Me një deklaratë surprizë, PS-ja ka hequr dorë nga rivotimi në qarkun e Lezhës, duke i hapur rrugë certifikimit të zgjedhjeve. Sekretari për çështjet zgjedhore Damian Gjiknuri e ngriti këtë lëvizje të socialistëve mbi 2 argumente, mbylljes së procesit zgjedhor dhe rrëzimit të alibisë së demokratëve për vjedhje të votave nga opozita. “Zgjedhjet në qarkun e Lezhës nuk kanë vetëm njërën anë të errët, atë të ndërhyrjes në rezultatet e 4-5 QV të ZAZ 13, mbi të cilat PD ndërtoi gjithë alibinë e saj politike. Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e maxhorancës, por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat. Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për t’i dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kërkesë. Kjo edhe për t’i hequr çdo fije justifikimi kundërshtarit tonë politik, i cili pas humbjes dërrmuese në 23 qershorit po mundohet të njollosë zgjedhjet apo të ndërtojë alibi politike sikur zgjedhjet ia paska vjedhur opozita. Ndërkohë i deklarojmë publikisht se jemi të gatshëm të aprovojmë çdo kërkesë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, duke bërë realitet atë që iu mohua opozitës për 4 vitet e shkuara për zgjedhjet e vitit 2009, apo për shtimin fiktiv të popullsisë në Kukës në vitin 2012” tha Gjiknuri. Duke i qëndruar besnik provave që disponon e që vërtetojnë manipulimin në Lezhë , Gjiknuri tha se PS-ja do i drejtohet Prokurorisë për të kallëzuar paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras. “Ndërkohë aktet e paligjshme në procesin zgjedhor duhet të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit. Partia Socialiste do të kallëzojë në prokurori të gjithë paligjshmërinë e votimit në Laç dhe Mamurras si dhe veprimtarinë e KQZ pas ditës së zgjedhjeve” tha ai. Ditën e mërkurë, Kolegji Zgjedhor pritet të shprehet lidhur me kërkesën e depozituar nga PS-ja për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Lezhë dhe për t’i hapur rrugë rivotimit.
PD-ja : “PS-ja ‘përdhosi ‘ procesin zgjedhor”
Partia Demokratike ka reaguar pas tërheqjes nga PS-së nga kërkesa e saj për rivotim në Qarkun e Lezhës. Oerd Bylykbashi përfaqësuesi ligjor i PD-së e ka cilësuar vendimin e selisë rozë ‘përdhosje të procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës”. Teksa ka akuzuar kryesocialistin Rama se ka frikë nga rivotimi pasi ka ‘vjedhur votat’. “Edi Rama trembet përballë një rivotimi të qytetarëve të Lezhës. Edi Rama t’i kërkojë ndjesë qytetarëve që u përdhosi procesin zgjedhor në qarkun e Lezhës. Rama i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur votat e vjedhura me para të pista”, theksoi përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi.
Partia Demokratike paralajmëroi se do të bëjë transparencën e plotë mbi procesin zgjedhor jo vetëm në Lezhë por në mbarë vendin. Pasi u vërtetua ne dritën e diellit se Partia Socialiste i kishte grabitur një mandat Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, nëpërmejt vjedhjes së votave, Edi Rama u tërhoq sot nga kërkesa për rivotim në këtë qark. Akti i sotëm është një tjetër dëshmi e kompleksimit të Ramës nga kapja në flagrancë e votave të vjedhura të 23 qershorit. Tërheqja e tij fakton më së miri se ai i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës të paintimiduar nga paratë dhe presionet e krimit dhe trafikut. Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi vullnetin. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ për të cilat nuk u distancua asnjëherë duke faktuar se është bërë një me falangat që projektuan këtë akt të pashoq. Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë shqiptarëve që u përdhosi procesin zgjedhor dhe diskreditoi para botës mbarë procesin dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët. Tërheqja nga rivotimi në Qarkun e Lezhës që pason tërheqjen nga kërkesa për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave në Qarkun Shkodër, dëshmoi se kryesocialisti Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur mandatet e siguruara me vota të vjedhura dhe paratë e krimit më 23 qershor. Kjo tërheqje dëshmon qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Berisha: “1250 votat dhe mandati i vjedhur i Lezhës, simboli i shëmtuar i 23 qershorit!”
