Kreu i ILD i implikuar në çështjen e inceneratorëve, Berisha: Të dorëhiqet!
Ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat të enjten bëri një denoncim të fortë ku sipas tij ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po kërcënohet me jetë, që të mos flasë sipas tij për aferën e inceneratorëve. “Sot sytë dhe mendjet e shqiptarëve janë të drejtuara në hetimin e vjedhjes së shekullit. Duhet të shtoj këtu se afera e djegësave, e vlerësuar nga shqiptarët si vjedhja e shekullit, është njëkohësisht hetimi ose dështimi i shekullit. Pra, hetim i suksesshëm ose dështim i tmerrshëm i këtij hetimi. Ndaj jam këtu sot për të denoncuar përpara shqiptarëve disa zhvillime me të cilat, kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe për të penguar hetimin. Së pari, u informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën atij dhe ai mos të guxojë që të bëjë publike këto çështje . Kërcënimet me jetën e tij dhe të fëmijëve dhe të familjarëve, që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe nga zyrat e shtetit, dëshmojnë qartë se Veliaj dhe Rama janë de facto dhe de juro truri i kësaj vjedhje.”, -tha ai.
Berisha: Kreu i ILD, Artur Metani është gardiani i aferës së inceneratorëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kreut të ILD-së, Artur Metani nga detyra. Sipas Berishës, Metani është gardiani kryesor i shkeljes në aferën e inceneratorëve. Ai shtoi se bashkë me Engjëll Agaçin, kanë quajtur legjitime këtë procedurë krimi sipas tij. “Ky zotëri ka kryesuar në mbledhjen e zv.ministrave pa asnjë tagër, por për interesa të kupolës. Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti se përbën një kërcënim potencial madhor për prokurorët dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi është i inkriminuar tërësisht dhe plotësisht. Ai është përgjegjës për aferën e inceneratorëve”,- tha Sali Berisha.






















