Profili/ Kush është prokurori amerikan që merr sot në pyetje Hashim Thaçin

379
Sigal

Dita e sotme është e rëndësishme madje shumë për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ai do të përballet me pyetjet e Prokurorisë Speciale mbi akuzën ndaj tij për krime lufte.

Në një njoftim për shtyp, zyra e Prokurorit Special për Kosovën ka bërë të ditur se nuk do të japë asnjë njoftim mbi këtë procedurë, dhe ka shtuar se çdo dalje informacioni mund të bëhet vetëm nga zoti Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Po kush është Prokurori që ka vendosur që të vendosë nën akuzë njeriun më të fuqishëm të Kosovës?  Ai është një amerikan, emri i tij është Jack Smith, me përvojë në hetimet penale ndërkombëtare.

Smith ka qenë prokuror federal në Nju Jork dhe Tennesse në SHBA dhe për 2 vjet nga 2008-2010 ka punuar në Gjykatën Ndërkombëtare si prokuror për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Ndërkaq, nga viti 2010-2015, Smith ka qenë kreu i seksionit për integritet në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, ku ka ndjekur çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Gjatë karrierës së tij, Smith ka marrë një sërë çmimesh, si Çmimin e Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së; Çmimin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së për Shërbime të Shquara; Çmimin e Shoqatës Federale të Juristëve për prokurorët e rinj federalë; Çmimin Charles Rose të Shoqatës së Rajonit Lindor; Medaljen Henry L. Stimson të nga Shoqata e Juristëve të Kontesë së Nju Jorkut; si dhe bursën pasuniversitare  Wasserstein të Fakultetit Juridik të Universitetit të Harvardit. Ai është diplomuar në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Oneonta.

Smith ka pasuar në këtë detyrë, prokurorin tjetër amerikan,  David Schwendiman, që u bë i pari Prokurori Special më 1 Shtator 2016 dhe ishte më parë, nga maji 2015, Prokurori Drejtues i Task Forcë Speciale Hetuese (SITF). Prokurori kryesor i SITF-it, i cili shërbeu midis tetorit 2011 dhe gusht 2014 ishte Clint Williamson, një ish-Ambasadori i Përgjithshëm i SHBA për çështjet e krimeve të luftës.

Stafi i SPO – prokurorët, hetuesit, analistët, profesionistë të sigurisë, specialistë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe punëtorët mbështetës – janë ndërkombëtarë me shtetësi të një shteti anëtar të BE-së ose një nga pesë vendet që nuk kontribuojnë në BE: Kanada, Norvegji, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.