Familja Basha 4.6 milionë euro prona tek kulla “Lion Residence” në Tiranë

51
Sigal

Pas akuzave të shumta për “kullat” të bëra pak javë më parë ku debatit publik nuk iu nda dyshja rivale Basha – Berisha emisioni televiziv Kronos ka arritur të sigurojë dokumenta autentikë nga regjistri i pasurive të patundshme, ku janë regjistruar kontratat e sipërmarrjes të blerësve në rezidencën “Lion”. Në datën 31 gusht 2021, Xhafer Çerçiz Isufi, vjehrri i ndjerë i zotit Basha bashkë me kunatin e tij, Erion Isufin, kanë lidhur një kontratë sipërmarrje me kompaninë “Lion Construction sh.p.k” për të porositur 985.5 metra katrorë  sipërfaqe në pallatin Lion Residence, për të cilën kanë paguar 1.478.250 euro. Më 8 shkurt 2022, kjo kontratë është regjistruar në regjistrin e akteve juridike paraprake pranë Agjencisë së Kadastrës, edhe pse i ndjeri Xhafer Isufi ishte ndarë nga jeta në fund të muajit janar. Bashkëshortja e zotit Basha, Aurela Basha, është trashëgimtare e gjysmës së pasurisë që i takonte zotit Isufi në këtë sipërfaqe si trashëgimtare e tij. Në bazë të Vendimit të Dëshmisë së Trashëgimisë të datës 2 shkurt 2022, dëshmitarët testamentarë, Xhane Isufi, Erion Isufi dhe Aurela Isufi Basha deklarojnë:  “Xhane Isufi trashëgon aksionet/kapitalet dhe të gjitha fitimet e çdo lloji që rrjedhin tani dhe në të ardhmen në cilësinë e ortakut për shoqëritë ‘Landmark Technologies’ dhe ‘Moveo Albania Technology’ dhe përfitimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të të ndjerit nga momenti i nënshkrimit të testamentit dhe në të ardhmen, trashëgimtarë të vetëm të këtyre pasurive do të jenë Aurela Basha (Isufi) dhe Erion Isufi, me pjesë të barabartë një të dytën secili.” thuhet në deklaratën noteriale. Sipas këtij akti, Aurela Basha rezulton përfituese për 246.4 metra katrorë të porositura në ndërtesën “Lion Residence”, e cila me çmimin mesatar të tregut në këtë godinë, 3000 euro/metra katrorë , ka një vlerë pasurie prej 738 mijë euro. Kronos dërgoi një kërkesë për informacion pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për të verifikuar nëse kjo pasuri është deklaruar nga subjekti Lulzim Basha dhe pjesëtarët e lidhur të tij, siç është në rastin konkret bashkëshortja Aurela Basha. Deri në këto momente ILDKPKI nuk ka kthyer përgjigje. Sipas dokumenteve të Agjencisë së Kadastrës, për sipërfaqen e plotë të porositur nga e gjithë familja Isufi është paguar një çmim 1500 euro/ metra katrorë , ndërsa në realitet çmimet e shitjeve në këtë godinë variojnë nga 2900 deri në 3500 euro/metra katrorë  për njësitë e banimit, ndërsa ato të shërbimit janë edhe më të larta.