PS-ja, “koka e turkut” për ambasadorët

713
Sigal

Imunitetet/ Rritet trysnia e ndërkombëtarëve mbi opozitën për të votuar ndryshimet kushtetuese më 6 gusht

Po flitet shumë ditët e fundit për një konsensus të opozitës me mazhorancën për të bërë ndryshimet e duhura kushtetuese lidhur me heqjen e imuniteteve në datën 6 gusht. Në pamje të parë duket një marrëveshje serioze që të bën ta përshëndesësh me entuziazëm. Në këtë punë, si gjithnjë, janë mpleksur rëndshëm ndërkombëtarët, të cilët bëjnë jo vetëm rolin e ndërmjetësit, por edhe të tutorit mbi palët. Pardje Trojka e ambasadorëve ishte në selinë rozë për këtë çështje, ku duket se mori garancitë e nevojshme nga opozita për të votuar ndryshimet kushtetuese. Dje ambasadori i BE-së, Sequi u rikthye sërish tek Rama, pas një letre të Gramoz Ruçit drejtuar Trojkës së ambasadorëve me disa propozime për shtyrjen në vjeshtë të ndryshimeve kushtetuese. Ndërkohë po hidhen akuza të ndërsjellta nga palët, të cilat akuzojnë si zakonisht njëra-tjetrën për pengim të reformave. Po përse gjithë kjo ngutje për të bërë ndryshimet kushtetuese në pikun e verës? Nuk u mjaftuan vallë tre vjet PS-së dhe PD-së për të bërë këto ndryshime? Dhe pse bëhet gjithë ky presion mbi opozitën? Këto janë një varg pyetjesh që bëhen vetvetiu. Dhe në analizë të fundit del se opozita gjithnjë ka dalë e humbur nga marrëveshjet e nxituara, ndërsa mazhoranca në pushtet kurdoherë e fituar. Le të marrim tre raste: Kur deputetët socialistë bënin grevën e urisë dy vjet më parë, ndërhynë ndërkombëtarët, deri zyrtarët e lartë të Brukselit të ndërpritej greva, duke u bërë ata garantë se do të zgjidheshin kërkesat e opozitës. Rezultati? Asgjë nuk u zgjidh. Ndodhi 21 janari. U vranë 4 qytetarë në mes të Tiranës dhe ka mbi një vit e gjysëm që jo vetëm drejtësia nuk e ka zbardhur të vërtetën, por po punohet intensivisht që të fajësohet opozita pse protestoi, dhe jo ai që shtiu me armë dhe vrau njerëzit. Më pas erdhi 8 maji. Përsëri të gjitha kërkesat dhe ankesat e opozitës u hodhën në koshin e plehërave. Atëherë, mbi ç’bazë kërkohet të bëhet një marrëveshje e re për ndryshimet kushtetuese, e cila pa pikë dyshimi do të jetë krejtësisht e ngjashme me marrëveshjen e 2008-s, ku opozita pësoi një disfatë katastrofike. Rama e pranoi vetë kohët e fundit gabimin e bërë me atë marrëveshje. E megjithatë, ndërkombëtarët këmbëngulin që opozita të bëhet e urtë e të votojë ndryshimet. Pse? Sepse u pengoka statusi! Sepse ambasadorët në Tiranë u paskan dhënë garanci kancelarive të tyre se kjo do të ndodhë dhe është fryt i përpjekjeve të tyre. Me një fjalë, ambasadorët kërkojnë të justifikojnë punën e tyre dhe rrogat që marrin për të bërë të tilla marrëveshje. Pavarësisht se “koka e turkut” në këtë rast është opozita politike e vendit. Nga ana e saj, opozita ka problemet e saj jot ë vogla, ndaj dhe ka rënë nga gabimi në gabim gjatë këtyre viteve. Brenda PS-së janë ravijëzuar dy vija dhe qëndrime, të cilat ja vështirësojnë dhe dobësojnë pozicionin opozitës. Këtë pozicion lë të nënkuptohet letra e Ruçit drejtuar Trojkës. E megjithatë, presioni mbi Ramën vazhdon të rritet nga ambasadorët, të cilët haptazi tashmë kanë dy qëndrime: një për opozitën dhe një për mazhorancën. Për opozitën kulaç e kërbaç, për maxhorancën ledhatime dhe fërkim krahësh. A e sheh këtë Edi Rama? A do të pranojë ai këtë radhë ta bëjë partinë që drejton “kokë turku” për ambasadorët? Kjo është çështja. Punë ditësh dhe do ta marrim vesh edhe këtë. Dje Rama foli pwr mosngutje me ndryshimet kushtetuese.

