Protesta e 11 Shkurtit/ Berisha: Largimi i Ramës, misioni i misioneve!

94
Sigal

“Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë mosbindjen civile, është sot misioni i të gjitha misioneve të qytetarëve shqiptarë, të popullit opozitar”. Kështu u shpreh këtë të Mërkurë kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes me drejtuesit politik dhe drejtuesit e qarqeve në selinë blu, Berisha u bëri apel qytetarëve ti bashkohen protestës së 11 Shkurtit para kryeministrisë.

Duke folur për çështjen “McGonigal”, Berisha theksoi se “kurrë ndonjëherë që nga koha e Enver Hoxhës, dinjiteti i këtij kombi, këtij vendi nuk është poshtëruar në këtë mënyrë”.

Ai shtoi se Rama duhet të largohet, ndryshe shqiptarët do ta hedhin në Lanë.

“Thirrja për çdo shqiptar, në Shqipëri, në çdo vend që ndodhen, në Europë, në SHBA: të bashkohemi për të mbrojtur nderin, dinjitetin, të ardhmen e kombit. Të bashkohemi për të larguar këtë demon pushteti që i futi një thikë në zemër marrëdhënieve me partnerin tonë më kryesor strategjik, me vendin që ka kontribuuar më shumë se çdo vend tjetër në lirinë e shqiptarëve”, tha Berisha.

Ai shprehu besimin se më 11 shkurt, “i madh e i vogël do vërshojë drejt Tiranës në betejën e fitores së përmbysjes së Ramës”.

“Tirana e tërë do derdhet në shesh për të larguar nga pushteti një uzurpator. Një kryeministër i cili me qëndrimet e tij është sot njeriu më i damkosur në të gjithë botën e lirë. Shqiptarët më 11 shkurt do thonë fjalën e tyre”, deklaroi kreu i PD.