“Provat e korrupsionit”, si ndryshon qëndrimi i Ambasadës së SHBA nga Tahiri te Berisha

255
Sigal

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka intensifikuar përpjekjet e saj për të nxjerrë nga jeta politike ish-kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, duke cituar qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit se ai është përfshirë në “korrupsion madhor”.

Vetë Departamenti i Shtetit, i kontaktuar nga media shqiptare, ka konfirmuar se “provat për korrupsionin e Berishës” janë siguruar nga raportet mediatike dhe organizmat joqeveritare në Shqipëri.

Pra, prova dhe fakte konkrete institucionale e ligjore nuk ka.

Nuk ka asnjë hetim penal ndaj Berishës, të paktën deri më tani, megjithëse Yuri Kim po përpiqet me çdo kusht që të bind Arben Krajën e SPAK-ut të nisë një procedim penal, qoftë edhe pa prova.

Ky qëndrim kaq i vendosur i “Rrugës së Elbasanit” për Berishën, është tërësisht i kundërt me atë që u mbajt për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar zyrtarisht nga institucionet shqiptare dhe i dënuar edhe nga një gjykatë për abuzim me pushtetin.

Le t’i marrim me radhë qëndrimet e Ambasadës Amerikane, të mbushura me shprehje nga gurra popullore shqiptare, për të kuptuar diferencën e madhe mes “sulmit ndaj Berishës” pa prova dhe “mbrojtjes së Tahirit”, me prova abuzimi.

Në Tetor 2017, ish-Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetime ndaj Tahirit, nën dyshime se kishte shfrytëzuar pushtetin e tij si ish-ministër i Brendshëm për të lehtësuar aktivitetin kriminal të kushërinjve të tij, Habilaj, për trafikun e narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.

Pas nisjes së këtij hetimi, ambasadori amerikan në Tiranë në atë kohë, Donald Lu, mbajti qëndrime që dukshëm ishin favorizuese për Tahirin.

Në një aktivitet të Këshillit Rinor Kundër Korrupsionit, mbajtur në 26 Tetor 2017, ambasadori Lu u shpreh:

…Më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar..”.

Qëndrimi i Donald Lu evokonte një të kaluar të errët të komunizmit shqiptar, në të cilën shqiptarët janë dënuar pa prova. Ishte një dëshmi e qartë se ambasadori amerikan nuk e mbështeste hetimin e nisur ndaj ish-ministrit kampion të Edi Ramës.

Nuk përfundon këtu.

Në 4 Prill 2018, në një intervistë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ambasadori Lu sulmoi prokurorët që po hetonin Tahirin.

…Çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo te vendoset nga prokuroret qe nuk bejne punen e tyre.Por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shqyrtojë me transparencë të gjitha provat e çështjes.”

Pra, duket fare hapur se ambasada amerikane, e përfaqësuar në atë kohë nga Donald Lu, ishte kundër një hetimi penal ndaj Tahirit, megjithëse ndaj tij ekziston prova të vërteta, reale dhe të forta për abuzimin me pushtetin e tij, siç konstatoi (ish) Gjykata për Krime të Rënda në vendimin e saj të fajësisë.

Shumë më ndryshe paraqitet situata me Sali Berishën.

Ndaj tij nuk ka asnjë hetim penal (të paktën deri sa SPAK-u t’i bindet presionit të Yuri Kim). Nuk ka asnjë fakt apo provë ligjore që të vendoset përballë Berishës për “përfshirje në korrupsion masiv”.

Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu..”, deklaroi Yuri Kim nga oborri i Partisë Demokratike, pas një takimi në 30 Korrik të këtij viti.

Ambasadorja Kim, ashtu si paraardhësi i saj, evokoi të shkuarën komuniste, sipas të cilës “shqiptarët, edhe bar do të hanin, vetëm të mos shkelnin parimet”, për t’i sugjeruar lidershipit të Partisë Demokratike për të përjashtuar nga radhët e saj Sali Berishën.

Një ambasador përdori Qafë-Bar-in për të mbrojtur Tahirin, e akuzuar me prova, ndërsa ambasadori tjetër përdori “barin” për të goditur Berishën, të akuzuar pa prova.

Çështje bari me aromë ambasadorësh.