Vizita e Merkel në Beograd dhe Tiranë, zbardhet agjenda. Ja me cilët takohet

242
Sigal

Zyra e kancelares gjermane jep detaje për vizitën që Angela Merkel do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor. Fillimisht pritet të ndalojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç. Siç njoftoi zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, Kancelarja do të takojë në Beograd edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një ditë më pas, me 14 shtator do të jetë në Tiranë, ku do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin, Edi Rama.

Diskutimi do të përqëndrohet në çështje bilaterale, ekonomike dhe për integrimin në Bashkimin Europian. Më pas parashikohet një drekë pune me të gjithë kryeministrat e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Temë kryesore do të jetë bashkëpunimi rajonal. Sipas njoftimit të zyrës së kancelares Merkel, pas drekës së punës në Tiranë do të mbahet dhe një konferencë për shtyp.

Në Tiranë, përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ajo do të takojë në biseda dypalëshe edhe krerët e qeverive të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Tregu i Përbashkët Rajonal

E pyetur nga DW për pritshmëritë e kancelares në këtë udhëtim, zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, theksoi se Kancelarja do të bisedojë për “Tregun e Përbashkët Rajonal.” Ajo kujtoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar në konferencën e tyre të fundit virtuale drejtuar nga kancelarja Merkel, më 5 korrik të këtij viti, se do të angazhohen për implementimin e saj.

Fietz tha se kjo do të jetë temë e bisedave, pa hyrë më tej në hollësi për qëndrimin e kancelares rreth nismës më të fundit të tre liderëve ballkanikë, Rama, Zaev, Vuçiq, të quajtur Open Balkan.