Prof. Dr. Kastriot Islami: Ogur i zi për pluralizmin, ‘ekipi monist’ rezulton ‘fitues’

400
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pluralizmi në Shqipëri është goditur rëndë edhe në 2021-shin. Ky sulm ka filluar me zgjedhjet e 2017-ën, kur Rama do të zotëronte të gjithë parlamentin, gjë që e arriti me krijimin e “opozitës fasadë” të antiopozitarëve mediokër e të blerë me paratë e korrupsionit, që “pushtuan” parlamentin pas abandonimit të parlamentit nga opozita reale. Vdekjen “klinike” pluralizmi e mori me zgjedhjet vendore të 2019, kur ‘Rilindja’ fitoi 100 % të bashkive, për më tepër që në gjysmën e tyre, ‘Rilindja’ konkurroi e vetme e pa kundërshtarë, kurse në gjysmën tjetër kishte përballë vetëm kandidatët e “opozitës fasadë”, sepse opozita reale i abandonoi zgjedhjet e pandershme vendore në të cilën morën pjesë vetëm rreth 10-12 % e votuesve!

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, mazhoranca konkurroi me një “bllok/ekip monist”. Kjo kishte ndodhur edhe në 2017-ën, por në 2021-shin ky format iu diktua edhe opozitës përmes eleminimit nga Rama të “koalicionit të përbërë”, ose thënë ndryshe, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme e pa konsensus sistemin zgjedhor, me synimin për ta detyruar opozitën të konkurronte edhe ajo si një “bllok monist”, por që duke konkurruar në “formatin pluralist”, rezultoi për shkak edhe të “marifeteve” të shumta të Ramës, e defavorizuar elektoralisht. Opozita e krijuar “pluraliste” në 1991, e kishte të pamundur të konkurronte me “ekip monist”, prandaj opozita konkurroi me “ekipi pluralist”, por për shkak edhe të “marifeteve” të “ekipit monist”, do të rezultonte “humbëse” përballë “ekipit monist”, suksesi i të cilit është ndër të tjera një ogur i zi për pluralizmin.

Imponimi i një formati monist të tillë konkurrimi, duke mos lejuar “koalicionet e përbëra” u bë qëllimisht për të vendosur në pozitë të vështirë “ekipin pluralist”, i cili duke qenë i formësuar në mënyrë “pluraliste”, e kishte të pothuajse të pamundur të konkurronte si “ekip monist”, ndërkohë që ‘Rilindja’, duke “eliminuar” të gjithë aleatët e saj tradicionalë, por edhe për shkak të historisë së saj, ndjehej duket komode të paraqitej si “ekip monist”.

Më konkretisht, mazhoranca u paraqit me formatin e dy “blloqeve/ekipeve moniste”: ‘Rilindja’ me “ekipin monist”, pasi kishte eliminuar të gjithë aleatët e majtë tradicionalë, pra brenda “ekipit monist” s’kishte asnjë gjurmë të aleatëve të saj të majtë të mëparshëm. PSD, partia tjetër satelite, e krijuar me nxitjen e ‘Rilindjes’, do të formatohej po ashtu, si “shportë apo hinkë moniste”, pritëse e të pakënaqurve të qeverisjes 8-vjeçare të ‘Rilindjes’, që do të orientoheshin të shkonin te “hinka pritëse”, duke i penguar ata të shkonin tek LSI, “lista e dytë” e opozitës, e cila u sulmua egërsisht në mënyrë të qëllishme nga drejtuesi i “ekipit monist”.

