Prof.Përparim Kabo: A kanë të drejtë gratë greviste të jëtojnë ?!

419
Sigal

Letër e hapur znj. Vasilika Hysi, dhe të gjitha grave deputete , ministre, ish ministre dhe atyre të shoqërisë civile duke ju kërkuar që me kurajon civile të ndërhyjnë dhe ti japin fund situatës me gratë greviste të naftës. Ato dhe familjet e tyre janë pa paga, pa ushqime, pa drita, pa ujë dhe pa veshje ndërsa një pjesë e juaja jetoni në luks, vila dhe të pispillosura. Këshilla për znj. Linda Rama, z.Ruçi, drejtësinë dhe heshtja për grabitjen e pasurisë kombëtare.

E nderuar zonja Hysi, prindi Vasilika, profesoresha e respektuar, aktivistja e shquar e shoqërisë civile, qytetarja korrekte, nëna e përkushtuar, mike e mirë dhe dialoguese, nën/kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë!  Po u drejtohem juve me këtë letër të hapur. Sot (dje) është 1 nëntor 2020. Vjeshta po del ngadalë e ngadalë dhe dimri po vjen. Gjendja në vend është e rënduar nga pandemia dhe ekonomia është e kapur në një situatë aspak të mirë. Njerëzit në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, Korçë, Pogradec, Elbasan, Vlorë, Sarandë apo gjetiu, kanë dalë të veshur si për të dielë, nuk mungojnë ikonat uronjëse në rrjetet sociale, apo drekat e bollshme dhe lëvizjet me makinat luksoze. Pikërisht në këtë ditë janë disa gra si Ju, janë disa nëna si ju, janë disa qytetare me të Drejtat e Njeriut po si ju, janë ca bashkëshortë po aq të perkushtuara si edhe ju zonja Hysi, që prej disa ditësh janë të ngujuara në një grevë urie.

E nderuar zonja Vasilika Hysi, ju kërkoj që me personalitetin që keni, me kurajon civile dhe me devotshmërinë tuaj organike, t’i jepni fund kësaj situata. Njerëz, që kërkojnë pagat e prapambetura? Çfarë gjëje të paligjëshme ka në këtë mes?! Njerëz që kanë fituar gjyqin me punëdhënësin dhe ai s’u jep pagat. Unë ju pyes juve në këtë rast, si profesore e jurisprudencës. Ku duhet ta gjejë të drejtën ky qytetar? Nëse edhe vendimi i gjykatës nuk zbatohet? Ju zonja Hysi dhe ju të gjitha gratë deputete, ministre, ish- deputete, apo ish -ministre, punonjëse të administratës së lartë publike, ju zonja të pispillosura me modernitet të shoqërise civile, që u majmët me fonde dhe me to bletë vila, vetura dhe udhëtime ekzotike… a ka mundësi një minutë, një të vetme të ndaloni ritualin tuaj dhe të pyesni veten. – Çfarë do bëhet me gratë e ngujuara. A nuk kanë të drejtë ato të jetojnë? Po si? Pa paga, pa ushqime, pa dritë elektrike dhe ujë, pa veshje dhe higjienë? Të gjithë këto shërbime paguhen dhe që t’i paguhesh duhen paratë, dhe që t’i jesh i pajisur me to, duhet që për punën që ke bërë të jesh i paguar. Nuk mund të vijohet më me indiferentizmin e zotit Gramoz Ruçi, sjellje që nuk e prisja prej tij. I drejtohem me emër, sepse ia njoh dinjitetin, por si deputet në atë qark dhe si kryetar i Kuvendit, ai duhet të kishte ndikuar për zgjidhjen e çështjes. Nuk besoj më në lojën pa rregulla të zotit Edi Rama, i cili në fillim tha: “… se keni me mua e keni me privatin e më tëj nga faqia e tij on -line u tha grave ballshiote,… dilni nga greva dhe ejani të bisedojmë”. I kujtoj zonjës Rama, si grua dhe si nënë, por dhe si aktiviste e shoqërisë civile, të zbatojë edhe në këtë rast atë që ka thënë një herë, kur foli për pronën e saj…Janë pare gjaku! Zonja Linda Rama dhe ato gra pare gjaku i kanë. Ndaj të gjithë bashkë, ju socialistët shqiptarë; nëse jeni në pushtet për të administruar sovranitetet e deleguara, mbroni qytetarin, të Drejtat e Njeriut, të drejtën e parë, atë të jetës. Janë në rrezik, jo vetëm jetët e atyre grave, por edhe të familjeve  të tyre.

A mendoni për fëmijët e tyre, si zgjohen, si flenë, si ushqehen, si vishen, si shkollohen, si ëndërrojnë?  Nëse nuk e mendoni këtë gjë ju ka zënë sytë hedonizmi juaj, që duket në mënyrën si jetoni dhe si e shijoni luksin tuaj.

E nderuar Zonja Hysi… nëse do të hysh në histori, bëj një gjest…

Shkoi Kryeministrit në zyrë, ose thirre në zyrë, ose nesër në seancën Plenare në Kuvend; dilni në foltore para deputetëve dhe popullit dhe kërkoji… Zotit Edi Rama, zgjidh çështjen e naftëtarëve, jepu bukën e gojës, të drejtën legjitime, ndryshe ja ku është mandati im, ky parlament dhe kjo shumicë s’kanë lidhje me idealet mia, që i solla nga shoqëria civile si një aktiviste e nderuar dhe shumë e respektuar.

Zonja Hysi, populli është gjunjëzuar me varfëri, është nëpërkëmbur me varfëri, është shpërfillur me varfëri, sa kohë që pasurinë kombëtare ua dhatë privatit, pronën publike e mori privati dhe pronën private të individit e mori informali, që u legalizua nga ju në një jerm populist…

Po ju shkruaj hapur, si koleg në jetën univesitare. Unë fola dhe shpëtova shpirtin tim, si edhe shkruanin latinët.  Është rradha juaj që të tregoni se jeni nga ana e popullit dhe jo nga ana e heshtjes. Me respekt dhe besim.