Prof. Dr. Tritan Shehu: Po përsëritet “epoka e Esat Pashës”!

522
Sigal

Po përsëritet “epoka e Esat Pashës”!
Një “thikë mbas shpine” për aspiratat tona, Europën e Perëndimin, një veprim në kundërshtim me interesat si Shqipëri, kombëtare e Rajonale, përbën ky Kapitull i tretë i konspiracionit të “Shengenit Ballkanik”, që po përgatitet në Tiranë e Durrës. Kjo inisiativë “lindore” anti integrim e Vuçiçit me të tjerë, në shërbim të ëndrrave për një “Jugosllavi të Re” me atë Sovran e Kosovën të zbehur në sovranitetin e saj, e servirur në shqip nga Rama & Co, sinkron me skeptikët europianë për antarësimin e Rajonit në BE, përbën një goditje të pastër ndaj interesave tona. Duke u prezantuar për herë të dytë në gjuhën shqipe mbas teorisë tejet të rrezikshme për “shkëmbimin e territoreve”, me opsione krejt të kundërta nga ato që duhet të mbrojmë, ne po humbasim edhe respektin e kredibilitetin e partnerëve tanë, duke krijuar së paku konfuzion midis tyre. Fatkeqësisht kështu po kontribuojmë në ringjalljen e tezës më të zezë antishqiptare, të artikuluar edhe nga autorët e avokatët e masakrës së Reçakut, se ne kemi mungesa të koshiencës kombëtare dhe të identitetit Europian e Perëndimor. Ndërsa Rama bëhet thjesht një tellall i inisiativave të Vuçiçit me “noter” Zaev, drejtuesit e vendeve të tjera të Rajonit, duke filluar nga Kosova, e refuzuan këtë skenar. Këto riciklime “të historive” të turpit tonë të 1900-tës, pikërisht tashmë, kur ne, si shqiptarë duke konsoliduar identitetin kombëtar, europian e perëndimor po shkojmë drejt aspiratës sonë Europës e Perëndimit, duhen ndaluar.