Ergys Alushi: Luftë në male e futboll në fusha! Ja ndeshjet e futbollit midis shqiptarëve dhe gjermanëve, përgjatë vitit 1944

468
Sigal

Çfarë ndodhte në fushat e Tiranës, Vlorës e Elbasanit? Kampionët e tenisit e të boksit në Tiranë. Ngjarjet që u dhanë fund ndeshjeve miqësore midis shqiptarëve dhe gjermanëve

Luftë në male e futboll në fusha!

Historia e disa ndeshjeve futbolli midis shqiptarëve dhe gjermanëve, përgjatë vitit 1944

Ushtria gjermane hyri në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe brenda pak ditëve vendosi kontrollin e plotë të saj në pjesën më të madhe të vendit. Në Shqipëri u vendosën më shumë se 70 mijë ushtarë gjermanë dhe në vend u shpall ‘Gjendja e luftës’. Një nga masat e para të Komandës gjermane ishte çarmatosja e popullatës dhe kërcënimi ndaj saj, se për çdo ushtar gjerman të vrarë do të vriteshin 30 shqiptarë dhe për çdo ushtar gjerman të plagosur do të vareshin 10 shqiptarë në litar. Gjermanët u kujdesën dhe krijimin e organeve qeverisëse shqiptare që do të ishin në kontrollin e tyre. U thirr Asambleja Kombëtare, u krijua Këshilli i Lartë i Regjencës dhe më pas qeveria e Shqipërisë. Por, paralelisht me këto masa të gjermanëve për krijimin e organeve qeverisëse, erdhi dhe reagimi i parë kundër këtyre masave, siç ndodhi më 18 tetor 1943, kur artileria partizane goditi me top pallatin ku po zhvillonte punimet asambleja e thirrur nga gjermanët. Gjermanët krijuan dhe ushtrinë e xhandarmërinë shqiptare për t’i pasur në kontroll e për t’i përdorur kundër popullatës. Pas masave të marra, ushtria gjermane filloi atë që në historinë shqiptare është njohur si Operacioni i Dimrit 1943-1944, duke ndërmarrë një ofensivë të gjerë kundër forcave partizane, e pasuar kjo me djegie fshatrash e masakra në popullatë, për t’i trembur me qëllimin që të mos bashkëpunonin me forcat partizane. Por, nuk pati vetëm operacione ushtarake, luftë e vrasje. Në disa qytete të vendit u organizuan edhe disa ndeshje futbolli, gara atletike e tenisi midis rinisë së qyteteve dhe ushtarëve gjermanë, të cilët kishin krijuar dhe skuadra të rregullta futbolli. Populli nëpër qytetet mblidheshin në një numër të madh për t’i ndjekur këto ndeshje. Mbështetja për djemtë e tyre ishte e madhe dhe fitorja kërkohej me çdo kusht, aq sa shpesh shkaktonte nervozizëm e mund të rrezikonte shumë.
Kështu, ndërsa në male e zona të thella luftohej, më 3 shkurt 1944 një ekip i Tiranës zhvillon një ndeshje miqësore futbolli me skuadrën ushtarake gjermane. Në fushën “Shallvare” megjithë kohën e keqe me erë e shi, u mblodhën një numër i madh qytetarësh tiranas dhe ushtarësh gjermanë për të parë ndeshjen që filloi në ora 15. Gjendja e terrenit ishte shumë e keqe për shkak të shiut që ra gjatë gjithë ndeshjes. Por, ndeshja vazhdoi dhe nuk u ndërpre për asnjë çast. Pjesa e parë përfundoi 2 me 0 për ekipin e Tiranës, gola që u shënuan që në minutat e para të lojës. Në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola, fillimisht gjermanët e në fund shënuan golin e tretë lojtarët e Tiranës. Golat e skuadrës së Tiranës u shoqëruan me brohoritje të shumta e të gjata.