Kurse opozita u formatua në mënyrë pluraliste me dy lista: i) “lista PD-AN” dhe ii) “lista LSI”. Vetëm kjo ndarje, për shkak të shkatërrimit të “koalicionit të përbërë”, ka favorizuar “ekipin monist” me të paktën 2-4 mandate. Por mbi të gjitha, LSI, e kthyer në “shënjestër” të ‘Rilindjes’, u dëmtua rëndë, ndërkohë që LSI brenda “koalicionit të përbërë”, do të kishte marrë të paktën 11 mandate, me të njëjtën sasi votash që mori 4 mandatet në 25 prill. Nëse opozita do të ishte paraqitur me 1 listë të vetme, ose të paktën kjo të realizohej në qarqet me numër të vogël mandatesh (Gjirokastër, Dibër, Lezhë, e tjerë) ajo ndoshta do të mund të rezultonte fituese e zgjedhjeve. Përfundimi është i qartë: LSI jo vetëm do të kishte në total rreth 11-12 mandate, por mbi të gjitha do të shmangte goditjen e përqëndruar të ‘Rilindjes’ që u desh ta përballonte e vetme (kjo është një nga arsyet përse LSI është rrudhur në 2021 krahasuar me 2013 me rreth 73 mijë vota duke pasur 15 mandate më pak, gjë që ka ardhur së pari nga goditja ‘rilindase’, dhe së dyti, nga mosaplikimi i formulës ‘Saint Laguerre’ brenda “koalicionit të përbërë”).

Lista PD-AN, duke qenë “pluraliste” përballë “ekipit monist” të ‘Rilindjes’, s’arriti po ashtu të maksimizonte votën e aleatëve të saj tradicionalë, që në mungesë të “koalicionit të përbërë”, u detyrua të kufizohej vetëm me përfshirjen e kryetarëve të partive aleate në listën e PD-AN. Ndërkohë që në rrethanat e “koalicionit të përbërë”, të penguar në mënyrë të qëllimshme nga  ‘Rilindja’, partitë aleate, do të kishin mundësinë të kishin edhe listat e tyre të konkurrimit brenda “koalicionit të përbërë” dhe kështu, të rrisnin sasinë e votave për listën PD-AN, si në 2013. Kjo gjë nuk ndodhi as në 2017 nga pengesat tinzare të Ramës për partitë aleate dhe as në 2021 me ndryshimin qëllimkeq të sistemit zgjedhor. Po t’i hidhet një sy rezultateve të vitit 2013 (kur ndodhi rrotacioni politik), rezulton se aleatët e PD-së në koalicionin PD-AN, kanë sjellë në zgjedhjet e 2021, mbi 82 mijë vota më pak se në 2013, pra afërsisht 7-8 mandate më pak. Ndryshe, nëse PD e vetme është rritur në 2021 krahasuar me 2013, sasia e votave të aleatëve të saj është rrudhur vetëm nga moslejimi i “koalicionit të përbërë”, por jo vetëm. Si përfundim, aleanca e PD-së me aleatët e saj tradicionalë, s’ka mundur të rritet në 2021 krahasuar me 2013 nga imponimi i “konkurrimit monist”, duke humbur kështu 7-8 mandate.

Nga këto të dhëna nxirren këto “mësime”/përfundime/detyra:

  1. i) opozita duhet të kërkojë me forcë e urgjentisht të abrogohet ndryshimi i njëanshëm i sistemit zgjedhor që favorizon “formatin monist”;
  2. ii) të rivendoset me konsensus “ballafaqimi pluralist” përmes rivendosjes së “koalicioneve të përbëra” ose një formatim tjetër që mundëson “ballafaqimin simetrik pluralist”; ose

iii) në pamundësi për të rikthyer “ballafaqimin simetrik pluralist”, opozita duhet me urgjencë të marrë masat për organizimin adekuat që garanton “ballafaqimin simetrik”.

“Marifetet” e ‘Rilindjes’ mee ndryshimin arrogant të sistemit zgjedhor, me synimin e qartë për t’i imponuar opozitës “konkurrimin monist”, për fatin e keq ka favorizuar “ekipin monist” të ‘Rilindjes’, duke shkaktuar rrudhjen e votave dhe të mandateve të opozitës, në jo më pak se 9-12 mandate, pra që opozita të shpallej fituese e qartë e zgjedhjeve.