Projekti i suvatimit të Spaçit, parashikohet edhe një kullë e vogël për Mirela Kumbaron

46
Sigal

Gjithçka e shkruar mjaft qartë, ku do të përdorej beton, tullë, do bëhej suva apo edhe do bëhej lyerje me bojë. Por, asnjë përcaktim se si ka qenë më para, rikthim në identitet apo edhe restaurim apo konservim si e cilësojnë. Duket se ndërhyrjet janë vetëm formale, pa një plan të mirëfillë, duke tentuar që të mbulohet identiteti i një godine historike, e cila është dëshmi e vuajtjes së mijërave personave të dënuar padrejtësisht, vetëm për ideale apo për agjitacion e propagandë.

Ndërhyrja për “konservimin” dhe “restaurimin” e burgut famëkeq të Spaçit, i shpallur monument kulture, mori një kthesë tjetër, pas publikimit të dokumenteve të tenderit.Ish-kandidati për deputet i Partisë Social Demokrate në vitin 2021, Benard Martini, me firmën e tij “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE” sh.p.k, fitoi edhe tenderin në muajin prill 2025. Vlera e procedurës është rreth 130 mijë euro, teksa nga fotot e publikuara dukej suvatim dhe vendosje tullash në disa godina që kanë shërbyer në Burgun e Spaçit.

Por, çfarë projekti është miratuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore?!

Dokumentet e projektit, relacionit dhe gjithçkaje tjetër për ndërhyrjet në Spaç, ku faktohet me shkrim, foto dhe skica se çfarë ndërhyrjesh ishin kërkuar. Dhe, ashtu siç edhe rezulton nga fotot, ndërhyrjet kanë qenë për beton, suvatim, lyerje, bojë, vendosje portash, bërje mur me tulla apo edhe ndërhyrje në tualete.

Në dokumente sipas voxneës sqarohet se burgu dhe kampi funksiononte ku të dënuarit, përveç vuajtjes së dënimit, duhet të punonin detyrimisht edhe në minierë. “Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1990, kur burgu pushoi së funksionuari dhe u la në braktisje totale pas vitit 1995 me mbylljen e minierës. Që nga ky vit, deri më sot, vendi ka vazhduar të shkatërrohet gradualisht nga faktorë njerëzorë dhe natyrorë. Në vitin 2007 shpallet monument kulture i kategorisë së dytë dhe në vitin 2015 shpallet edhe zona e mbrojtur e monumentit, e cila përfshin godinat e burgut dhe ato të administratës së minierës dhe punëtorëve të lirë”- thuhet në këto dokumente.

Mësohet se, nga informacionet e gjetura dhe dëshmitë e ish të burgosurëve, tregojnë se kompleksi i burgut ndahej në 3 zona kryesore. Zona që i përket minierës, galeritë ku kryhej puna. Zona e dytë e banimit të të dënuarve, ku ndodhen fjetoret, infermieria, menca, komanda ushtarake dhe godina të tjera të kontrollit. Dhe zona e tretë, ajo e administratës së minierës ku qëndronin punëtorët e lirë.

Godinat janë të vendosura në 2 grupe, në një distancë prej rreth 150 metra nga
njëra-tjetra. Godinat janë ndërtuar në kohë të ndryshme midis viteve 1970 dhe ’80, sipas nevojave që kishte burgu dhe miniera. Ato variojnë nga 1 deri në 5 kate dhe janë ndërtuar me mure tulle.

“Dëmtimet kryesore janë ato që lidhen me infiltrimin e ujit si pasojë e dëmtimit të hidroizolimit dhe shëmbjeve të pjesëve të strukturës. Infiltrimi i ujit është shumë i dukshëm në katët e sipërme, ku duket prezenca e lagështisë, ka shkëputje të suvasë, dëmtim të tullave me vrima dhe gërryerje të fijeve të çelikut” thuhet në dokumente.

Sipas saj, dëmtime të tjera të pranishme në të gjitha godinat janë heqja e të gjitha dyerve dhe dritareve, kangjellave, rrethimeve, etj. Heqja, dëmtimi i të gjithë parapeteve të ballkoneve dhe shkalleve. Si dhe dëmtimi i një pjese të madhe të pllakave e shtresave të shtrimit të dyshemeve.

Por, çfarë punimesh janë kryer dhe duhet të kryheshin në Spaç?! Sipas dokumenteve që disponon VoxNeës, IKTK shkruan se ndërhyrja do të jetë në tetë pika të ndryshme.Pika e parë ishte vendosje porte metalike, ndërmjet objekteve nr.3a dhe nr. 3b. Ndërhyrje në rrethimin e skarpatës të sipërme dhe asaj të poshteme me rrjet teli të thurur. Gjithashtu, vendosje parmakësh tek shkallaret e objektit nr. 3a, suvatim i brendshëm dhe lyerje me bojë. Pra, shkruhet mjaft qartë “suvatim dhe lyerje me bojë”!

Pikat e radhës ishin vendosje portë druri në katin e dytë të objektit nr 3. Vendosje parmakësh, apo ndërhyrje në vendosjen e rrethimit të lartë në pjesën jugore të objektit.

Kërkohej dhe duhet të jetë bërë edhe ndërhyrje në rrethimin e oborrit të brendshëm të objektit nr.4 dhe e një objekti tjetër. Gjithashtu, edhe ndërhyrje në vendosjen e kullës së vrojtimit, plotësimi i mureve të tullës.

Kërkohej edhe vendosja e kangjellave apo edhe ndërhyrje në plotësimin e mureve të tullës në objektin 3b, 5 dhe rrënojat e tualeteve. Kërkohej edhe ndërhyrje në kullën tjetër të vrojtimit, apo edhe riparim i shkallëve me beton.

Gjithçka e shkruar mjaft qartë, ku do të përdorej beton, tullë, do bëhej suva apo edhe do bëhej lyerje me bojë. Por, asnjë përcaktim se si ka qenë më parë, rikthim në identitet, apo edhe restaurim apo konservim si e cilësojnë. Duket se ndërhyrjet janë vetëm formale, pa një plan të mirëfillë, duke tentuar që të mbulohet identiteti i një godine historike, e cila është dëshmi e vuajtjes së mijërave personave të dënuar padrejtësisht, vetëm për ideale apo për agjitacion e propagandë. Pra, të dënuar politik!

Por, të tenton që të ndërhysh në një monument të tillë, sa njerëzor apo të dhimbshëm, duhet të bësh studime të mirëfillta, ta kthesh si ka qenë dhe jo të bësh tendera formalë për t’ia dhënë një firme, me pronar një kandidat për deputet apo edhe i proceduar penalisht.

Bashkëlidhur këtij investigimi, projektin, relacionin teknik apo edhe pasaportën e monumentit, për të hedhur sadopak dritë mbi ndërhyrjet tepër të dyshimta në atë burg. Gjithsecili, por më të rëndësishmit, janë ata që kanë vuajtur në atë burg-kamp-minierë. Qindra kanë ndërruar jetë dhe disa janë dëshmi e gjallë e vuajtjeve që kanë kaluar në Spaç!