Gazeta gjermane “Die Lage”

Gazeta gjermane “Die Lage” shkruante kështu për ndeshjen e datës 2 prill 1944 zhvilluar në fushën e Shallvares midis “Sport Klub Tiranës” dhe dhe skuadrës përfaqësuese të trupave gjermane në Tiranë. “Përfundimi i barabartë 1:1 pasqyron me ma të plotën drejtësi lojën e zhvillueme prej të dyja skuadravet. Shqiptarët paraqitnë në fushë një skuadër që dijti t’u përgjigjet ma s’mirit shpresave të nguluna në’të me anën e nji loje kolektive të shpejtë dhe të shkathët. Veçanërisht e fortë u tregue mprojtja e tyne. Vlen të përmendet sidomos portjeri Stolz, që bani disa pritje të guximshme, të cilat i mbajtnë pa frymë jo vetëm shikuesit por edhe sulmuesit shqiptar. …” Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi në barazim 0:0 megjithë rastet e pastra për shënim që u krijuan. Në pjesën e dytë, të parët shënuan shqiptarët dhe barazuan gjermanët.

Në Tiranë luhej teatër!

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, jeta dukej sikur zhvillohej normalisht, megjithë lajmet e gazetave që flisnin gjithandej për luftime dhe “fitore të ushtrisë gjermane”. Kishte fusha tenisi, ring boksi e luhej teatër. Të shtunën e datës 1 korrik 1944, grupi filo-dramatik i mikrofonit të Radio Tiranës dha një shfaqje teatrale për publikun e kryeqytetit duke interpretuar dramën me një akt “Stradivari” dhe komeditë, po nga një akt, “Peshku në det, tigani në zjarr” dhe “Osman, opingaxhiu”. Shfaqjet u dhanë në teatrin “Kosova” duke u ndjekur nga një numër i madh spektatorësh. Kostaq Nase u dallua në interpretimin e rolit të Zhanit në dramën “Stradivari” dhe në rolin që kishte te “Osman, opingaxhiu”. E. Zoraqi spikati me lojën e saj në të tria pjesët, edhe pse ishte një aktore e re, e cila dilte për herë të skenë për të luajtur para spektatorit. U dalluan dhe aktorët e tjerë si Meri Harito, Mihal Stefa, Vanthia Zoraqi, Bardhyle Nase, Thomaidha Rako, Hasan Reçi dhe regjisor Mihal Ciko. Shfaqjet patën sukses, me përjashtim të problemeve të zërit të aktorëve, të cilët u detyruan të ngrinin zërin gjatë interpretimit. Kjo për shkak se teatri “Kosova” nuk kishte akustikë të mirë. “Stradivari” – dramë me një akt e shkruar prej Galenos dhe e shqipëruar nga Kostaq Nase. “Peshku në det, tigani në zjarr” – komedi me një akt, e shkruar nga Nikolla Laskari dhe e shqipëruar prej Kostaq Nase. “Osman, opingaxhiu” – komedi me një akt e shkruar prej Viktor Eftimiut, shqipëruar nga Gjergj Bubani e Th. Duro. Në shtypin e kohës, shfaqjet u cilësuan si një hap pozitiv i hedhur drejt formimit të një Teatri kombëtar. Ndërkohë që në shtyp u kritikua dhe sjellja e publikut gjatë shfaqjeve. “E para një mungesë e plotë dishipline. Vonesa e të ardhunit në teatër. Gjetkë kur një njeri arrin pesë minuta vonë dhe pjesa është duke u lojtur ay prêt në këmbë të mbarohet akti pastaj të shkojë e të ulet në vënd të tij. Në çfaqjet tona, zihen sepse zotnia që ka paguar paret do vëndin medoemos. Dhe kështu shkaktohet një zhurmë prej dreqi, njerëzisë I hipin nervat dhe humbet vijimin e pjesës. Përveç kësaj, këtu ndër ne, kur venë në “teatro’, shkojnë me kuç e me maç, sikur të vinin në ndonjë panair: marrin me vete edhe foshnjat e djepit të cilat bërtasin (të mjerat foshnja se ç’prindër kanë) – Uaaaa!…Uaaa!…pikërisht kur publiku i emocionuar nga një sqenë patetike i ka sytë me lot. Mos kujtojmë pastaj turmën e kalamaqëvet nga 5 gjeri në 10 vjeç! Një ndeshje ‘Top këmbë” me një çfaqje theatrore, janë dy ekstreme! ..Edhe të tymosurit në sallë gjatë çfaqjeve është një tjatër ves i keq që s’u ndreq, shkoi e vate..”

