Publikimi i emrave nga kryeministri, juristët: Është shkelje e të drejtave të njeriut

515
Jo vetëm politikanët kanë reaguar për publikimin e listës së emrave nga kryeministri. Juristët kanë shpjeguar me detaje shkeljen e ligjit dhe te drejtave të njeriut në këtë rast,. Një nga Juristët e njohur të fushës penale dhe civile, Sokol Hazizaj, ka reaguar ashpër, duke thënë se denoncimet në rrjetet sociale mund të shërbejë si indice, por në asnjë moment si akuzë.“Vendosja e burimeve të informacionit nga rrjetet sociale si provë e fajësisë bie, jo vetëm në kundërshtim me të drejtën themelore të të drejtave të njeriut dhe me konventën evropiane për të drejtat e njeriut për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që ka të bëjë me fajësinë dhe pafajësinë, por bie në kundërshtim edhe me terrenin human ku jeton njeriu. Që do të thotë se, njeriu në mënyrë proceduriale dhe literale duhet vendosur para faktit. A është thënia në rrjetet sociale fakt? Mund të jetë indicie, por jo fakt”, thotë avokati Sokol Hazizaj. Por avokati Hazizaj e sheh këtë çështje si një anti-reformë në drejtësi për sa kohë po ndërhyhet në kompetencat e institucioneve të drejtësisë që akuzon dhe gjykon shtetasit e dyshuar. “Kur në emër të reformës përdoren nuk do të thosha shpifje, por deklarime të paprovuara, atëherë mendoj se përdorimi i tyre është anti-reformë. Sepse nga njëra anë ne përpiqemi të forcojmë institucionet e drejtësisë, nga ana tjetër u japim goditje të madhe institucioneve, sepse nuk u lëmë atyre mundësi të krijohen, formatohen, zhvillohen dhe zbatohen”, thotë Hazizaj. Hazizaj shprehet se kjo nuk është mënyra e përshtatshme për të luftuar korrupsionin. “Në një sistem ligjor adekuat e korrekt, çdo njeri që i përmendet emri për çdo lloj arsye, veçanërisht për korrupsion të mbetur në tentativë apo veprime korruptive, do t’i drejtohej gjykatës. Por kur gjykata dhe vetë institucioni i akuzës përmendet si institucion i korruptuar, atëherë më thoni kush ka ngelur për t’iu drejtuar”, nënvizon Hazizaj. Në të njëjtën linjë me të është edhe Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj. “Publikimi i të dhënave në faqet e internetit apo në çdo lloj forme tjetër publike i të dhënave ndaj këtyre personave, të cilët mund të jenë nëpunës të administratës, specialistë të thjeshtë apo funksionarë në këto institucione, jo vetëm është e paligjshme por mund të krijojë shqetësime të panevojshme”, thotë Erida Skëndaj. Megjithatë, sipas shefes së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në një situatë të tillë komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale siç parashikon ligji mund të japë rekomandime, por edhe gjoba administrative për shkeljen e kryer.
Sigal