Rama: 2900 familje të reja që janë përfshirë në skemë

518
Ky mocion për debat i kërkuar nga kolegët e Partisë Demokratike është një tjetër mundësi që shqiptarët të shohin qartë dallimin mes atyre që s’dinë ç’kërkojnë dhe nesh, që jemi shumë të vendosur për të çuar përpara edhe këtë reformë të vonuar për më shumë se çerek shekulli. Sistemi është dinamik, familjet abuzive, aplikantët abuzivë, por edhe të tjerët që janë përfshirë të gjithë janë verifikuar dhe vazhdojnë të verifikohen. Skema është fleksibël. Për muajin shkurt janë 2900 familje të reja që janë përfshirë në skemë për herë të parë nga riaplikimi. Ka edhe një element tjetër, ia thashë Lulzimit, por nuk dëgjon. Se ai kur shkon tek të varfrit shkon për të dalë foto. Ka 6 % fond e pushtetit vendor, i cili shkon për ata në nevojë që pushteti vendor gjykon se duhen mbështetur me asistencë. 15 000 familje, të cilat më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme nga 6 000 deri në 10 000 lekë të vjetra në muaj, sot përftojnë ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 000 lekë në muaj. Në bazë të kritereve, ndihma ekonomike, sot shkon deri në 110 000 lekë në muaj. Por nuk është vetëm kaq. Ndihma ekonomike është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër është e gjithë paketa e mbështetjes sociale, që kjo qeveri, saktësisht, qeveria e deridjeshme e koalicionit dhe kjo e sotmja vazhdon ta ketë, ku ka një sërë subvencionesh direkte: Kompensimi i energjisë elektrike për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, në masën 13 mijë lekë. Subvencionet për arsimimin dhe vaksinimin e fëmijëve. Garantimi që familjet në nevojë, si pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, të përfitojnë lehtësi të tjera për frekuentimet në kopsht e çerdhe, për rimbursimin e pagesave të librave, mesatarisht 35 mijë lekë, bursë për ushqim dhe akomodim në arsimin parauniversitar, ku, sipas referencës për të ardhurat për frymë, futen dhe familjet në ndihmë ekonomike.
Sigal