 

Radio Tirana

Ndërsa në Tiranë dhe në disa qytete të vendit zhvilloheshin ndeshje miqësore me ekipet e ushtarëve gjermanë, Radio Tirana argëtonte shqiptarët me programin e saj ditor.
Të dielën e datës 23 korrik 1944 nga shtypi i kohës shkëputëm programin e Radios:

Ora 7.00 – lajme gjermanisht
7.15 – muzikë e ndryshme
7.30 – lajme shqip
8.00 – muzikë popullore
8.25 – ora e katundarit dhe biseda e mjekut H. Sulçebe
19.00 – ora gjermane
20.00 – lajme gjermanisht
20.15 – kuarteti shkodran
20.45 – lajme shqip
21.05 – “Dy fjalë ndëgjuesit”
21.15 – grupi filodramatik i Radios
22.00 – lajme anglisht
22.15 – muzikë e ndryshme
22.45 – lajme shqip
23.00 – muzikë vallzimi

“Sport Klub Tirana”, në korrik 1944

Edhe pse nën pushtimin gjerman dhe luftën që zhvillohej në shumë zona të Shqipërisë, Në Tiranë vazhdonte të kishte gjallëri sportive. Fusha sportive e “Shallvares” ishte e mbushur çdo ditë me të rinj të shumtë që praktikoheshin në disa sporte, kryesisht në lojën e futbollit (top këmbës), që ishte sporti i preferuar i shumicës së rinisë së kohës. Por, futbolli nuk luhej vetëm aty. Në të gjithë Tiranën grumbuj fëmijësh e të rinjsh ishin pamja e zakonshme e ditëve të nxehta të korrikut të vitit 1944. “Ku ka një shesh, shpejt kthehet në një fushë skërmbylle për të vegjlit. Topi i tyre përbëhet prej leckash të ngjeshura në një si qese të rrumbullaktë e të qepur mirë. Portat e lojës janë shënuar me xhaketat. Distanca disa metrash. Lozin përgjithërisht këmbë zbathur, sepse mjer ata kur të kthehen në shtëpi. Këpucët kushtojnë aqë shtrenjtë, sot. Dhe kur u mungon sheshi i shihni të lozin edhe anës rrugës…” Kështu përshkruhet realiteti i një dite të zakonshme lojërash në Tiranë, vetëm pak muaj deri në përfundimin e Luftës.  “Sport klub Tirana” luante një rol të rëndësishëm në gjallërimin e jetës sportive të kryeqytetit. Selia e përkohshme e këtij klubi ishte vendosur në shtëpinë foshnjore që njihej me emrin “Hysen Nikolica”. Ishte një seli e mobiluar bukur për kohën, me mobilie të reja, kontribut i tregtarëve të Tiranës. Selia kishte dhe një “bufe” të pasur me çmime modeste për sportistët që frekuentonin Qendrën e tyre. Kryetar i “Sport klub Tirana” ishte A. Shundi, një sportist i vjetër i Tiranës. Deri në korrik të vitit 1944, klubi numëronte 710 anëtarë të rregullt, nga të cilët 150 janë anëtarë dashamirës, kurse të tjerët ishin anëtarë efektivë. Sportet më të frekuentuara nga rinia ishin futbolli, atletika dhe boksi.

