Prof. Dr. Myslim Pashaj: Me armët kimike dëmtohet ardhmëria e Shqipërisë

501
Sigal

Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf” shprehet kategorikisht kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, pasi pasojat janë me rrezikshmëri vdekjeprurëse për vetë ardhshmërinë tonë.

– Zoti Pashaj, a duhet që qeveria shqiptare të pranojë demontimin e armëve kimike të Sirisë  në Shqipëri, për të plotësuar një kërkesë të SHBA-ve?

– Së pari dua të them që nuk kemi se pse të vëmë në kryefjalë: “SHBA”-të,  sikur ato japin urdhër. Këtu ka një keqkuptim të madh dhe një keqinterpretim të sotëm se gjithçka në shoqërinë shqiptare dhe ardhmërinë e saj varet nga SHBA-të, se ajo ka bërë shumë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar (sidomos me Shqipërinë e dytë: Kosovën ), etj.. Duhet t’i largohemi kësaj mendësie. Ne jemi një vend Europian, në NATO, kemi disa detyrime dhe duhet të jemi të barabartë. A është përzgjedhur Shqipëria ? Këtu s’ka asnjë konfirmim zyrtar. Një heshtje, që unë do ta thosha si një rrjedhje e nëndheshme kimike…Pse kështu? Nëse merret një vendim, ne nuk duhet të identifikohemi me gisht: “Ja kush është gogoli . Atje dërgoni armët që të çmontohen e dezaktivizohen…!”

– Ju e ndjeni se e  gjithë shoqëria sikur është vënë në lëvizje?

– Këto ditë që ekspertë imagjinarë dhe arlekinë, gjëllijnë në mendje të tyre se ku do të vijnë armët kimike të Assad, që hamendësojnë në gjeo-hapësirën shqiptare, se ku do të vendosen ato, nga cilat kryeura do të futen dhe në cilat lugina do të afrohen, sa gradë do t’i shmangen Tiranës dhe sa do t’i afrohen maleve të zhveshura,  ku do të renditen, që të përgatiten për laboratorët, se ku do të rrethohen me mburoja, izolime të fetishizuara; me një përkujdesje për rrjedhjet, më shumë se sa laboratorët bërthamorë…ku  vallë në Qafë Mollë ?  Apo në Qafë Gjarpër ? në Mjekës !?  Në  Poliçan? Apo  ku vallë…Sikur të ishte afrimi i murtajës… M’u kujtua Shqipëria jonë e ishulluar, gjatë kohës së socializmit të saj kështjellar. Gjatë Luftës së Ftohtë, ndër tunele, xhepa, guva, bunkerë gjigandë, tunele të nëndheshëm, futeshin shtabet, armatimet, municionet, raketat,  topat e rëndë. Sipër bashkësi njerëzore “socialiste’ që s’kishte bukë në sofër.  Ky ishullim kishte brenda tij “ishuj të vegjël”, të koduar me koordinata dhe emra të epikës veriore të bjeshkëve dhe një psikozë flijimi tërësor ngulitej dhe mbillej gjithkund:

 “ Këtë vend mund ta hedhim në erë, prej nëndheut që e kemi mbushur me municion, e kthejmë në vullkan dhe shkretëtirë dhe nuk e dorëzojmë”

 Kjo ishte mendësia e Ishullit, edhe pse nuk u hodhëm në erë, pësuam dramat më të mëdha, pasojat e së cilës po i ndjemë edhe sot.  Ndërkaq, në kohën e kthimit të mbrëmë, provuam që të zbërthejmë municione dhe armë kimike, me gjak të ngrirë, u dogjën njerëz të vuajtjes e të mjerimit,  në tunele të paruajtur, prodhuam eksplozivë të klasit të parë në Mjekës, e mandej krijuam një punishte në afërsi të aeroportit “Nënë Tereza”,  ku shteti i kapur dhe korruptuar,  nën emrin e Gërdecit, shfaqi shpërthimin e parë  të mallkimit mbi popullin, që ishte ndotur dhe rrezatuar, me armët e municionet, të cilat prej shenjtërisë së mbrojtjes së dikurshme i  shndërroi në djegie të vetvetes, prej lakmisë fitimprurëse. Akoma e kemi ndër sy kërpudhën e llahtarit “gërdecian”. S’na ndahet në përfytyrim. Dhe, ja tani, duket se një “mallëngjim” kimik  nëndheshëm , po pse jo, edhe i shpërndarë e efir në padukshmërinë e valëve elektromagnetike, i përcillet Shqipërisë. Pse vallë Shqipërisë ?Mesaduket, ia dinë kokën, ia dinë shtatin e mundimit e të pritjes, ia dinë përulësinë. Prandaj, butë e butë e plot tigani kimik, po ia bëjnë propagandën parësore, që t’ia sjellin këtij “ishulli”, që ende nuk është bashkuar me kontinentin…

– Nëse këto armë kimike demontohen në Shqipëri, cilat mund të jenë pasojat ekologjike për nëntokën, ujërat dhe mjedisin e Shqipërisë?

