohet Durim Keçi, i konsideruar si një ndër “të fortët e Shijakut”. Ai ishte arrestuar për qëllime ekstradimi në Itali, ku rezulton i dënuar me 9 vite burgim për akuzat e trafikut të drogës dhe prostitucionit. Opozita akuzoi publikisht se lirimi i Keçit kishte ardhur si pasojë e lidhjeve të tij me eksponentë të lartë të Partisë Socialiste.

Në janar 2018 lirohet Astrit Avdyli, i konsideruar si një prej drejtuesve të “bandës së Shijakut”. Ai u arrestua nga policia për armëmbajtje pa leje. Por, një vendim i dyshimtë i Prokurorisë së Durrësit, të drejtuar në atë kohë nga Donika Prela, e liroi Avdylajn nga qelia. Ai u arrestua më pas, me ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, si pjesë e dosjes “339” të Prokurorisë për Krime të Rënda, ku rezultojnë përgjime të tij me eksponentë të lartë të Partisë Socialiste.

Në shkurt 2019 lirohet Gert Gjinarari, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit, në një spital në Milano, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Gjinarari u arrestua në Itali dhe u transferua në Shqipëri, në vitin 2014, pasi kishte vuajtur 17 vite burgim në shtetin fqinj. Ai vuajti në Shqipëri edhe 5 vite të tjera burgim, derisa lirohet me kusht, duke u urdhëruar që të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës për të gjithë jetën dhe të mos kontaktojë me persona të dënuar apo bashkëpunëtorë të vjetër të tij.

Në 13 Korrik 2019 lirohet nga burgu “gjeneral” Nehat Kulla. I konsideruar si “i forti i Kinostudios” në fund të viteve ’90, Kulla ishte dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e Halim Gjuzit, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Ai u arrestua në vitin 2005.

Në 27 Korrik 2019 lirohet me kusht “i forti i Beratit”, Lulzim Caka, i cili u bë shkak për daljen në konferencë për media ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, këtë të martë.

Krahas këtyre rasteve të lirimit, Ministrja Etilda Gjonaj është përfshirë personalisht në një situatë të dyshimtë, me transferimin drejt Italisë të një të paraburgosuri.

Në janar 2019, me firmën e saj dhe të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, u ekstradua drejt Italisë shtetasi Nezar Seiti, i konsideruar si “financiari i bandës së Habilajve”, i cili ishte arrestuar për llogari të hetimeve që kishte nisur prokuroria shqiptare ndaj bandës kriminale, përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për këtë rast, prokuroria e Durrësit nisi një hetim, në përfundim të të cilit u konstatuan disa “shkelje administrative”, por jo penale.

Nezar Seiti u ekstradua drejt Italisë në një moment kur prokurorët shqiptarë po mundoheshin ta shndërronin në “të penduar të drejtësisë” për të rrëfyer aktivitetin kriminal të Habilajve dhe bashkëpunimin me zyrtarë të lartë policorë dhe të tjerë shtetërorë.boldnews