Prof. Dr. Kristaq Kume: Është koha që Presidenti të zgjidhet me votë popullore

 

Detyra e lartë e Presidentit të vendit të ushtrohet nga personaliteti që populli me votim të përgjithshëm e zgjedh. Koha për të bërë një ndryshim të tillë thelbësore është tani.

Në Kushtetutën e miratuar me referendum popullor me 28 Nëntor 1998 për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishin parashikuar procedura, sipas të cilave Presidenti zgjidhej në bazë të vullnetit që partitë politike duhet ta shprehin atë me votë në Kuvendin e Shqipërisë. Për të zvogëluar sa më shumë që të ishte e mundur ngarkesën dhe efektin politik që shoqëronte objektivisht këtë process zgjedhje, Kushtetuta kërkonte që zgjedhja e Presidentit të realizohej si një process konsensual. Vendimin për zgjedhjen e tij duhej të merrej vetëm në rast se pro kandidatit do të votonte shumica e cilësuar e deputetëve të Kuvendit, pra jo më pak se 84 deputetë. Në zbatim të këtyre përcaktimeve në Kushtetutë u zgjodhën President Z. Alfred Moisiu dhe Z. Bamir Topi. Si dihet, zgjedhja e z. Moisiu ishte rrjedhojë e konsensusit të arritur midis dy partive kryesore të vendit, PS që ishte partia e mazhorancës qeverisëse dhe PD partia kryesore e opozitës. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se dakortësia midis këtyre dy partive u arrit vetëm si pasojë e presionit që komuniteti ndërkombëtar ushtroi mbi mazhorancën. Pa këtë presion arritja e këtij konsensusi do të ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Partia Socialiste, si pasojë e shfrytëzimit të hapësirave që kishte Kodi zgjedhor dhe duke përdorur atë që u emërtua fenomeni “Dushk”, e kishte numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur ajo vetë Presidentin e vendit. Z. Topi u zgjodh President i vendit ashtu si e kërkonte Kushtetuta, me votën e shumicës së cilësuar të deputetëve të Kuvendit. pra me konsensusin që parashikonte Kushtetuta. Megjithë këtë zgjedhja e tij nuk u vlerësua në asnje rast si proces që kishte arritur të shmangëte ngarkesat e mëdha politike, si një proces konsensual midis forcave politike, por më shumë u konsiderua si një process që kishte në bazën e tij sjelljen individuale të disa deputetëve të opozitës së asaj kohe, Partisë socialiste. Në prill të vitit 2008 në Kushtetutën e Shqipërisë u bënë amendime, të cilat ndryshuan, në mënyrë thelbësore, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Këto ndryshime në fakt e kthyen zgjedhjen e Presidentit në një process, rezultati i të cilit varet kryesisht dhe vetëm nga vullneti i partisë që ka mazhorancë qeverisëse. Pavarërsisht nga proçedurat kushtetuese, të cilat në fazën e parë parashikojnë zhvillimin e një procesi konsensual, në fundore ato parashikojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës vetëm me votat e partisë qeverisëse, pra me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Mjafton që të votojnë pro kandidaturës 71 deputet dhe kandidati merr mandatin e Presidentit të vendit. Në këtë mënyrë partitë politike, PS e PD, në marrëveshje të plotë midis tyre, i dhanë një goditje gati “asgjësuese” thelbit të institucionit të Presidentit. Sipas këtij ndryshim, Kreu i Shtetit, përfaqësuesi i unitetit të popullit, Komandanti i përgjithshëm, zgjidhet me shumë më pak vota, se sa vota duhen që të zgjidhen drejtues të institucioneve të tjera si janë p.sh. Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit etj.!!!

Ndryshimet e bëra në mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës e ekspozuan këtë institucion, në mënyrë të ndjeshme, ndaj vullnetit dhe presionit që mund të ushtrojë mbi te partia e mazhorancës.

Sigal

Ndryshimet e bëra në mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës e ekspozuan këtë institucion, në mënyrë të ndjeshme, ndaj vullnetit dhe presionit që mund të

ushtrojë mbi të partia e mazhorancës. Këto ndryshime e kanë bërë gati zero mundësinë që në detyrën e Presidentit të vendit të zgjidhet një personalitet që i përket botës jo politike të vendit, një personalitet që, në jetën e tij të mos ketë prerje me punët dhe me interesat e partive politike, në veçanti me interesat e partisë, që ka mazhorancën qeverisëse. Ato kanë krijuar një terren shumë të favorshëm për shfaqjen e arrogancës në vendimmarrje, të kësaj partie, kur gjatë kohës që ajo qeveris duhet të zhvillohet edhe proçesi për zgjedhjen e Presidentit.