Sporti i tenisit dhe fusha e “Tenis Nallbani”

Drejtuesit e “Tenis Nallbani” me dëshirën e vetë lojtarëve organizuan disa ndeshje tenisi, nën kujdesin e Komitetit Krahinor të Tiranës dhe Shoqatës Mirëbërëse të Beratit. Të hollat nga shitja e biletave do të shkonin për të mjeruarit e Luftës të rretheve të Tiranës e Beratit.
Në ndeshjet individuale u ndeshën Jusuf Vrioni kundër Sali Nallbanit dhe Hasan Mëniku kundër Felatun Vilës.  Sporti i tenisit kishte një zhvillim të kënaqshëm në Tiranën e korrikut 1944. Fusha e tenisit “Nallbani” ndodhej në qendër të kryeqytetit, vetëm disa metra larg fushës sportive të “Shallvares”. Një nga kampionët e kohës në tenis ishte Salih Nallbani. “Fusha ësht e rrethuar me rjeta të larta teli dhe i ndan në mes një kopësht i gjerë plot pemë që bëjnë hije të këndëshme për këtë kohë vape….gjer tani dy janë fusha efektive të tenisit, tri tavolina ping-pongu, një shenjë qitjeje dhe një vokator për të shkrirë mushkujt në mëngjez. Mbi këto duhet të shtojmë dy dhoma çveshjeje, njëra për seksin e vrazhdët dhe tjetra për atë të ëmblin. Janë dy dhoma moderne me dushet aq të nevojshëm brenda…Janë nja pesëdhjetë meshkujt e nja tridhjetë femrat, amatore. Në garat e fundit që janë çfilluar ca kohë më parë u dalluan: Niko Bonati dhe Andrea Aroni, të cilët janë klasifikuar në kategorinë e parë. Nga vajzat më të mirat kanë dalë zonjushat Hando Hoxha dhe Viollca Grëblleshi…”

Po kush ishte Salih Nallbani?

Që në moshën 15 vjeçare, shtypi i kohës e përmend si një fenomen të sportit të tenisit. Që kur ishte në gjimnaz ai stërvitej bashkë me shokë të tjerë nga nga profesori Marchand. Pas dy muajsh stërvitje u organizua ndeshja e parë me Tenis Mbretnor, skuadra  II. Në këtë ndeshje ekipi ku përfshihej edhe Nallbani humbi 5:1 dhe vetëm ai do të fitonte nga skuadra e tij. Pas tre muajsh, ndeshja do të riluhet dhe skuadra e Nallbanit do të fitonte 5:1. Pas kësaj Nallbani u thirr nga Tenisi Mbretnor që frekuentohej në ato vite nga elita e Tiranës dhe diplomatët e huaj. Lojtari më i mirë i Tenisit Mbretnor ishte gjermani Stahl, i cili qe dhe kampion ndër shqiptarët e të huaj, për shtatë vjet rresht. Gjashtë muaj pasi kishte kapur për herë të parë raketën e tenisit me dorë, Nallbani do të t’i mundte me radhë njëri pas tjetrit të gjithë lojtarët më të mirë të Tenisit Mbretnor, përfshi këtu edhe profesorin e tij Machardin, e më në fund, në vitin 1932, mundi edhe vetë Stahl-in, i cili deri në atë kohë kishte qenë i pa mundur. Tensiti shqiptar Nallbani ka zhvilluar dhe takime ndërkombëtare si në Stokholm, Kpenhagen, Berlin, Itali e të tjera duke fituar disa ndeshje me tenistë të njohur në Evropë.

