Prof.Dr. Kristaq Kume: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje për vendin dhe qytetarët

60

Nëse Partia Socialiste dhe z. Rama e vlerëson se zgjedhjet e parakohshme i shërbejnë vazhdimit të qeverisjes së tij edhe përtej kohës që ka fituar nga zgjedhjet e 2021, është në të drejtën e tij politike që ta përdor këtë mundësi. Zgjedhjet e parakohshme, në jo pak raste janë artikuluar si kërkesë edhe prej përfaqësuesve të ndryshëm të partive opozitare.

Sigal

 

Në analizat dhe diskutimet, që zhvillohen në media midis analistëve politik, por jo vetëm, për situatat dhe problemet me të cilat përballet aktualisht vendi, jo rrallë zgjedhjet e parakohshme trajtohen si ngjarje që kanë mundësi të mëdha për të ndodhur në këtë fund viti ose fillimin e vitit të ardhshëm. Theksohet se zgjedhje të tilla mund të përdoren nga mazhoranca si rrugë për të kapërxyer, pa dëme të mëdha, problemet, që i kanë shkaktuar veprimet e derisotme të SPAK si dhe për t`i paraprirë situatave të padëshërueshme për të, me të cilat mund të ndeshet në të ardhmen e afërt. Arsyetohet se drejtuesi i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit mund ta provokojë vet një proçes të tillë zgjedhor si rrugë, e cila, do t`i jap mundësinë të vazhdojë të qeverisë vendin, pa qenë i shqetësuar, prej efekteve, që gjenerohen nga veprimet e pushtetit gjyqësor dhe jo vetëm. Një qëndrim i tillë i mazhorancës ndaj zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, i parë në këndin e interesit të saj politik, nuk ka pse të qortohet. Ashtu sikurse, duke ju referuar situatave, që po kalon mazhoranca, të cilat kulmojnë me vendimin për arrestimin e zëvëndeskryemistrit, z. Ahmetaj, nga njëra anë dhe rezultati që Partia Socialiste arriti në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nga ana tjetër, zgjedhjet e parakohshme nuk duket se janë befasuese. Ato janë një opsion politikisht llogjik që mund të merret në konsideratë nga mazhoranca. Nëse Partia Socialiste dhe z. Rama e vlerëson se zgjedhjet e parakohshme i shërbejnë vazhdimit të qeverisjes së tij edhe përtej kohës që ka fituar nga zgjedhjet e 2021, është në të drejtën e tij politike që ta përdor këtë mundësi. Zgjedhjet e parakohshme, në jo pak raste janë artikuluar si kërkesë edhe prej përfaqësuesve të ndryshëm të partive opozitare. Në një situatë normale politike dhe në një vend ku mazhoranca dhe opozita funksionojnë si dy grupimet politike që qeverisin vendin, mazhoranca nëpërmjet vendimmarrjeve dhe zbatimit të tyre dhe opozita nëpërmjet kontrrollit dhe presionit mbi mazhorancën për mirëqeverisje të vendit, kërkesa dhe synimi i opozitës për zgjedhje të parakohshme është pjesë organike e veprimit politik të saj, që, si rregull aktikulohet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se një kërkesë e tillë në çdo rast është e nevojshme dhe duhet të formulohet si një kërkesë, që kushtëzohet nga situatat dhe problematikat me të cilat ndeshet vendi, si pasojë e qeverisjes së keqe nga mazhoranca. Kërkesa dhe angazhimi i opozitës për të provokuar zgjedhje të parakohshme duhet të jetë pjesë e aksionit politik të saj vetëm nëse ajo është e bindur se të gjithë kushtet dhe faktorët që kushtëzojnë rezultatin e një procesi zgjedhor janë në favor të saj, vetëm nëse ajo ka energjitë dhe burimet e nevojshme për të detyruar mazhorancën që të pranojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndryshe një kërkesë e tillë mbetet vetëm në nivelin e deklaratave, që shërbejnë për konsumin politik të ditës. Për më tepër, në një rast të tillë kërkesa për zgjedhje të parakohshme merr ngarkesën e një indikatorit, që evidenton, në dritë të diellit, pafuqinë e veprimit politik të opozitës, pafuqi, e cila kompromenton rëndë të ardhmen politike të saj. Në një shoqëri demokratike zgjedhjet e parakohshme përpara se të jenë proçese, që mund të zhvillohen si kërkesë e forcave politike dhe si proçese, që nxiten nga interesat politike të partive politike, janë proçese që, në rradhë të parë, duhet t`i shërbejnë qytetarit. Vendi mund dhe duhet të kalojë në zgjedhje ta parakohshme vetëm kur për zgjidhjen e problemeve dhe situatave problematike në qeverisjen e vendit dhe në shoqëri, janë shterruar të gjithë instrumentat dhe rrugët e tjera, që ofron sistemi demokratik i qeverisjes.

