Qeveria miraton ngritjen e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë Kompjuterike

501
Sigal

TIRANE – Qeveria miratoi sot ngritjen e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë Kompjuterike (ALCIRT). Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku u miratua vendimi për ngritjen e ALCIRT.
Sipas vendimit në fjalë kjo agjensi do t’u shërbejë personave juridikë, publikë dhe privatë, për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi.
Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

VENDIM 

PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.766, DATË 14.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE PËR SIGURINË KOMPJUTERIKE (ALCIRT)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Pas shkronjës “f”, të pikës 3, të vendimit nr.766, datë 14.9.2011, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) Ngre, administron dhe mirëmban portalin online që do t’u shërbejë personave juridikë, publikë dhe privatë, për të publikuar adresat e faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe ofruesve të shërbimit të aksesit në internet (ISP-ve) për marrjen e informacionit me qëllim mbylljen e aksesit në këto faqe sipas legjislacionit në fuqi. ALCIRT-i nxjerr udhëzime dhe urdhra për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë shkronjë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.