Zgjedhja e Presidentit sipas përcaktimeve aktuale në Kushtetutë është e ekspozuar ndjeshëm ndaj mundësive të ballafaqimit të këtij institucioni me situata të cilat mund të jenë shkak edhe për gjenerimin e krizave në funksionimin e insitucioneve, në bashkëveprimin midis tyre dhe në balancimin e pushteteve. Përvojat e derisotme kanë treguar se Presidenti i zgjedhur vetëm me vullnetin e një pale politike, gjatë ushtrimit të detyrës së tij mund të konsumojë sjellje politike ose sjellja ndaj Presidentit të Republikës, në veçanti e partive politike ndaj tij, mund të jenë të tilla saqë mund të arrijnë ta vendosin atë në situata, ku distancimi dhe  kundërvenia me frymën dhe gërmën e Kushtetutës të bëhen shkak për kriza me pasoja në keqqeverisje dhe në funksionim jo normal të shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Mbështetur në këto përvoja, duke mbajtur parasysh stadin aktual në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë sonë dhe objektivat që synojmë të arrijmë, nga njera ane dhe, nga ana tjetër, duke ju referuar rëndësisë dhe peshës së madhe që ka institucioni i Presidentit, si institucioni që përfaqëson unitetin e popullit dhe si institucioni që duhet te zhvilloje pergjegjesi thelbesore per ruajten, mbeshtetjen dhe respektimin e Kushtetutës së vendit,  rikonsiderimi i mënyrës për zgjedhjen e tij është nevojë e kohës. Kjo nevojë është artikuluar, në mënyrë të përsëritur, nga pjesa jo politike e shoqërisë.  E kanë mbështetur nevojën për një gjetje ndryshe nga ajo që parashikon Kushtetuta edhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike. Por, asnjë dhe asnjëherë problemi nuk ka zbritur në tavolinë për t`u diskutuar.

Referuar përcaktimeve kushtetuese mazhoranca aktuale lajmëroi fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Si ka ndodhur edhe me mazhorancat e mëparshme dhe si edhe në proceset e mëparshme për zgjedhjen e Presidentit edhe këtë radhë nuk kanë munguar deklaratat për angazhimin për të gjetur dhe votuar një kandidaturë konsensuale. Mazhoranca është deklaruar e hapur për të konsideruar dhe shqyrtuar çdo propozim, ngado që të vi, nga parti politike të opozitës, shoqëria civile, bota akademike, nga brenda ose nga jashtë vendit. Deklaratë entuziaste dhe premtuese, por për realizimin e saj ndaj mazhorancës nuk ka asnjë instrument, përveçse moralit në sjellje, që mund të përdoret për t`i bërë që t`i qëndrojë deri në fund kësaj deklarate. Natyrisht e udhës është që të mos ta paragjykojmë por, nëse kujtojmë sesi është zgjedhur Presidenti, në veçanti pas ndryshimeve të Kushtetutës, në 2008, skepticimi justifikohet. Ndaj dhe s`ka pse të presim dhe të shohim se sa dhe se si do të “mbahet fjala”. Është shumë më mirë jo vetëm për këtë proces zgjedhor për Presidentit e vendit por edhe për të mirërregulluar korpusin legjislativ që trajton këtë problem dhe të tjera çështje që janë organikisht të lidhur me të, të ndryshohet parimi sipas të cilit zgjidhet Presidenti. Detyra e lartë e Presidentit të vendit të ushtrohet nga personaliteti që populli me votim të përgjithshëm e zgjedh. Koha për të bërë një ndryshim të tillë thelbësore është tani. Një zgjidhje dhe një vendim i tillë për të ndërhyrë në Kushtetutë nuk kushtëzohet nga koha që ka mbetur deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Vetëm mungesa e vullnetit për t`u trajtuar kjo çështje nga trupa legjislative, nga Kuvendi, e shpie në zero gjithë çfarë është shkruar me sipër.