Ndaj dhe gjykimi për nevojën apo jo të nxitjes dhe realizimit të zgjedhjeve të parakohshme politike në asnjë rast nuk duhet të jetë vendim vetëm i partive politike. Në veçanti kur kjo kërkohet nga mazhoranca, e cila është e natyrshme se një kërkese të tillë nuk e bën për të dorëzuar pushtetin, por për ta konsoliduar akoma edhe më shumë atë.


Ndryshe zgjedhjet e parakohshme mund të jenë gjeneruese të situatave akoma edhe më problematike për vendin dhe shoqërinë. Ndaj dhe gjykimi për nevojën apo jo të nxitjes dhe realizimit të zgjedhjeve të parakohshme politike në asnjë rast nuk duhet të jetë vendim vetëm i partive politike. Në veçanti kur kjo kërkohet nga mazhoranca, e cila është e natyrshme se një kërkese të tillë nuk e bën për të dorëzuar pushtetin, por për ta konsoliduar akoma edhe më shumë atë, zgjedhjet e parakohshme janë procese, që nuk konvergjojnë me interesin e qytetarëve. Zgjedhjet e parakohshme mund të përdoren si rrugë për të rregulluar proceset qeverisëse, kur ato kërkohen nga qytetarët. Qytetari, nëpërmjet reagimit, veprimit dhe presionit ndaj mënyrës se si mazhoranca qeveris vendin, duhet të jetë faktori kryesor përcaktues për nevojën ose jo të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme politike. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se për të realizuar një veprim të tillë politik të qytetarëve detyrim kryesor kanë partitë e opozitës. Zgjedhjet e parakohshme politike, në çdo rast janë proçese për realizimin e të cilave është i domosdoshëm veprimi i tre aktorëve kryesor të shoqërisë, mazhorancës, opozitës dhe qytetarit. Në situatën dhe problematikat aktuale me të cilat është duke u përballur vendi dhe shoqëria e jonë, pozicioni i këtyre tre aktorëve, kërkesat dhe aftësitë e tyre për të provokuar dhe zhvilluar zgjedhje të parakohshme politike, janë të ndryshme. Mazhoranca qeverisëse aktuale është duke u përballur me ngjarje dhe situate, të cilat, referuar ngarkesës dhe përgjegjësive politike që gjenerojnë, janë të tilla që shkaktojnë tronditje të forta në qeverisje, përballimi i të cilave kërkon veprim të fuqishëm politik. Të tilla situata është e vështirë deri në nivelin e pamundësisë llogjike politike të kërkohet të zgjidhen vetëm nëpërmjet deklaratave për distancim prej tyre dhe trajtimit si përgjegjësi personale. Në një vend tjetër të tillë situata mund të shkaktonin dorëheqjen e qeverisë dhe riformatimin e saj prej mazhorancës qeverisëse, ashtu sikurse, mund të shërbenin edhe si argumenta për zgjedhje politike të parakohshme. Ndërkohë, të paktën deri sot, në përballjen me këto situata mazhoranca ka theksuar vetëm përgjegjësinë personale të personave përkatës, duke theksuar, në të njëjtën kohë edhe angazhimin e plotë të saj për krijimin e kushteve mbështetëse për veprimin e pushtetit gjyqësor dhe SPAK, deri dje të munguar. Opozita e vendit e ka kundërshtuar këtë sjellje të mazhorancës duke theksuar, në mënyrë këmbëngulëse se, e gjithë çfarë ka ndodhur dhe ndodh në vendin tonë, është përgjegjësi e plotë e Kryemistrit të vendit, z. Rama, i cili, sipas saj, duhet të jetë i pari që duhet të përgjigjet përpara organeve të drejtësisë. Si shihet, të dy palët konsumojnë debat politik, i cili megjithëse është i nevojshme, nuk mjafton për të zgjidhur problemet e mëdha me të cilat ndeshet aktualisht qeverisja e vendit dhe nuk sjell asnjë produkt efektiv për qytetarin. Arsyet pse ndodh një gjë e tillë dhe, akoma edhe më shumë, pse është e mundur të ndodh kjo gjë, janë të shumta dhe komplekse. Ndër to, si ndër më kryesoret, në vlerësimin tim, janë faktorët që kanë sjell si pasojë prishjen e ballancave midis pushteteve, zgjidhja jo efektive legjislative kushtetuese e