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha komentoi dje tërheqjen e PS-së nga kërkesa për ripërsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës. Kështu, Berisha shkruan se Rama ka pranuar sot botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë dhe se ai, siç shton Berisha, ka frikë se do ndëshkohej nga lezhjanët po të përsëriste zgjedhjet. “Edi Rama sot pranoi botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjesë qytetarëve të Lezhës. Natyrisht, tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhjanët për vjedhjen e votës më 23 qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër, ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera”, shprehet Berisha. Më tej, Berisha ka komentuar se zgjedhjet e 23 qershorit janë fund e krye të manipuluara dhe se një hetim i tyre do ishte vendimtar për stabilitetin e vendit. “Por pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati i tyre, mbeten fund e krye të manipuluara. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”, shkruan Berisha.
Gabimi u kuptua nga PS-ja, për Qarkun e Lezhës
Pas kryeartikullit të “Telegraf”, ditën e pardjeshme, si edhe mendimeve që shprehën specialistë, se kërkesa e PS-së në Kolegjin Zgjedhor, për çështjen e rivotimit në Qarkun e Lezhës, do të shtynte në kohë edhe certifikimin e mandateve nga Kolegji Zgjedhor, brenda afateve kohore që përcakton Kushtetuta, si pasojë, edhe mbledhjen e Kuvendit të ri, jo më në datën 7 shtator, por kur të mbaronte i tërë procesi i rivotimit në Qarkun e Lezhës, dje, PS-ja publikoi se tërhiqet nga kërkesa e saj në Kolegj për rivotim në Qarkun e Lezhës. PS-ja kërkon mandatin e 4-t të deputetit në Qarkun e Lezhës, por më tepër se një mandat, PS-ja kërkon mandatin e saj të 66-të, për arsye që të çimentojë shumicën qeverisëse, sido që mund të lëkunden ekuilibrat në maxhorancën e re. Pavarësisht deklaratave publike, nga të dy palët, e sidomos nga Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, se koalicioni PS-LSI është i qëndrueshëm, është një koalicion me afat 8-vjeçar, askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që në një moment të caktuar, për ndonjë shkak mosmarrëveshje Rama-Meta, LSI-ja edhe mund të tërhiqet nga bashkëpunimi me PS-së. LSI-ja ka 17 mandate, PS-ja ka aktualisht 65 mandate, por që mund të ketë 64 mandate, me ikjen e Brahos, që dihet se është deputet i LSI-së i zgjedhur me listat e PS-së. Por, me LSI-në mund të shkëputet edhe PBDNJ-ja e Dules, kështu që PS-ja mbetet me 63 mandate. Që të ketë shumatoren qeverisëse, PS-së i duhen edhe mandatet e PDIU-së dhe PR-së, që kanë nga 4 secila. Kështu, siç janë ekuilibrat e numrave në Kuvend, mandati i 4-t i PS-së në Qarkun e Lezhës, është tejet i domosdoshëm. Por ky mandat, është mëse i duhur nga e Majta, edhe parë në një tjetër këndvështrim. Me mandatin e 4-t në Qarkun e Lezhës, e Majta do të kishte 84 mandate, pra edhe votën e cilësuar në Kuvend, e cila do t’i jepte mundësinë të Majtës qeverisëse që të marrë çdo vendim në Kuvend, pa e pyetur fare opozitën, edhe në rastet që do duhet vota e cilësuar, pra 84 vota në Kuvend. Kjo ishte logjika politike e PS-së, duke depozituar në Kolegjin Zgjedhor kërkesën për rivotimin në Qarkun e Lezhës. Mirëpo, PS-ja nuk kishte llogaritur afatin kohor, në të cilën mund të bëhej shqyrtimi i kërkesës së saj në Kolegj, por edhe dita e rivotimit. Dhe sipas nenit 161 të Kodit Zgjedhor, nëse do të bëhej rivotimi i zgjedhjeve në Qarkun e Lezhës, do të shtyhej edhe certifikimi i mandateve, si rrjedhojë, do të shtyhej mbase edhe për një muaj të tërë edhe mbledhja e Kuvendit të ri. Kështu, Shqipëria do të zhytej në një krizë politike paszgjedhore, nga e cila më e dëmtuara do të dilte maxhoranca e re e së Majtës. PS-ja e kuptoi vonë gabimin e saj, me kërkesën për rivotim në Qarkun e Lezhës. Nuk duhej ta kishte kërkuar. Sepse, edhe pse nuk u bë rivotimi, tërheqja nga kërkesa e saj e dëmton shumë imazhin e zgjedhjeve të ndershme dhe do t’i japë armë politike opozitës të PD-së që të opozitojë për një mandat të fituar në bazë të manipulimit të votës, sikurse dëftoi rinumërimi i votave në Qarkun e Lezhës, pavarësisht se si proces, Kolegji Zgjedhor e cilësoi të paligjshëm.