– Ku do të gjendet kjo pllajë, ky yrt Shqipërie, që të jetë i favorshëm për laboratorin e madh të shkatërrimit, që të ketë një klimë anti-rrjedhje?  Po ç’është ky dhe’ Shqipërie,  kjo klimë,  që të jetë më pak e favorshme, për ta bërë qoftëlarg të pafavorshme, për vetveten? Popsikoza që do mbjellim? Për vite me radhë, ndofta njëzetë vjet e më shumë, do ta kemi atë Yrt, atë Luginë, atë pllajë si një vurratë vdekjeje të rrethuar më keq se centralet bërthamore? Po bimësia, që është prerë, gurët e zhveshur, po ujërat dhe lloji i tokave, me një hidrografi të jashtëzakonshme ballkanike. Rrjedhje, rrezatim, kalim në kapilarë të dheut dhe transmetim. Një ekologji, që mbarset me rrezikun vdekjeprurës.

– Një përgjigje pozitive e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së SHBA-ve për demontimin e armëve kimike në Shqipëri, ka të bëjë me detyrimin që kemi ne ndaj aleatit më të madh strategjik, SHBA-ve?

– Mendoj se nuk ka një detyrim të asillojshëm, që e mendojnë se janë mësuar se ndodhen nën kapistër. Fatkeqësisht, një mendësi është edhe këtu tek ne në Shqipëri, se ne bëjmë se çfarë na thonë amerikanët. Amerikanët na thonë dhe duhet të na propozojnë gjëra të mira. Nuk kanë pse të na përzgjedhin, për të na rrezikuar. Ne jemi kaq të hapur për të thënë se nuk kemi as përvojë dhe as teknologji, e aq më tepër dheu i shqiptarëve është në një klimë mesdhetare,  të gjallë, jetësore, në bimësi, ujëra me një biodiversitet po kaq jetësor, sa rreziku i gabimeve fatale mund të ketë përhapje të gjerë.

– Nëse qeveria shqiptare, e ndodhur përballë reagimit të opinionit publik, refuzon një kërkesë të tillë, a mendoni se do të kemi pasoja politike dhe ushtarake?

– Doemos do të ketë pasoja politike për PS-në dhe Edi Ramën, si Kryeministër. Por mund të pritet një vendim i guximshëm, (siç po duket) që edhe pse reagimet janë të përmasave të gjera, armët kimike të pranohen. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera, në Shqipëri ka një ulje koke spektakolare dhe vetëshpërfillëse sa s’ka ku të vejë më. Ndodhi “97-ta”, “Gërdeci i përflakur”,  “ shitja e Detit”,  që kaluan në këtë vend, natyrshëm, si epidemi  dhe indiferenca i pushtoi të gjithë. Kjo është dramatike.

Armët kimike nuk duhen pranuar në Shqipëri për demontim

– Cili duhet të jetë thelbi i debatit tani: Nëse qeveria shqiptare duhet të pranojë  armët kimike, apo me mohimin e çdo mundësie të pranimit të armëve kimike në Shqipëri?

– Në radhë të parë, unë i drejtoj vetvetes pyetjen : Pse tek ne?! Ku është besueshmëria, a ka një studim dhe hulumtim shkencor për vendet rrotull? A ka një diskutim me Aleancën e NATO-s? Pra argumentet që i duhen një populli dhe një shoqërie që po maturohet në Europën tonë të sotme e në botë, një Shqipëri që nuk shpërfillet dhe lihet e dorës së dytë a të tretë…, kur vende që u përfolën më parë, me një përvojë të gjatë thonë tash se: “Nuk kemi eksperiencë, nuk kemi teknologji.  “Dhe kush do të thoni? Vet Norvegjia. Lidhur me pranimin, ose jo të marrjes përsipër të këtij procesi të rëndë dhe të gjatë kohor, shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet nga një vendim i Bashkësisë së NATO-s, ndër argumente të besueshëm, të bindshëm, gjë e cila në opinionin e sotëm është e paqartë.  Përfytyroni se si në mediume dalin dhe flasin degazues dhe desaktivizues të viteve shtatëdhjetë, të shekullit që shkoi, të cilët as që e kanë “haberin” me rrezikshmërinë e tanishme të armëve të tilla. Në Shqipëri, pjesa më e madhe e një opinion të gjithësishëm i është krijuar një psikozë e rëndë nga armët kimike që ka pasur dhe nga Gërdeci. Ka një kosto politike të madhe, por më e madhja e të gjithave është rrezikshmëria në ardhmëri e këtij procesi.