Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume komentoi problematikat e hasura dje në procesin zgjedhor në Vorë dhe Dibër, duke u shprehur se për të dy rastet nuk ka përgjegjësi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Nuk është përgjegjësia e KQZ. Sipas Kodit Zgjedhor KZAZ vepron gjithmonë duke iu referuar propozimeve që vijnë nga partitë politike. Ajo që komisioneri bën në këtë rast është puna paraprake, që ka të bëjë me hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore dhe vetëm kaq. Zbatimi i kërkesave të ligjit është përgjegjësi e partive politike dhe komisionit zonal. Kur ka probleme për t’u zgjidhur shkojnë deri te Komisioni i Ankimimve dhe Sanksioneve”
Për mua, problemi i krijuar në Vorë është një problem që më shumë se sa ka rrjedhur si rezultat i moskuptimit të ligjit, ka rrjedhur si një veprim nga PD, që ka bërë që ato të tejkalojnë çfarë u jep ligji të drejtë për këtë çështje. Nuk parashikonin kushtin që komisionieri duhet të jetë me vendbanim. E kanë bërë sepse në këtë mënyrë do ndihmonin në mbarëvajtjen e procesit të teknologjisë se informacionit, prandaj janë propozuar njerëz që kanë qenë të njohur dhe e kanë ushtruar këtë detyrë. Për mua ajo që ka bërë Celibashi është në zbatim të kërkesave të ligjit. Kurse për Dibrën është problemi i mosfunksionimit të pajisjes për identifikimin biometrik për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Se pse mungon energjia elektrike…Por nuk përbën problem për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Sepse ligji parashikon edhe identifikimin manual me dorë”
Kume theksoi se me reformën e ardhshme zgjedhore duhet të rindërtojmë Kodin Zgjedhor që na duhet për 30-40 vitet e ardhshme.
Ky proces nuk ka prodhuar asnjë gjë që duhet të rregullohet nga ligji. Është shumë e rëndësishme që të fillohet me rregullimin e legjislacionit, por jo të dispozitave të veçanta, jemi në kushtet kur e kemi të nevojshme si shoqëri të konsiderojmë rregullimin nga e para të legjislacionit zgjedhor. Në reformën e ardhshme zgjedhore duhet të rindërtojmë Kodin Zgjedhor dhe në atë që duhet të synojmë në 30-40 vitet e ardhshme”