Nga familjarët e ministrave te miliarderët shqiptarë, lista e plotë e investitorëve strategjikë që “zaptuan” bregdetin

66

Ja si shteti i “dhuron” biznesmenëve pranë qeverisë nga pasuria kombëtare, për projekte si hotele, vila, kazino dhe ambiente të tjera argëtimi nga Ksamili deri në Gjirin e Lalzit

Sigal

Janë të paktën 50 kompani dhe qindra përfitues, të cilët janë shpallur investitorë strategjikë nga viti 2016, por në asnjë rast nuk ka pasur investim strategjik.

Ligji kontravers i miratuar me debate në vitin 2015, i lejon qeverisë, përmes një komiteti, që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas.

Ligji është amenduar disa here, por në asnjë rast nuk ka sjellë investitorë të huaj dhe me potencial. Projektet e miratuar janë kryesisht për biznesmenë shqiptarë, që kanë ndërtuar vila dhe resorte, ndërsa në shumicën e rasteve nuk ka ende asnjë investim.

“Ligji kontravers i miratuar me debate në vitin 2015, i lejon qeverisë, përmes një komiteti, që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas.”

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton se korrupsioni sistemik nuk ka lejuar ardhjen e investitorëve të huaj. Sipas raportit, ligji i miratuar në vitin 2015, me objektiv promovimin e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr investime të huaja të konsiderueshme edhe pse afati i tij i dhjetorit 2018 është shtyrë disa herë. “Ligji do të jetë në fuqi deri në dhjetor 2023. Shumica e rreth 50 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe projektet dominohen nga investitorët vendas”,- thuhet në raport.

Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar në disa raste projekte në kushte konflikti interesi apo të biznesmenëve të panjohur dhe të lidhur me krimin, siç ishte rasti i fundit me Pëllumb Gjokën i arrestuar për tentativa vrasjesh. Një projekt i miratuar në kushte flagrance konflikti interesi ishte për familjarët e ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ku bashkëshorti dhe kunata e saj, morën statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi.

Kush janë 50 përfituesit?

Ditari zbardhi të gjitha vendimet e Komitetit dhe në listën e përfitueve gjen gjithçka; biznesmenë shqiptarë, familjarë ministrash, aktorë humori, të huaj ofshorë, madje edhe miliarderin shqiptar të Kosovës, Behxhet Pacollin.

Përfituesi më i madh është biznesmeni shqiptar Samir Mane. Kompanitë e tij kanë marrë disa statuse investitori strategjik. Janë 5 vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Por vendimet nuk saktësojnë se sa tokë publike është dhënë në këto raste, kjo pasi disa projekte janë në zhvillim e sipër.

Behgjet Pacolli, ish presidenti 1 mujor i Kosovës dhe miliarderi i Mabetex është shpallur investitor strategjik në Shqipëri. Projekti i Pacollit, Divjaka Resort Albania, e ideauar në 47 hektarë tokë në zonë publike dhe të mbrojtur, nuk ka nisur ende dhe mund të konsiderohet i pamundur. Ky projekt po kalon afatin e nisjes së punimeve, ndërsa në fillim u pompua si një investim miliardash, por mesa duket mbeti vetëm në letër.

Familjarët e ministres së Jashtme, bashkëshorti Artan Gaci dhe kunata amerikane Taëni Lin Grzych-Sutton, janë ende në listën e përfituesve si investitorë strategjik. Këshilli i Ministrave i dha në përdorim për një periudhë 30-vjeçare një plazh në Dhërmi që ngriti akuza për nepotizëm dhe konflikt interesi. Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga djali i ish kryeministrit Nano, Sokol Nano, që ka miratuar projektin dhe idenë për një investim të paktën 5 milionë euro në një resort me 5 yje në një nga plazhet e bukura të Dhërmiut. Në asnjë rast nuk ka një vërtetim se ku ndodhen këto para që do investohen.

Vëllezërit Dulaku janë përfitues të statusit të investitorit strategjik. Ata kanë dy projekte, një në Dhërmi me rreth 14 hektarë tokë dhe në Gjirin e Lalzit me 334 mijë metra katrorë tokë. Në të gjitha rastet plazhi është në përdorim të plotë, por mbetet e paqartë se sa pronë në ndërtim është private dhe sa publike, e falur nga shteti.

“Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton se korrupsioni sistemik nuk ka lejuar ardhjen e investitorëve të huaj. Sipas raportit, ligji i miratuar në vitin 2015, me objektiv promovimin e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr investime të huaja të konsiderueshme”

Ndërtuesit e njohur të kompanisë Albstar, Ismailaj janë përfitues të një resorti në ndërtim e sipër në Plazhin e Manastirit në Sarandë. Më vonë, ata dhanë gjysmën e pronësisë për kushëririn e ish ministrit Damian Gjiknuri, Andi Gjiknuri. Projekti ishte në zonë të mbrojtur, në Parkun e Butrintit, por më pas me një vendim të paqartë, qeveria hoqi mbi 80 hektarë të mbrojtur nga ky park ku u hapej mundësia që Manastiri Resort të ndërtohej.

Humoristi Gazment Paja dhe Lulëzim Mehmetaj janë shpallur investitorë strategjik në 133 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi për ndërtimin e një resorti. Projekti nuk ka bërë me dije mbi financat e realizimit.

Florenc Gjukuria, biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, ka përfituar dy projekte investimi strategjike në Dhërmi. Në të dyja rastet nuk specifikohet sesa tokë do jepet në përdorim nga shteti. Po ashtu edhe ndërtuesi tjetër Pandeli Carapuli ka përfituar këtë status në Gjilekë.

Shumica e projekteve të tjerë janë vetëm ide dhe të paqarta. Mes tyre është ajo Greg Xhillarit dhe grupit zviceran Finsec ltd, të cilët pretendojnë të investojnë miliarda në Kavajë në një zonë prej 400 hektarësh zonë e mbrojtur.

Projekte të tjera investimesh në fusha të ndryshme janë të pakta dhe të pazhvilluara si një plantacion bujqësor në Divjakë, apo një termocentral në Korçë me investitorë austriakë.

Të gjitha vendimet e Komitetit, përfituesit e statusit investitor strategjik: