KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Petrit Haxhia, analizon ecurinë e garës në nëntë javë

Agron Kaja
“Presidentët të gjejnë trajnerë me përvojë, jo me nostalgji. Trajneri t’i udhëheqë objektivat e skuadrës me perfomancën e tij. Humbja dhe fitorja janë si motër e vëlla, kur rezultatet nuk ecin, të hapet krahu.”
Kategoria e Parë i ka luajtur nëntë javë dhe është në prag të mbylljes së fazës së parë (java e 11-të). E gjithë ecuria e këtij rrugëtimi, vjen sot në gazetën “Telegraf” nën këndvështrimin professional të specialistit të futbollit Petrit Haxhia. Sipas tij, struktura me 12 skuadra në këtë kategori të sezonit që po luhet, e ka forcuar garën, edhe pse sipas tij, kjo po zhvillohet e ngadaltë. “Në këto nëntë javë të Kategorisë së Parë më ka tërhequr vëmendjen struktura e re me 12 skuadra, sepse e ka forcuar garën dhe skuadrat janë më të ngjeshura, edhe pse ka oshilacione. Është e dukshme se gara po zhvillohet me futboll të ngadaltë, çka mund të ketë ndikim gjatë javëve në vazhdim. Gjithsesi, në këtë sezon ka edhe një dukuri që është përmirësuar në Kategorinë e Parë, pasi infrastruktura dhe kryesisht te fushat ka përmirësim. Ndërsa mbeten për t’u përmirësuar ambientet e brendshme dhe bankinat, sepse në tërësi nuk janë në nivele të mira”, kështu e nisi bisedën specialisti i futbollit Petrit Haxhia, i cili vazhdoi me një tjetër konstatim, bankinat. “Çfarë mund të thuash ndryshe kur largohen trajnerët javë pas jave, ku edhe pas javës së 8-të Luzi 2008 largoi trajnerin e tretë të këtij sezoni, Xhevair Kapllanin?! Ka edhe largime të drejta, dhe kjo ndodh, sepse trajnerët duhet të përgatiten mirë kur marrin drejtimin e një skuadre. Nga ana e atyre që i vendosin, president apo bashki, duhet parë struktura e tyre, dhe këtu ndoshta duhet thënë se ka ardhur koha që të ketë alternim brezash të trajnerëve. Presidentët të gjejnë trajnerë me përvojë, jo me nostalgji, sepse trajneri duhet që t’i udhëheqë objektivat e skudrës me perfomancën të shprehur në fushën e lojës. Por ka edhe tregues të tjerë që specialist Petrit Haxhia kërkon që t’i veçojë në këtë analizë. “Janë disa skuadra eksperte, si Bylisi, që po bëjnë garë të bukur dhe të fortë. Duke qenë se e njohin mirë nivelin e ritmikën e kësaj kategorie, kanë bërë hapa para. Këtë mendim besoj se e përforcon renditja në nëntë javë, ku skuadra ballshiote kryeson e shkëputur me +6 pikë nga vendi i dytë. AF Elbasanin, Flamurtarin dhe Apoloninë i mendoj si skuadrat që do rivalizojnë për t’u ngjitur direkt në Superiore, por lufta mes tyre do “ashpërsohet” më shumë në fazën e dytë dhe të tretë. Ndeshjet e javës së 10-të duken interesante dhe mund ta ndryshojnë renditjen, por vetëm Bylisi e ka të sigurtë kreun. Gara sa vjen dhe ashpërsohet, sepse po luhet një futboll me oshilacione dhe rezultatet nuk mund t’i presim pa lëvizje të tilla! Ishte kjo analiza e specialistit të futbollit Petrit Haxhia.

NDESHJET, JAVA 10
Të hënën, 6 nëntor 2023
Vora-Lushnja 13:30
Korabi-Flamurtari 13:30
Kastrioti-Apolonia 13:30
Bylis-Besa 13:30
Tomori-Burreli 13:30
Luzi2008-AF Elbasani13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 9 25
2.AF Elbasani 9 19
3.Vora 9 18
4.Apolonia 9 17
5.Flamurtari 9 15
6.Korabi 9 11
7.Lushnja 9 10
8.Tomori 9 10
9.Kastrioti 9 9
10.Besa 9 8
11.Burreli 9 7
12.Luzi 2008 9 2
Klodian Arbri në ditët e para vorake
“… Jam brenda pasionit këtu te Vora, këtu për një sfidë të re …”, kjo ishte fjala e shkurtër e Klodian Arbrit për gazetën “Telegraf”, i cili në tre ditët e para në bankinën e skuadrës vorake, tregoi se është në një skuadër me elementë që do t’i kishte zili edhe një skuadër e Superiores. “Objektivi? Vora që në nisje ka deklaruar se synon Superioren, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Tashmë do të luftojmë që ky të bëhet realitet”, ishte kjo biseda e shkurtër me Klodian Arbrin, tashmë trajner i Vorës, skuadër e cila në nëntë javë kampionat renditet në vendin e 3-të me 18 pikë.





















