Qeveria i jep kompanisë që, kur ishte në opozitë, e kishte akuzuar, tenderin 13 milionë euro për uniformën blu

607
Sigal

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara shpall tender për uniformat e Policisë së Shtetit

Pak ditë më parë, një kompani (Gjergjefi) e akuzuar më herët nga mazhoranca aktuale se fitonte tenderët në mënyrë të paracaktuar, fitoi tenderin me vlerë 1 milion euro për uniformat e policisë. Sipas tenderit, puna duhet të ketë nisur dhe shumë shpejt do të shkojnë edhe uniformat e para. Por, pak ditë nga shpallja e fituesit, qeveria ka akorduar plot 13 milionë euro të tjera për uniformën e policisë (veshje dhe këpucë). Nuk bëhen të ditura përse kjo shumë kaq e madhe, kur tenderi i parë sapo ka përfunduar. Në dokumentet e këtij tenderi thuhet se autoriteti që po bën këtë tender është Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një agjenci e cila është totalisht në duart e kryeministrit Edi Rama. Tenderët e mëparshëm për uniformat e qeverisë u shpallën nga ministrat e Brendshëm Tahiri dhe Xhafaj, por siç duket kryeministri Rama tani nuk u ka më besim ministrave as për këtë tender. Duke u ndalur te tenderi, mësohet se procedura e parë është “Blerje uniforma për Policinë e Shtetit dhe aksesorë që e plotësojnë” për vitet 2018,2019 dhe 2020. Fondi limit është 908,973,900 lekë pa TVSH. Mësohet se afati i lëvrimit të mallit është:

– Për sasitë e planifikuara për vitin 2018 afati i lëvrimit do të jetë: 30 ditë, 60 ditë dhe 100 ditë nga lidhja e kontratës, sipas listës së artikujve të përcaktuara në shtojcën 12 të dokumenteve të tenderit.
– Për sasitë e planifikuara për vitin 2019 afati i lëvrimit duhet të jetë brenda 15 Prill 2019 2019 dhe pjesa tjetër brenda datës 2 Shtator 2019.– Për sasitë e planifikuara për vitin 2020 afati i lëvrimit duhet të jetë brenda datës 15 Prill 2020 dhe brenda datës 2 Shtator 2020.
Ndërkohë, procedura e dytë është “Blerje këpucë për uniformën e Policisë së Shtetit” për vitet 2018, 2019, 2020. Fondi limit është 290,155,500 lekë pa TVSH. Afati i lëvrimit mallit duhet të jetë:
– Për vitin 2018 afati i lëvrimit do të jetë 30 ditë nga lidhja e kontratës.

– Për vitin 2019 afati i lëvrimit do të jetë brenda datës 31 Mars 2019 dhe brenda datës 2 Shtator 2019.
– Për vitin 2020 afati i lëvrimit do të jetë brenda datës 31 Mars 2020 dhe brenda datës 2 Shtator 2020.