Ndeshje boksi nga kampioni Rafail Dishnica

Në sallën e kinema “Donika”, në ora 18.30 të datës 9 gusht 1944, në prani të një publiku shumë të madh dhe entuziast u zhvillua një ndeshje boksi midis boksierëve gjermanë dhe shqiptarë. Gjermanët ishin më me përvojë në boksim pasi kishte zhvilluar sexily mbi 20 ndeshje apo dhe më shumë, ndërsa boksierët shqiptarët hipnin për herë të parë mbi dërrasat e ringut.
Megjithatë boksierët shqiptarë i fituan ndeshjet duke pasur gjatë gjithë kohës dhe mbështetjen e zjarrtë të publikut. Meritën e suksesit të ekipit shqiptar e pati kampioni profesionist i boksit shqiptar Rafail Dishnica. Myftar Marko fitoi në raundin e tretë ndaj gjermanit Rossner. Shqiptari Mehmet Kryeziu fitoi me pikë ndaj gjermanit Eulberg. Me pikë fitoi dhe Ali Kastrati ndaj Jahn. Ndeshja më e bukur që arriti dhe kulmin e entuziazmit ishte ajo e zhvilluar midis Rafail Dishnicës dhe Hofmeister. Boksieri profesionist shqiptar tregoi një nivel të lartë boksimi që e ka treguar dhe në ndeshje të shumta ndërkombëtare që ka zhvilluar. Edhe boksieri gjerman ishte t një niveli të lartë, por në fund fitorja i buzëqeshi shqiptarit Dishnica.

Në Elbasan e Vlorë, të rinjtë e qyteteve luajnë ndeshje miqësore futbolli me ushtarët gjermanë. Fitojnë shqiptarët në të dyja ndeshjet.

2 korrik 1944

Të dielën e datës 2 korrik 1944 në Elbasan do të luhej një ndeshje miqësore futbolli midis shoqërisë “Bashkimi elbasanas” dhe ekipit të Vermacht-it, e cila përfundoi me fitoren e ekipit vendas. Ndeshja filloi në orën 18.30 dhe u ndoq nga një numër i madh njerëzish që kishin rrethuar fushën e futbollit. Gjermanët do të shënojnë të parët në minutën e 10-të, ndërkohë që elbasanasit do të barazonin në minutën e 38-të. Në pjesën e dytë lojtarët gjermanë e rrezikuan disa herë portën, por mbrojtësi Gjeloshi ishte më I miri në fushë dhe largoi disa herë rrezikun nga porta. Megjithatë, “Bashkimi elbasanas” shënoi dhe dy herë të tjera me N. Palin dhe Muzhaqin, duke fituar 3:1.

20 korrik 1944

Në Vlorë luhet një ndeshje miqësore midis “Fanterisë gjermane” dhe grupit sportiv vlonjat. Takimi mbyllet me fitoren e vlonjatëve me rezultatin 3:2. Qindra banorë të qytetit kishin rrethuar fushën ku u zhvillua takimi, që filloi në ora 18.15.  “Grupi sportiv Vlonjat” do të aktivizonte këta lojtarë: P. Vangjeli, L. Papasaia, C. Sharra, P. Xhelali, H. Arapi, L. Palla, M. Mina, Z. Muçaj, N. Dumani (kapiten), L. Ismaili dhe Papalilo. “Fanteria gjermane: Kettner, Lindner, Schmid, Bruns, Maszar, Unrich, Ruzicha, Gerger, Kahtenbruner, Kettner (kapiten). Ndeshja u arbiutrua nga një lojtar veteran i skuadrës vlonjate “Ismail Qemali”, portieri i mirënjohur, Llazar Vavypi. Golin e parë do ta shënojnë gjermanët me anë të Grergorit. Pas pësimit të golit vlonjatët shfaqin nervozizëm të mbështetur dhe nga publiku që kërkojnë barazimin. Në një nga sulmet e vlonjatëve Papalilo pengohet brenda zonës dhe arbitri vendos për 11-metërsh, të cilin e kthen në gol Mina. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1:1. Në pjesën e dytë gjermanët do të shënojnë përsëri të parët, por vlonjatët barazojnë sapo nisin topin nga mesi i fushës. Golin e fitores e shënojnë vetëm disa minuta më vonë. Ndeshja përfundon 3:2 për vlonjatët. Për të përgatitur ndeshjen me gjermanët, vlonjatët kishin zhvilluar më parë një ndeshje kundër “Apolonisë” së Fierit, që u zhvillua në fushën e Vlorës. Rreth 2000 spektatorë e ndoqën ndeshjen që u zhvillua në fushën përgjatë rrugës Vlorë-Skelë. Arbitri i ndeshjes ishte portier i ekipit të ushtarëve gjermanë. Ndeshja përfundoi 4 me 0 për ekipin e Vlorës. Tregtarët e Vlorës Levi Jakoel, Qazim Sorra e vëllezërit e tij si dhe vëllezërit Bekosta, që me ndërmjetësimin e Eqrem Sorrës dhuruan vullnetarisht uniformat për ekipin e rinisë së Vlorës. Situata në Shqipëri sa vinte dhe rëndohej. Gjermania po pësonte humbje të konsiderueshme në të gjithë frontin e luftës, duke përfshirë dhe atë të Shqipërisë. Forcat partizane të mbështetura nga aleatët dhe një pjesë e madhe e popullsisë kishin fituar terren dhe ushtria gjermane ishte e grumbulluar në qytetet më të mëdha të vendit. Nuk kishte më lojëra, nuk luhej më futboll e sporte të ndryshme. Askush nuk e kishte mendjen më tek ato. Ngjarjet rrodhën njëra pas tjetrës. Dy prej tyre ishin më kulmoret që ndodhën në Tiranë në shtator dhe tetor të vitit 1944.