ligjore e problemeve, që lidhen me sistemin zgjedhor dhe zbatimin e tij, mënyra se si trajtohet në legjislacionin tonë organizimi, funksionimi dhe, në mënyrë të veçantë, financimi i partive politike, niveli i pamjaftueshëm në zbatimin e ligjit prej institucioneve ligjzbatuese, ngrehina ligjore që trajton dhe rregullon problemet për zhvillimin ekonomik të vendit, niveli i lartë i papërgjegjshëmërisë i shoqëruar me korrupsionin e skajshëm në zbatimin e detyrave nga administrata publike, influenca e madhe e botës së krimit dhe i financimeve me para të pista, mungesat e ndjeshme në veprimin funksional e efektiv të demokracisë përfaqësuese dhe asaj të drejpërdrejtë, etj. Të gjithë këta faktorë dhe të tjerë, që veprojnë bashkë me ta, kanë si efekt të përbashkët të tyre krijimin e kushteve që mbështetin funksionimin e partive politike dhe sjelljen e lidershipit të tyre ndryshe nga sa kërkojnë parimet dhe standardet për funksionimin e këtyre institucioneve kryesore përgjegjëse për mbarëvajtjen dhe qeverisjen e punëve të vendin dhe shoqërisë. Si shoqëri ne kemi zgjedhur të vetëqeverisemi sipas parimeve dhe rregullave që qeverisen shoqëritë demokratike. Në një sistem të tillë qeverisje partitë politike janë ndër institucionet më kryesore. Nëpërmjet proçeseve zgjedhore ato fitojnë të drejtat dhe marrin përgjegjësitë për qeverisjen e vendit, në mazhorancë dhe në opozitë. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se qeverisja e tyre mund të jetë efektive dhe në shërbim të qytetarëve: vetëm kur partitë politike funksionojnë dhe veprojnë si institucione demokratike. Ndryshe shancet që qeverisja që ato realizojnë të shndrrohet në një qeverisje autokratike rriten në mënyrë eksponenciale. Pasojat e kësaj rrëshqitje në autokraci janë lehtësisht të kuptueshme. Dhe, në fakt kjo është edhe situata me të cilën përballet aktualisht qeverisja, detyrimi i mazhorancës dhe opozitës, në vendin tonë. Drejtimi autokratik i punëve të mazhorancës, në parti dhe në qeverisjen e vendit, është një ndër faktorët përcaktues për situatat e vështira ekonomike e sociale me të cilat përballet çdo ditë vendi dhe qytetarët. Orientimi i veprimit politik opozitar në të cilin shfaqet në mënyrë të dukshme dhe përcaktuese efekti i vendimit dhe veprimit të drejtuesit kryesor politik, pasojë e të cilit është edhe kriza e skajshme, që për disa viteve është “ulur këmbëkryq” tek partia kryesore e opozitës, është faktori tjetër me efekt të madh negativ në krijimin, zhvillimin dhe mbajtjen gjallë të këtyre situatave me të cilat përballet prej disa viteve vendi dhe shoqëria e jonë. Në kushtet kur qeverisja nuk arrin të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve, kur gjendja ekonomike dhe problemet sociale me të cilat ndeshen përditë qytetarët e bënë përherë e më të vështirë jetesën, kur niveli i korrupsionit arrin vlera domethënëse, kur punonjës të rëndësishëm të qeverisjes qendrore e lokale bëhen objekt hetimi dhe gjykimi të SPAK dhe organeve të tjera gjyqësore, kur për antarë të qeverisë deri ministra, si rasti i Ministres së Bujqësisë, qarkullojnë akuza për korrupsion me fonde publike e donacionet ndërkombëtare, nevoja për veprim reaguese të qytetarëve është kërkesë imediate. Por për ta realizuar këtë kërkesë nuk mjafton konstatimi dhe denoncimi i shkaqeve, problemeve, situatave dhe përgjegjësve për krijimin e tyre. Reagimi dhe veprimi me synim mirërregullimin e qeverisjes nuk mund të përmblidhet dhe të pretendohet se mund të realizohet nëpërmjet provokimit të zgjedhjeve të parakohshme. Në veçanti, duke patur parasysh gjithë konteksin politik dhe social aktual, artikulimi i kësaj kërkese është veprim, që nuk mund të justifikohet.

