Prof. Dr. Kristaq Kume: Ndryshimi i Kushtetutës nga Kuvendi u bë që të favorizohet PS-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare

341
Sigal

Ndryshimi i Kushtetutës u bë, që të favorizohet PS-ja në zgjedhjet parlamentare

“Heqja e koalicioneve parazgjedhore me shumë lista, zvogëlon hapësirat për vendmmarje për taktika elektorale që ndjekin partitë politike”  

Zenel Çeliku

Prof. Kume, mund të më thoni, këto ndryshime kushtetuese, QË MIRATOI Kuvendi në 30 korrik,  kë forcë politike favorizojnë?

– Ndryshimet kushtetuese pa marë parasysh kërkesat e opozitës jashtë parlamentit, dëmtojnë ndjeshëm klimën politike pozitë-opozitë. Në një shoqëri demokratike, ndryshimet në Kushtetutë mund dhe duhet të bëhen për të mirëregulluar funksionimin demokratik të shoqërisë, shumë më tepër se sa në varësi të situatës dhe interesave politike. Ndyshimet kushtetuese, ashtu si janë formuluar, ato  favorizojnë mazhorancën. Ndryshimi i rregullit sipas të cilës zbatohet sistemi proporcional rajonal, Kushtetuta e ndryshuar, nuk e detyron ndarjen në 12 njësi zgjedhore në territorin e  Shqipërisë, kurse dispozita që mundëson hapjen e listave 100 %, për mendimin tim i shërben funksionimit më të mirë të demokracisë përfaqësuese. Heqja e koalicioneve parazgjedhore me shumë lista, zvogëlon hapësirat për vendimmarje për taktika elektorale që ndjekin partitë politike.

Në zgjedhjet e ardhshme, a do te aplikohet votim me listat e hapura 100 % dhe pse?

– Dispozita e re kushtetuese që rregullon problemin e hapjes së listave, kërkon që partitë politike, me domosdo një pjesë të listës së tyre, (jo me pak se 2/3 e listës), të jetë e hapur, ndërkohë, partitë politike nëse e vendosin, mundet që listën ta hapin 100 %. Kjo zgjedhje e hapjes së listave, për mendimin tim tregon se vendimarrja për të hapur listat nuk është pasojë e reflektimit të plotë mbarë popullor, për t’i dhënë shoqërisë sonë mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të pëlqyer në Kuvend. Nëse partitë politike do të zbatojnë këtë dispozitë kushtetuese dhe nuk do të përdorin mundësitë që Kushtetuta u jep për të hapur listat 100 %, në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të ketë më shumë se sa 20-25 deputetë që do të marin mandatin nga vota parapëlqyese e qytetarëve. Kërkesa për hapjen e listave është bërë nga pjesa jo politike e  Shqipërisë dhe në mënyrë  të vazhdueshme nuk është marrë në konsideratë nga partitë politike, për pasojë, mundësitë që partitë politike  të hapin 100 % listat, (gjë që ua lejon Kushtetuta), ka pak gjasa që të ndodhë që të realizohen.

Partnerët e PD-së që janë pjesë e opozitës së bashkuar si LSI, PAA, BDIU e të tjerat, çfarë humbin dhe çfarë fitojnë nga këto ndryshime kushtetuese?

– Në garën e ardhshme elektorale, në interesin e partive politike ndikojnë vetëm ndryshimet kushtetuese që nuk lejon koalicion me lista shumë partiake. Në veçanti ky ndikim do të jetë prezent nëse me ndryshimet kushtetuese, me dakordësinë e palëve, do të zvogëlojnë njësitë zgjedhore. Konkretisht, nga 12 njësi apo qarqe, mundet të bëhen me 3, me 4 ose me 5 njësi apo qarqe zgjedhore, kjo mundet t’i japë më shumë hapësirë opozitës. Partitë politike mundet të garojnë në koalicion parazgjedhor, por në këtë rast ato duhet ose të garojnë të gjitha me siglën e njërës prej tyre, prsh. me siglën e PD-së dhe në një listë të përbashkët, ose të gjitha partitë të regjistrohen në gjykatë në një parti të re, e cila të futet në garën elektorale me listën e kandidatëve te partitë që do të jenë pjesë e kësaj partie. Në të dyja rastet siç kuptohet, partitë duke garuar në kualicion me formulën e një partie tjetër të re, apo në një parti të madhe siç është PD-ja apo PS-ja, i vetmi defekt është se ato humbasin identitetin e siglës së tyre.

– Prof. Kume, çfarë pret dhe çfarë pretendon opozita e bashkuar me rikthimin e saj në Këshillin Politik?

– Ndryshimet kushtetuese tashmë janë realitet. Mendoj se është e rëndësishme që palët politike të vazhdojnë diskutimet në tryezën e KP-së,  me qëllimin që opozita të fitojë më shumë terren përsa i përket koalicioneve parazgjedhore dhe votimi me lista të hapura 100 %.  Tryeza në KP mundet të prodhojë dakordësi për zgjidhjet më të mira në kodin zgjedhor, në plotësim të ndryshimeve të bëra në Kushtetutë me 30 Korrik. Këtu kam parasysh përpjekjet që duhen bërë për të realizuar në mënyrë sa më efektive lejimin kushtetues për të garuar me lista të hapura dhe për të zvogëluar sa më shumë efektin jo proporcional që sjell ndalimi kushtetues me koalicione si ato që janë përdorur deri dje. Mundësitë që Kushtetuta e ndryshuar ju krijon alternativa të reja politike për të hyrë në garë, duhet të trajtohen në KP, natyrisht me dashamirësinë e të mëdhenjve. Me dakordësinë e palëve, kjo bëhet mirë e mundshme duke zvogëluar numrin e njësive zgjedhore, nga 12 njësi në 3-4-5 njësi zgjedhore. Pavarësisht se ndryshimet kushtetuese të bëra janë konsideruar më shumë si veprime në funksion të interesit politik të mazhorancës, ato krijojnë kushte për të zhvilluar një legjislacion zgjedhor më dashamirës dhe më efektiv për demokracionë  përfaqësuese.  Që të arrihet kjo, është e domosdoshme që ndryshimet që tani duhet të bëhen në kodin zgjedhor, të jenë rezultat i vullnetit të mirë politik të mazhorancës dhe opozitës së bashkuar në KP.