6 shtator 1944

Të mërkurën e datës 6 shtator, rreth orës 23, vritet me armë zjarri brenda në banesën e tij, Lefter Kosova, i sapo emëruar Ministër i Punëve Botore në qeverinë e krijuar nga Ibrahim Biçakçiu. Vrasja e ministrit Kosova bëri një bujë të madhe në kryeqytet. Tirana e mësuar me atentate të ndryshme, tashmë kishte përjetuar dhe një atentat të nivelit të lartë, ku objektivi kishte qenë një ministër. Qeveria e sapokrijuar e Biçakçiut sapo mësoi për ngjarjen u mblodh urgjentisht në një këshill të posaçëm, ku bashkë me masat për kapjen e autorëve u vendos dhe për ceremoninë e varrimit që do të kryhej ditën e enjte, në ora 15. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit për kohën që nga Anëtarët e Këshillit të Lartë; Lef Nosi e Ceno Beg Ulqini, kryeministri, kryetari i parlamentit Mihal Zallari me të gjithë deputetët, ministra, prefekti i Tiranës e të tjerë drejtues institucionesh të larta. Në fjalën e tij në ceremoninë mortore, kryetari i parlamentit Zallari tha ndër të tjera “Kemi të bëjmë me një vrasje politike dhe kam frikë se vrasësit mburren për veprën e tyre” Natën duke u gdhirë 21 tetori i vitit 1944, në rrugën e Dibrës, në mes të Tiranës u krye një atentat kundër një automjeti gjerman, viktimat e të cilit qenë oficerë dhe ushtarë gjermanë. Ngjarja do të zemëronte keq Komandën e Fuqive të Armatosura gjermane në Tiranë. Në një komunikatë drejtuar qytetarëve të Tiranës shkruhet ndër të tjera: Durimi i Fuqive t’armatosura gjermane mori fund. Banorët që janë përreth vendit të ngjarjes nuk janë kujdesur të largojnë ose të pengojnë krimin e shëmtuar. Si masa ndëshkimi urdhërohet për sa vijon:

  1. Lagjja rreth e përqark vendit të ngjarjes në rrugën e Dibrës, do të shembet.
  2. 100 të burgosur komunistë nga Tirana, që i përkasin rangut intelektual dhe që ndodhen në fushën e përqendrimit të Prishtinës, do të pushkatohen menjëherë për hakmarrje..
  3. 80 pjesëtarë të njohur të “Nacional-Çlirimtares” në Tiranë do të mbahen peng dhe në rast të përsëritjes të atentateve kundër pjesëtarëve të fuqive të armatosura gjermane do të varen publikisht…”