Përpara se të artikulojnë thirrjen për zgjedhje të parakohshme partitë e opozitës është e nevojshme të veprojnë sëbashku si front opozitar. Është e domosdoshme që opozita të veprojë në plotësim të misionit dhe detyrat që i ngarkon kushtetuta dhe sistemi i ynë qeverisës.


Përpara se të kalohet në veprimin politik që ka si synim të tij zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme është e domosdoshme që opozita të angazhohet, me të gjithë energjitë e saj dhe të përdor të gjithë mundësitë dhe instrumentat për të bërë ndryshimet e nevojshme, të artikuluar në mënyrë të përsëritur, në legjislacionin zgjedhor dhe në gjithë kuadrin tjetër ligjor që bashkëvepron me të. Është e domosdoshme që veprimi opozitar të synojë zhvillimin e kapaciteteve të partive të opozitës duke ju dhënë atyre fuqinë për t`u paraqitur përpara qytetarëve si alternativa bindëse qeverisëse. Është e domosdoshme që partitë e opozitës dhe çdo veprimtar opozitar të bashkëveprojnë për të ngjizur tek qytetarët frymën dhe besimin për ndryshim. Përpara se të artikulojnë thirrjen për zgjedhje të parakohshme partitë e opozitës është e nevojshme të veprojnë sëbashku si front opozitar. Është e domosdoshme që opozita të veprojë në plotësim të misionit dhe detyrat që i ngarkon kushtetuta dhe sistemi i ynë qeverisës. Kjo do të bëjë që edhe qeverisja e mazhorancës të konvergjojë më mirë me interesin e qytetarëve. Kjo do t`i bëjë partitë e opozitës të konsiderohen nga qytetarët, në veçanti të paangazhuarit në politikë dhe jo militantët, si alternativë potenciale qeverisëse. Dhe për të arritur këtu nuk mjafton një ditë. Duhet kohë, e cila si pasojë e situatave me të cilat është përballur opozita dhe në veçanti Partia Demokratike, që është aktualisht edhe forca më e madhe politike opozitare, nevoja për kohë për organizim dhe zhvillim të mjedisit politik e social në mbështetje të ndryshimit, nuk e pranon si alternativë zgjidhje zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme politike në muajt që vijnë.