 Një ditë pas Trojkës, Sequi ritakohet me Ramën

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian (BE), Ettore Sequi, është rikthyer sërish në selinë e Partisë Socialiste pas takimit të një ditë më parë të Trojkës së Ambasadorëve me kreun e PS Edi Rama. Takimi mes Sequi dhe kreut të selisë rozë mësohet se ka zgjatur rreth 30 minuta. Burime nga PS thonë se tema e takimit ka qenë çështja e imunitetit. Shqiptarja.com mësoi dje se pikërisht për këtë temë socialistët i dorëzuan një ditë më parë Trojkës së Ambasadorëve edhe një draft nga hartuar nga selia rozë. Takimi i Sequit me kryesocialistin vjen një ditë pas letrës që Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi u dërgoi ambasadorëve ku kërkohet që çështja e imunitetit dhe ndryshimet kushtetuese që pritet të shoqërojë ky proces të bëhen në shtator. Gjithashtu PS-ja kërkon që të ftohen grupe të ndryshme interesi për të sjellë opinionet e tyre dhe komentet me propozimet përkatëse për ndryshimet. Të organizohet një takim mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut, për të bërë të mundur përçimin tek publiku të draft/propozimeve, duke përfshirë edhe ekspertët kostitucionalistë në proces.

 Dilema e Ramës

Kreu i PS-së, Edi Rama duket se është përballë një dileme të fortë nga trysnia e ndërkombëtarëve. Ai i di gabimet që ka bërë në të kaluarën dhe zmbrapsjet që është detyruar të bëjë i imponuar, por në rastin në fjalë duket se votimi për heqjen e imuniteteve duket se është dhe një test për PS-në. Dihet se nuk janë të paktë zyrtarët dhe politikanët mbi të cilat rëndojnë akuza për korrupsion e krime të dënueshme, por që fshihen pas mburojës së imunitetit. Nëse nuk do të votohen ndryshimet e kërkuara, do të thotë që të akuzuarit të vazhdojnë të flenë mbi dafina. Në të kundërt, sipas konventave ndërkombëtare që ne i kemi nënshkruar, nuk do të çuditemi që ndonjë ditë të bukur kur X politikan të jetë duke pirë kafe, t’i hidhen prangat dhe të ekstradohet në drejtim të vendit ku akuzohet. Në këtë aspekt, Rama mund të ketë të drejtë dhe i duhet të japëOK-in, por kur thotë të mos ngutemi, duket se kërkon garanci të forta. Nga ndërkombëtarët sigurisht.

Imuniteti, Rama: “Jo arnim të ngutshëm të Kushtetutës”

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, shefi i opozitës Edi Rama nënvizoi qëndrimin e socialistëve pro heqjes së imunitetit, por theksoi se nuk mund të miratohet asnjë “arnim i ngutshëm i Kushtetutës”. Ndër të tjera, kryetari i socialistëve zbardhi edhe disa nga pikat e reformës zgjedhore, për të cilat është arritur një konsensus me mazhorancën. Rama u shpreh i bindur se opozita do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, pasi siç tha ai “nuk do të ketë më një KQZ që vjedh vota dhe askush nuk mund të pengojë hapjen e kutive të dokumenteve zgjedhore.” “Çdo komisioner që do të guxojë të përfshihet në një vazhdë falsifikimesh të rëndomta nuk do dënohet më me gjobë, por kodi parashikon deri në 8 vjet burg për korrupsion elektoral. Lista e zgjedhësve nuk do të jetë më monopol i strukturës së manipulimeve në Ministrinë e Brendshme, por do të jenë të hapura për opozitën në çdo moment.”- deklaroi Rama. Në lidhje me numërimin elektronik të votave, Rama nënvizoi se opozita pranoi të ndiqte propozimin e ekspertëve të ODIHR-it për ta aplikuar fillimisht me dy projekte pilot, në mënyrë që të mos rrezikohet dështimi i procesit. Kryesocialisti Edi Rama akuzoi sërish Ministrinë e Mbrojtjes se po minon Kushtetutën, duke përgjuar kundërshtarët e qeverisë. Rama tha se Ministria e Mbrojtjes ka blerë në vitin 2011 një pajisje përgjimi, blerja e së cilës dhe përdorimi nga SHIU, sipas Ramës, përbëjnë një atentat ndaj Kushtetutës. “Blerja e pajisjes është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Ky skandal i jep këtij shteti përmasën që në fakt ka kohë që e ka, përmasën e një shteti policor që vjedh vota dhe pasuri publike.”- u shpreh Rama. Në këto kushte, sipas kryesocialistit, opozita nuk mund të lejojë që çështja e kufizimit të imunitetit të kthehet në kufizim lirie. “Para se të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës për imunitetin, kryeministri duhet të bëjë transparencë për përgjimin e opozitës nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ministri duhet të verë në dispozicion për të gjithë publikun dhe deputetët e opozitës dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit.”- deklaroi Rama.