Prof.Luçiano Boçi: Milionat e “Rilindjes” dhe krimit për blerjen e votave

49
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Të hedhësh filxhan, pasi ke parë ëndrra dhe të paguash fallxhorë për të rrëfyer “gjetje” është kohë e humbur. Unë takoj njerëz dhe prek zemra të nxehta, të revoltuara, të dëshiruara për ndryshimin

Prof. Luçiano Boçi, kandidat për deputet i PD me nr.7 në Qarkun e Elbasanit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se sjellja klienteliste dhe korruptive, që po e rrëzon këtë qeveri, kështu, shpjegohet edhe koncesioni i fundit det në Kakome të Sarandës, ka marrë oligarku i kryeministrit Rama Gjergj Luca. Zoti Boçi, pohon se “Vënia në skenë ditën e hapjes së fushatës së një dhune fizike në prani të kryeministrit dhe me miratimin e tij formal, ishte parathënia e fushatës së PS”.  Fitorja ime zgjedhore ju përket qytetarëve! Njerëzit kanë dëgjuar programin kuadër të Partisë Demokratike dhe janë ngazëllyer

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

Zoti Boçi, pas dhunës që Gjergj Luca ushtroi ndaj jush, qeveria i jep edhe 14 km2 sipërfaqe deti në Kakome Sarandë, për të ushtruar biznes, pa bërë aspak transparent procesin. Rastësi është koha e dhënies së këtij koncesioni?

-Në fakt pyetja mund të shtrohet, cilin prej koncensioneve të tjera ka bërë transparent qeveria?! Për cilin ka ndjekur procedura dhe praktika ligjore? Asnjë habi nuk ka. Është kjo sjellje klienteliste dhe korruptive, që po e rrëzon këtë qeveri. E kundërta do më habiste. Pse ja jep dikujt apo dikujt tjetër, kjo nuk ndryshon asgjë: publiku shqiptar ka tetë vite që grabitet me vulën e kryeministrit. Sa i përket dy ngjarjeve, nuk do t’i lidhja. Sjellja e gjithkujt është çështje karakteri, jo tregëtie.

“Fitorja ime zgjedhore ju përket qytetarëve! Njerëzit kanë dëgjuar programin kuadër të Partisë Demokratike dhe janë ngazëllyer. Njerëzit kanë dëgjuar programin tim për Elbasanin dhe janë bërë optimistë”

– PD dhe ju keni denoncuar kohët e fundit se biznesmeni Gjergj Luca punon për të blerë vota për Rilindjen. Cilat janë faktet?

-Kryetari i shtabit të PD-së në Elbasan, z. Gazmend Bardhi ka dorëzuar një dosje të plotë në SPAK për këtë çështje. Nuk besoj se një përgjigje e imja do të ezauronte një dosje të tërë. E kam thënë dhe e përsëris: është PS-ja që po blen vota. Ata që i shërbejnë kësaj – cilido qofshin – do të përballen me drejtësinë, ashtu siç i quajti ambasadorja amerikane: Kriminelë. Para ligjit të gjithë janë të barabartë, pavarësisht mantelit që veshin si politikanë, biznesmenë apo shërbëtorë.

– Zoti Boçi, ajo skemë e ushtrimit të dhunës së njerëzve me kobure në brez kundër qytetarëve në qendër të Elbasanit, më 14 mars, kur deri më sot prokuroria heshti dhe nuk veproi ndaj atyre që pa leje mbanin armët në vendet publike mendoni se ishte prova gjenerale se e terrorit, kërcënimeve, ushtrimit të dhunës kundër votursve më 25 prill?

-Vënia në skenë ditën e hapjes së fushatës së një dhune fizike në prani të kryeministrit dhe me miratimin e tij formal, ishte parathënia e fushatës së PS. Prej atij casti – u kuptua se banda qeveritare synonte të intimidonte qytetarët, për t’ju bërë presion zgjedhësve, për t’ju treguar pasojën përpara se t’ju tregonte kërkesat. Ato ishin dorëzimi i kartave të identitetit sipas pemës familjare të punonjësve të administratës, frenimi me çdo mjet – përfshi dhunën publike – i mbështetësve të opozitës për t’u bërë aktivë dhe heqja e së drejtës për disa prej tyre që të votojnë, etj. Tani po zbatohet faza e blerjes së votës. Por asgjë nuk do të mund ta ndalë uraganin e ndryshimit dhe Edi Rama e ka kuptuar këtë.

“Edi Rama ka vjedhur këtë popull edhe për dy dekadat që do të vijnë, jo vetëm për 8 vitet që ndenji në pushtet. Kjo është kriminale!”

