PS bënë “lëshime” për të siguruar 84 votat për amnistinë

21
Sigal

Pas dakordësisë për komisionet hetimore duket se flirtet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë edhe për të shumëfolurin “Ligj për Amnistinë”. Mazhoranca socialiste duket se ka hequr dorë nga një prej neneve të kontestuara nga opozita për një kohë të gjatë përsa i përket propozimit të përfitimit nga amnistia me uljen e një viti të dënimit për të hetuarit e gjinisë mashkullore nga SPAK  dhe po ashtu me një vit e gjysëm të kësaj kategorie për gratë. Duket se kjo tërheqje mund të gëzojë disi të gjitha palët e opozitës, të cilat e kontestuan gjatë këtë pikë pasi sipas tyre kjo favorizonte zyrtarët e korruptuar. Duket se si mazhoranca ashtu edhe opozita janë drejt mbylljes së negociatave në mënyrë të tillë që amnistia penale të miratohet që në seancën më të parë parlamentare. Për mbylljen e këtyre negociatave konsensusi do të jepet edhe nga “grupi i dialogut”  që ka një përbërje prej 6 anëtarësh prej të cilëve 3 janë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca dhe kjo do të jetë “menu-ja” që do të ofrohet madje që në seancën e parë të radhës që sipas kalendarit i bie të jetë ajo e datës 4 prill. Por kjo nuk do të jetë “dhurata” e vetme që socialistët do t’i bëjnë “demokratëve” me qëllim që të arrihet 84-shja. Një tjetër dhuratë pritet të jetë edhe plotësimi i kërkesës së opozitës që të falen të dënuarit protestues, të protestave të saj. Kjo duket si tërheqja e radhës nga socialistët, të cilët më parë kishin arritur të pranonin që të falnin vetëm ata që ishin proceduar për tubim të paligjshëm por jo ata që kishin shkatërruar pronat, apo kishin kundërshtuar format e policisë. Paqja parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës duket se po jep frytet e veta në këto ditë marsi pas muajve e muajve të tërë acari politik dhe kaosi parlamentar. Miratimi me konsensus dhe i plotë me votat e opozitës dhe mazhorancës  i ligjit për amnistinë pritet të sjell së paku një numër prej më shumë se 650 përfituesish nga kjo amnisti.