FRD, Topi: Reformat të jenë paralele, kërkojmë ndryshime kushtetuese

466
Kreu i Frymës së Re Demokratike, ish-president i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka dalë në një konferencë për shtyp mesditën e së mërkurës, në të cilën ka folur mbi ndryshimet kushtetuese që i nevojiten vendit, reformave më të rëndësishme që janë në rrugë e sipër për t’u ndërmarrë, si ajo e drejtësisë apo edhe çështja e dekriminalizimit, por nuk ka harruar të kujtojë edhe atë që e cilëson si “deformim mbi biseda klandestine në dëm të demokracisë”, referuar këtu ndryshimeve kushtetuese të prillit të vitit 2008.
“Çështja kryesore në programin e FRD-së është Kushtetuta e Shqipërisë. Për debatin politik në Shqipëri, që kryhet përgjithësisht në selitë e partive politike parlamentare, dua të jap notat e mia kritike për mjedisin parlamentar, ku duhet bërë debat politik siç i takon atij institucioni, por jemi të detyruar me forcë të theksojmë se jo gjithçka po shkon në drejtimin e duhur. Nuk i referohem këtu sloganit të Partisë Socialiste, por drejtimit të duhur ku duhet të shkojë Shqipëria, për të prodhuar stabilitetin politik, qëndrueshmërinë e institucioneve dhe ekonomi më të mirë. Po kalojnë 8 vite nga prilli i vitit 2008, kur brenda një nate – sikurse e mbani mend, – ndryshoi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me vullnet të deformuar mbi biseda klandestine, duke i sjellë një dëm demokracisë në Shqipëri. Përgëzoj zërat që i referohen asaj date për efektet negative, që pati ai ndryshim i befasishëm, në interes të dy individëve – siç e kam thënë gjithmonë, – por e rëndësishmja që konstatojmë ne është se ka pak përgjegjshmëri për të bërë një “mea culpa” publike për atë që ndodhi. Jemi në pragun e nevojës për reforma të rëndësishme dhe FRD kërkon që të ketë ndryshime kushtetuese, por duke i marrë proceset në mënyrë paralele’ u shpreh Topi.
Sigal