KQZ-ja i kthen listën Kuvendit: Dorëheqjet e deputetëve të opozitës me parregullsi

525
Sigal

Lista me dorëheqjet nga mandati të deputetëve të opozitës janë kthyer sërish në Kuvend për parregullsi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pretendoi se Kuvendi nuk ka bërë deklarimin e përfundimit të mandatit dhe nuk ka shpallur vakancën, por pa marrë shumë kohë, Kuvendi ka sqaruar paqartësitë duke bërë që tashmë KQZ të vijojë procesin e zëvendësimit të mandateve. Komisioni Qendror i zgjedhjeve i ka kthyer mbrapsht Kuvendit listën me dorëheqjet e deputetëve të opozitës me pretendimin se procedura ishte e parregullt. Parregullsitë, sipas KQZ qëndronin në faktin, se Kuvendi nuk kishte deklaruar përfundimin e mandatit për 56 deputetët e opozitës dhe shpallja e vakancës, çka vë në lëvizje këtë institucion për të gjetur zëvendësuesit. Po ashtu, edhe për kandidatët për listat jo fituese KQZ është shprehur se nuk do t’i pranojë dorëheqjet paraprake, pasi ata nuk kanë si të dorëhiqen nga diçka që nuk e zotërojnë. Megjithatë, për parregullsitë e pretenduara për listën e 56 deputetëve, burimet thanë se Kuvendi ka dhënë sqarimet e nevojshme dhe ia ka përcjellë sërish brenda ditës listat me dorëheqjet, duke mos e vonuar këtë proces. Pas kësaj procedure, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojë ligjin që do të thotë se nuk ka më asnjë paqartësi dhe do të nisë procedura e zëvendësimit të vakancave.