– SPAK nuk dënoi deputetët dhe ministrat, që ishin protagonistë të vjedhjes së votës në Dosjet 184 dhe 339. Kësaj here, opozita si do ta mbrojë votën në 25 prill, kur Gjyqësori ka dhënë precedentin se nuk dënohen dhunuesit e votës?

-Ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh e vetëdijshme në intervistën e saj “…se ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë here”, – tha ambasadorja Yuri Kim. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari”. Nuk do i shtoja asnjë fjalë komentit të saj me theks të fortë paralajmërues: “Mos e merrni lehtë; mos e shisni votën; mos u përpiqni të bleni një votë dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht”. Të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara – po aq sa BE – janë investuar fuqimisht në Reformën për Drejtësi. Do të ishte fatale për ta, po aq sa për ne, që SHBA të pranonin dështimin në këtë aspekt.

Nuk besoj se do të ndodhë.  Për sa i takon pyetjes, si do ta mbrojmë votën, unë i pari ju kam bërë thirrje të gjithë anëtarëve të opozitës, që marrin dijeni apo disponojnë prova për tentativat e shitblerjes së votës, që të më kontaktojnë dhe do të jem unë ai që do të mbroj integritetin e qytetarëve, që zgjedhin dinjitetin përballë kriminelëve politikë. Do të jem unë që do t’i çoj këto prova në çdo institucion të drejtësisë dhe do të përfaqësoj vullnetin e prerë të zgjedhësve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Përpara se të jetë luftë për karrike, këto zgjedhje janë luftë për dinjitet dhe për emancipim politik të vendit. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund!

– Ju si i shpjegoni që sondazhet tregojnë se ende Rilindja është parti e parë, ose e barabartë me PD në preferencën e votës së shqiptarëve, edhe pse ka 8 vjet që siç akuzoni ju, bashkëqeveris me korrupsionin dhe me krimin organizuar?

-A ju kujtohen sondazhet e vitit 2005? PD-ja fitoi dhe befasoi me fitoren e thellë. Të hedhësh filxhan, pasi ke parë ëndrra dhe të paguash fallxhorë për të rrëfyer “gjetje” është kohë e humbur. Unë takoj njerëz dhe prek zemra. Janë të nxehta, të revoltuara, të dëshiruara për ndryshimin. Politika është ndërveprim me të vërtetën.

– Zoti Boçi, derisa Rilindja ka gjithë të dhēnat personale të votuesve, edhe numrin e ID, a ka mundësi, që komisionerët e saj në Qendrat e Votimit të hedhin votat në emrat e atyre që nuk vijnë të votojnë? Mos është ky shkaku, që KQZ nuk pranoi identifikimin elektronik në gjithë vendin më 25 prill?

-Kjo administratë politike mund të bëjë gjithçka. Fraza “nuk keni parë gjë akoma” është premtimi i vetëm që Edi Rama ka mbajtur duke surprizuar paprerë qytetarët me dhunën ndaj Kushtetutës, ligjit, njerëzve – përfund edhe ndaj atyre që e kanë votuar atë. Është detyrë e opozitës që të garantojë paprekshmërinë e votës dhe detyrë e institucioneve kushtetuese që të mbështesin respektimin e ligjit. Frika e z. Rama mund të prodhojë çdo marrëzi. Ata që punojnë për të, duhet të kenë frikë ligjin. Rama nuk i shpëton dot nga ndëshkimi, në rast se zgjedhin partinë përmbi ligjin.

“Vënia në skenë ditën e hapjes së fushatës së një dhune fizike në prani të kryeministrit dhe me miratimin e tij formal, ishte parathënia e fushatës së PS”

– Ku e bazoni fitoren tuaj elektorale?

-Te njerëzit! Fitorja ime zgjedhore ju përket atyre, më shumë se sa mua!  Njerëzit kanë dëgjuar programin kuadër të Partisë Demokratike dhe janë ngazëllyer. Njerëzit kanë dëgjuar programin tim për Elbasanin dhe janë bërë optimistë. Njerëzit kanë dëgjuar zemrën e tyre dhe janë bashkuar, sot më shumë se kurrë për të larguar nga skena një bandë mizore hajdutësh dhe mashtruesish, të cilët do të ballafaqohen shpejt me drejtësinë për zullumin e padurueshëm të tyre. Rrallë mund të gjesh në historinë e re botërore kryeministra që kanë marrë vendime për t’i vjedhur një vendi edhe të ardhmen. Edi Rama ka vjedhur këtë popull edhe për dy dekadat që do të vijnë, jo vetëm për 8 vitet që ndenji në pushtet. Kjo është kriminale!

– Zoti Boçi, ju uroj suksese në 25 prill!